Zv.kryeministri Ahmetaj pret Ministrin e Jashtëm të Polonisë,Drejtues i radhës i OSBE,Mbështetje integrimit të Shqiperisë në BE

  • Postuar më 15/06/2022

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj priti sot në takim Ministrin e Jashtëm të Polonisë, i
cili mban njëkohësisht edhe postin e Drejtuesit të radhës të OSCE, z. Zbigniew Rau. Në
takimin dypalësh, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe rritjen e
bashkëpunimit në fushat kryesore. Turizmi mbetet një nga sektorët më aktivë të
bashkëpunimit mes dy vendeve tona, ndërsa palët theksuan gatishmërinë për rritjen e
investimeve në fusha si energjia, transporti, etj.
Një pikë e rëndësishme diskutimi ishte procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në
Bashkimin Europian, ku Shqipëria, sikurse u theksua nga palët, i ka kryer të gjitha
detyrat e shtëpisë.
“Gjej rastin të falënderoj nga zemra Poloninë, për mbështetjen e saj të vazhdueshme
për perspektivën evropiane të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me marrjen e datës për
Konferencën e Parë Ndërqeveritare, një vendim që shpresojmë që vendet anëtare ta
marrin sa më shpejt. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe
duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut,
shpresat tona mbeten ende për një vendim gjatë presidencës franceze të Bashkimit
Europian. Shqipëria do të vazhdojë me vendosmëri udhën e reformave europianizuese,
në radhë të parë në dobi të qytetarëve shqiptarë” – tha Ahmetaj.
Nga ana e tij Ministri i jashtëm polak theksoi mbështetjen e pakursyer të Polonisë në
procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe shprehu
indinjatën për vonesat e vendeve të BE në këtë proces.
Palët diskutuan edhe për bashkëpunimin në kuadër të OSBE dhe NATO dhe situatën
gjeopolitike të lidhur me invazionin rus në Ukrainë, të cilin e dënojnë me vendosmëri, si
shkelje të sovranitetit të Ukrainës dhe minim të premisave për ruajtjen e paqes dhe
stabilitetit në rajon.
“E sigurova Ministrin për vijimin e rolit pro-aktiv të Shqipërisë në përballimin e kësaj
situate të paprecedentë. Ne kemi bërë thirrje për të ndaluar me çdo kusht luftën në
Ukrainë, për të tërhequr të gjitha trupat ushtarake ruse nga ai vend si dhe për të ndaluar
vrasjen e viktimave të shumta në atë vend dhe mbi të gjitha për të respektuar
sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës. Lufta heroike e Ukrainës nuk është
vetëm një luftë për mbijetesë e atij vendi, por një luftë për paqen dhe sigurinë në
kontinentin europian. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023
dhe roli ynë në organizmin më të lartë për sigurinë globale është veçanërisht i rëndësishëm këtë
muaj që Shqipëria mban presidencën e Këshillit të Sigurimit” – u shpreh Ahmetaj.
Ministri Rau vlerësoi partneritetin e shkëlqyer të administratës shtetërore të Shqipërisë
më praninë e OSBE.

“Do të doja të shprehja falënderimet dhe mirënjohjen tonë partnerëve shqiptare për
bashkëpunimin shkëlqyer si dhe për këmbënguljen dhe përkushtimin e tyre në kryerjen
dhe zbatimin e reformave të rëndësishme. E përgëzoj qeverinë e Shqipërisë në hapat e
ndërmarrë lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu
përgëzoj arritjet e Kryesisë të Shqipërisë të OSBE-së në vitin 2020 dhe anëtarësinë në
Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara si anëtar jo i përhershëm. Ne
bashkëpunojmë ngushtë në kuadrin e NATO-s, Polonia gjithashtu mbështet plotësisht
aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian” – tha Ministri polak.

Fjala e plotë e Zëvendëskryeministrit Z. Arben Ahmetaj
Është kënaqësi e veçantë për mua, edhe në emër të Kryeministrit Rama, që pata
mundësinë të pres sot në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë dhe
njëkohësisht Kryetarin e radhës të OSBE-së, z. Zbigniew Rau.
Kryesia polake e OSBE-së përkon me një periudhë shumë të vështirë të tronditjes së
thellë të themeleve të sigurisë europiane për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës. E
sigurova ministrin për vijimin e rolit pro-aktiv të Shqipërisë në përballimin e kësaj situate
të paprecedentë. Roli i Shqipërisë gjatë kësaj periudhe ka qenë i gjithanshëm dhe i
vlerësuar nga partnerët si në kuadër të OSBE-së ashtu edhe në kuadër të Këshillit të
Sigurimit të OKB-së, në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare dhe rajonale.
Në kuadër të çdo organizate shumëpalëshe dhe rajonale ku aderojmë, ne kemi bërë
thirrje për të ndaluar me çdo kusht luftën në Ukrainë, për të tërhequr të gjitha trupat
ushtarake ruse nga ai vend si dhe për të ndaluar vrasjen e viktimave të shumta dhe mbi
të gjitha për të respektuar sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës. Lufta heroike
e Ukrainës nuk është vetëm një luftë për mbijetesë e atij vendi, por një luftë për paqen
dhe sigurinë në kontinentin europian.
Pikërisht për këtë, bashkërendimi në kuadër të organizatave shumëpalëshe merr një
rëndësi jetësore. Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-
2023 dhe roli ynë në organizmin më të lartë  për sigurinë globale është veçanërisht i
rëndësishëm këtë muaj që Shqipëria mban presidencën e Këshillit të Sigurimit.
Pjesa e diskutimeve sot me Kryetarin e radhës së OSBE-së ishin dhe zhvillimet në
rajonin tonë. Ministri Rau më informoi se ka planifikuar një tur vizitash në rajon duke
nisur nga Shqipëria. E  falënderova ministrin për rëndësinë që Polonia i ka dhënë vendit
tonë gjatë presidencës së OSBE-së, me vizitën e tij në vendet tona si dhe e sigurova se
Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë një politikë aktive dhe të udhëhequr nga synimi për
një integrim euro-atlantik si dhe një integrim më të thelluar ekonomik në të gjithë rajonin.
Ne ndamë të njëjtin mendim se integrimi euro-atlantik mbetet një orientim i
pazëvendësueshëm për të gjithë vendet e rajonit, i vetmi që mund të krijojë
qëndrueshmëri, paqe, siguri në vendet tona. Me Poloninë ndajmë një angazhim të
përbashkët për paqen dhe sigurinë në Europë, si në kuadër të OSBE-së, po ashtu

dhe në respekt të interesave strategjike të partneritetit të ngushtë në NATO dhe atë të
perspektivës europiane të Shqipërisë.
Gjej rastin të falënderoj nga zemra Poloninë, për mbështetjen e saj të vazhdueshme për
perspektivën evropiane të Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me marrjen e datës për
Konferencën e Parë Ndërqeveritare, një vendim që shpresojmë që vendet anëtare ta
marrin sa më shpejt.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe duke shpresuar në
gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpresat tona
mbeten ende për një vendim gjatë presidencës franceze të Bashkimit
Europian. Shqipëria do të vazhdojë me vendosmëri udhën e reformave europianizuese,
në radhë të parë në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Një mbështetje e rëndësishme për këto reforma, ka qenë dhe OSBE. Në këtë kuadër
me Ministrin Rau diskutuam mbi veprimtarinë e Pranisë së OSBE në Shqipëri, e cila
këtë vit kremton 25 vjetorin e veprimtarisë së saj në vendin tonë. Ministri Rau është sot
këtu në kapacitetin e kryetarit të radhës të OSBE-së, por nuk mund të mos nënvizoj se
Polonia është gjithashtu një partner shumë i rëndësishëm dypalësh për Shqipërinë. Dua
të vlerësoj në veçanti, ndihmën e ofruar nga vendi juaj në përballimin e tërmetit dhe t’i
rishpreh mirënjohjen dhe ta falënderoj edhe një herë ministrin Rau, që na u gjet
personalisht pranë, financiarisht  si vend dhe me donacione gjatë periudhës së
pandemisë.
Sa i përket bashkëpunimit tonë ekonomik, turizmi është një nga fushat kyçe, kemi arritur
të vendosim fluturime direkte me kompaninë polake LOT dhe kjo po kontribuon
ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve. Diskutuam gjithashtu sot, rrugët për rritjen e
pranisë së kompanive polake në sektorë kyç të ekonomisë siç është infrastruktura,
energjia apo sektorë të tjerë me interes edhe për pjesën e sipërmarrjes polake.
Duke ju falënderuar dhe një herë për vizitën i nderuar Ministër dhe për angazhimin tuaj
si Kryesi e OSBE-së  për mbrojtjen e sigurisë së kontinentit tonë, fjala është për ju i
dashur Ministër.
Faleminderit!

Fjala e plotë e Ministrit të Jashtëm të Polonisë, Drejtues i radhës i OSBE, Z.
Zbigniew Rau
Faleminderit shumë, zonja dhe zotërinj.
Do të doja të filloja me fjalë falënderimi për ZëvendësKryeministrin Z.Arben Ahmetaj.
Sapo patëm një bisedë shumë produktive; shkëmbimet tona sot treguan edhe një herë
se kemi një mirëkuptim të ndërsjellët sa i përket vlerave themelore dhe përparësive të

OSBE-së. Sivjet ne faktikisht kremtojmë 30 vjetorin e anëtarësisë shqiptare në OSBE
dhe 25 vjetorin e pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Është rast i përsosur për të theksuar
partneritetin e shkëlqyer të administratës shtetërore të Shqipërisë më praninë e OSBE-
së dhe me të gjithë organizatën në përgjithësi.
Do të doja të shprehja falënderimet dhe mirënjohjen tonë partnerëve shqiptare për
bashkëpunimin shkëlqyer si dhe për këmbënguljen dhe përkushtimin e tyre në kryerjen
dhe zbatimin e reformave të rëndësishme. Prania e OSBE-së në Shqipëri mbështet
qeverinë për çështje si reforma dhe pavarësia e gjyqësorit, shtetin e së drejtës,
reformën zgjedhore dhe lirinë e medias. E përgëzoj qeverinë e Shqipërisë në hapat e
ndërmarrë lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu
përgëzoj arritjet e Kryesisë të Shqipërisë të OSBE-së në vitin 2020 dhe anëtarësinë në
Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara si anëtar jo i përhershëm. Mirëpres
kontributin e vendit për stabilitetin rajonal, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,
tolerancën fetare dhe sigurinë mjedisore.
OSBE-ja po përballet aktualisht me sfidën që ka mundësi, të jetë më e madhja që prej
krijimit të saj. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës i ka shkundur themelet e arkitekturës
së sigurisë të Evropës. Tani më shumë se kurrë na duhet solidaritet dhe përpjekje për
të ruajtur parimet dhe angazhimet themelore të OSBE-së.
Jam me të vërtetë i lumtur, të theksoj se Shqipëria padyshim, është tërësisht e
angazhuar për të ruajtur efikasitetin e organizatës së OSBE-së. Jam me të vërtetë i
nderuar dhe të theksoj marrëdhëniet jashtëzakonisht shumë të mira të dy vendeve tona.
Ne bashkëpunojmë ngushtë në kuadrin e NATO-s, Polonia gjithashtu mbështet
plotësisht aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kemi diskutuar gjithashtu me Z. ZëvendësKryeministër mënyrat sesi mund të forcojmë
dhe të zgjerojmë tregtinë tonë dhe bashkëpunimin tonë ekonomik dy palësh.
Ju faleminderit.