Z. Ahmetaj pret Ministren për Europën dhe Klimën të RFD, znj. Luhrmann “Shpresojmë që brenda 6 muajve të kemi hapjen formale të negociatave”

  • Postuar më 18/01/2022

Zv.Kryeministri Arben Ahmetaj zhvilloi sot një takim me Ministren e Shtetit për Europën dhe Klimën te
Republikës Federale Gjermane, znj. Anna Luhrmann, më të cilën diskutuan gjerësisht mbi procesin e
integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Ahmetaj falënderoi Ministren për mbështetjen e vazhdueshme që populli dhe qeveria gjermane i kanë
dhënë vendit tonë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit Europian dhe procesit
të Berlinit, një nismë e drejtpërdrejtë e ish-kancelares Merkel.
Gjithashtu Ahmetaj shprehu keqardhjen e qeverisë shqiptare për vonesën e hapjes formale të
negociatave me Bashkimin Europian: “Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet si një vakum politik, për
mundësi të lojërave të aktorëve të tretë të cilët nuk ndajnë strategjikisht dhe politikisht të njëjtat
qëllime me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Europian por edhe me
aspiratat e Ballkanit Perëndimor të konfirmuara tashmë” – tha Ahmetaj, duke nënvizuar se Integrimi
Europian është një proces strategjik për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë.
“Hapja e negociatave është e bazuar në parimin e meritës individuale ku Shqipëria i ka plotësuar të
gjitha detyrat e shtëpisë. Sot që flasim nuk ka asnjë vend anëtar që të ngrejë një problematikë me
Shqipërinë, e cila te pengojë hapjen formale të negociatave. E megjithatë, megjithëse Komisioni ka 3 vite
rresht që konfirmon që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, megjithëse dhe në Këshillin Europian në
vazhdueshmëri është pohuar e njëjta gjë, besoj në 6 muajt e ardhshëm, siç e ndamë dhe me Ministren,
shpresoj të kemi hapjen formale të negociatave” – u shpreh Zv. Kryeministri.
Ahmetaj ndau me Ministren gjermane dy elementë të rëndësishëm të hapjes formale të negociatave.
“Hapja formale e negociatave jep një sinjal shumë të fortë, shumë të rëndësishëm, për të gjithë brezin e
ri në Ballkanin Perëndimor për garancinë dhe sigurinë e të ardhmes së tyre në Bashkimin Europian. E
dyta, po kaq e rëndësishme, vetë procesi i integrimit, procesi i negociatave do të thotë reforma të thella
në çdo sektor të jetës së vendit dhe këto dy elementë, duke përfshirë të gjitha arsyet politike,
shoqërore, ekonomike, e bëjnë integrimin Europian proces strategjik për Shqipërinë” – tha
Zv.Kryeministri.
Nga ana e saj Ministrja gjermane për Europën dhe Klimën, rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë së re
federale për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin
Europian, si një proces që është jo vetëm në interes të dy vendeve, por edhe të vetë BE dhe stabilitetit
në rajon.
“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor si edhe perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian për mua
personalisht, por edhe për Qeverinë Federale, janë me të vërtetë me rëndësi strategjike. Qeveria
Federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më të shpejtë të mundshme të bisedimeve të
anëtarësimit”.

Duke përgëzuar Shqipërinë që këtë vit ulet për herë të parë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të
Bashkuara, znj. Luhrmann tha se Gjermania mund të mbështetet tek Shqipëria si një partner i
besueshëm.
“Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në konsolidimin e Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut.
Po kështu janë ngritur struktura për një përballje të vendosur me korrupsionin dhe krimin e organizuar
dhe kjo meriton një respekt vërtet të madh. Zyrtarë të lartë dhe pjesëtarë të rrjeteve të krimit të
organizuar janë dërguar pas bangës së të akuzuarve dhe janë dënuar. Procesi i Vettingut është duke
dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë. Në këtë rrugë duhet të vijohet
më tej me vendosmërinë dhe këtu janë të nevojshme si qeveria ashtu dhe opozita. Hapat pas do ta
dëmtonin qartësisht procesin e reformave.
Ministrja gjermane theksoi edhe mbështetjen për nismën e Ballkanit të Hapur: “Zbatimi i katër lirive
themelore, qarkullimi i lirë i personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit është me rëndësi maksimale
për të gjithë rajonin. Një shembull i mirë për atë së çfarë mund të arrihet përmes bashkëpunimit rajonal,
janë programet e shkëmbimit dhe projektet rinore ndërkufitare të rrjetit rinor rajonal, por këtu bën
pjesë edhe heqja e tarifave roaming në rajon, sikundër edhe thjeshtimi i procedurave të transportit
ndërkufitar të mallrave.” – shtoi znj. Luhrmann.
***

Fjala e plotë e Zv.Kryeministrit Ahmetaj
Sot kam pasur kënaqësinë të prisja Ministren Luhrmann, Ministren e Shtetit për Europën e Republikës
Federale Gjermane, së bashku me Znj. Spiropali dhe z. Mazi.  E urova Ministren për detyrën e re në
qeverinë e re të Republikës Federale Gjermane që është formuar pas zgjedhjeve të 26 Shatorit të vitit të
kaluar. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që populli gjerman, qeveria gjermane, i ka dhënë
Shqipërisë, i ka dhënë procesit të integrimit europian në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe procesit të
Berlinit.
Me porosi të Kryeministrit, në emër të tij  dhe qeverisë, i kërkova Ministres që të transmetojë
falënderimet për kontributin e ish-Kancelares Merkel dhe kabinetit të saj qeveritar në mbështetje të
procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht dhe të ministrit Roth që ka luajtur një rol
tejet konstruktiv dhe pozitiv në procesin e integrimit europian.
Gjithashtu, vizita e ministres në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri është vizita e tretë pas Parisit dhe
Brukselit, një sinjal tejet domethënës, i fortë, i rëndësisë që qeveria e re gjermane vendos tek procesi i
integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht me theks të veçantë tek Shqipëria dhe Maqedonia e
Veriut.
Ndava me ministren të gjithë atë ndjesi dhe shqetësim qe Kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare ka
për vonesën e hapjes formale të negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar gjithashtu që
qytetarët shqiptarë, Shqipëria, vazhdon të referojë një mbështetje rreth 90% në të gjitha sondazhet për
procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, po në emër të Kryeministrit dhe qeverisë, i
shpreha keqardhjen Ministres që tashmë ne i kemi bërë te gjitha detyrat e shtëpisë. Sot që flasim nuk ka
asnjë vend anëtar që të ngrejë një problematikë me Shqipërinë, e cila te pengojë hapjen formale të

negociatave. E megjithatë, megjithëse Komisioni ka 3 vite rresht që konfirmon që Shqipëria i ka bërë
detyrat e shtëpisë, megjithëse dhe në Këshillin Europian në vazhdueshmëri është pohuar e njëjta gjë,
besoj në 6 muajt e ardhshëm, siç e ndamë dhe me Ministren, shpresoj të kemi hapjen formale të
negociatave.
Sigurisht që, ashtu si edhe Këshilli Europian e ka theksuar, hapja e negociatave është e bazuar në
parimin e meritës individuale ku Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë. E gjithë qeveria
shqiptare dhe administrata shqiptare konfirmon që jemi gati të kapim kohën e humbur menjëherë sa të
kemi hapjen formale të negociatave. Grupi negociator punon përditë, Kryeministri dhe qeveria e
monitoron punën e grupit negociator përditë dhe Kryenegociatori është në vazhdimësi në krye të
detyrës.
Unë këtë këndvështrim e ndava me Ministren Luhrmann, falënderimin për kontributin e qeverisë
gjermane në vazhdimësi dhe i kërkova që Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet si një vakum politik,
ashtu si e theksoi dhe Ministrja, për mundësi të lojërave të aktorëve të tretë të cilët nuk ndajnë
strategjikisht dhe politikisht të njëjtat qëllime me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara, me
Bashkimin Europian por edhe me aspiratat e Ballkanit Perëndimor të konfirmuara tashmë.
Dua të theksoj që falë procesit të Berlinit, përmes nismës për Ballkani e hapur dhe planin ekonomik dhe
investimeve të Komisionit Europian, ne dëshirojmë të krijojmë një treg jo me 2 milion, jo me 3 milion, jo
me 6 milion, por me 18 dhe 20 milion konsumatorë, në favor të qytetarëve, të Shqipërisë dhe të gjitha
vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të sipërmarrjeve të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Sigurisht që nuk lamë pa theksuar fort elementin e sigurisë. Siguria është një element i rëndësishëm në
bashkëpunimin mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Si anëtare jo e përhershme e Këshillit
të Sigurimit  të OKB-së, Shqipëria i ka ofruar Bashkimit Europian bashkëpunimin për mandatin e saj 22-
23.  Në të njëjtën kohë falënderova Ministren, falënderova qeverinë Gjermane për ekspertizën që na ka
ofruar si dhe për asistimin me një diplomat me eksperiencë që i është atashuar ekipit tonë në Neë York.
Ndërkohë, duke folur për procesin e integrimit Europian, ndava me Ministren dy elementë të
rëndësishëm të hapjes formale të negociatave. Pikë së pari, që është shumë e rëndësishme, është sinjali
për të rinjtë e Shqipërisë dhe për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Hapja formale e negociatave jep një
sinjal shumë të fortë, shumë të rëndësishëm, për të gjithë brezin e ri në Ballkanin Perëndimor për
garancinë dhe sigurinë e të ardhmes së tyre në Bashkimin Europian. E dyta, po kaq e rëndësishme,
ndava me Ministren, vetë procesi i integrimit, procesi i negociatave është reforma të thella sektoriale,
pra në çdo sektor të jetës së vendit dhe këto dy elementë, duke përfshirë të gjitha arsyet politike,
shoqërore, ekonomike e bëjnë integrimin Europian proces strategjik për Shqipërinë.
Ndërkohë rinia që përfaqëson të ardhmen tonë, duhet të rritet dhe të edukohet me frymën e dialogut. E
ndamë edhe si kënaqësi në fakt që procesi i Berlinit ka sjellë ka mbjellë një farë shumë pozitive në rininë
e Ballkanit Perëndimor nën frymën e dikurshme të procesit RYKO midis rinisë Gjermane dhe rinisë
Franceze menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore dhe shumëkush, media, po të gjitha aktorët, e kanë
parë që fryma në Ballkanin Perëndimor nuk i ngjan fare frymës së para 10 viteve ku diskorsi politik ishte i
ashpër, jo miqësor në rastin më të mirë dhe armiqësor, jo pak. Sot komplet diskutimi, debati, është tek
hapja, tek investimet, tek iniciativat rajonale ekonomike, tek tregu i përbashkët, tek rruga e përbashkët
drejt Bashkimit Europian.

Fjala e plotë e Ministres së Shtetit për Europën dhe Klimën të Republikës Federale Gjermane, Znj.
Anna Luhrmann  
Faleminderit shumë përzemërsisht për takimin miqësor sot në Tiranë nga Zëvendës Kryeministri i vendit
Z. Ahmetaj dhe për bisedën mjaft të mirë që ne zhvilluam me njëri tjetrin. Për mua është mjaft e
rëndësishme që pas marrjes së detyrës, një muaj pas marrjes së detyrës si Ministre e Shtetit për
Europën dhe Klimën të dërgoja një mesazh këtu në Shqipëri, duke e lidhur dhe duke vijuar kështu dhe
angazhimin e paraardhësit tim Michael Roth, i cili ishte këtu për herë të fundit në Maj të vitit të shkuar.
Në këtë mënyrë dëshiroj të bëj të qartë që Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor si edhe perspektiva e
anëtarësimit në Bashkimin Europian për mua personalisht, por edhe për Qeverinë Federale, janë me të
vërtetë me rëndësi strategjike. Qeveria Federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më të shpejtë të
mundshme të bisedimeve të anëtarësimit dhe kjo është në interes jo vetëm të Shqipërisë dhe
Maqedonisë së Veriut, por edhe në interesin fillestar të vetë BE-së dhe është mjaft e rëndësishme për
stabilitetin në rajon.
Në kuadër të marrëdhënieve diplomatike që ekzistojnë tanimë prej 35 vitesh mes Republikës Federale
dhe Republikës të Shqipërisë, ne punojmë dhe bashkëpunojmë ngushtësisht në të mirë të njerëzve në
shumë sektorë, për shembull në sektorin e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, furnizimit me ujë,
menaxhimit të mbetjeve dhe ujerave të zeza sipas standardeve të Bashkimit Europian, por edhe në
sektorin e eficencës së energjisë. Bashkëpunojmë shumë edhe me përfaqësueses të shoqërisë civile dhe
me përfaqësues të cilët unë pata mundësinë të takohesha sot. Sigurisht që bashkëpunojmë ngushtësisht
edhe në sektorët e kulturës, të arsimit, të tregtisë edhe në kuadër të forumeve ndërkombëtare.
Pikërisht këtë vit kur Shqipëria për herë të parë ulet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
dhe për këtë edhe njëherë urimet e mia të përzemërta, ne gëzohemi që mund të mbështetemi tek
Shqipëria si një partner i besueshëm.
Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në konsolidimin e Demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut.
Po kështu janë ngritur struktura për një përballje të vendosur me korrupsionin dhe krimin e organizuar
dhe kjo meriton një respekt vërtet të madh. Zyrtarë të lartë edhe pjesëtarë të rrjeteve të krimit të
organizuar janë dërguar pas bangës së të akuzuarve dhe janë dënuar. Procesi i Vettingut është duke
dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, në këtë rrugë duhet të vijohet
më tej me vendosmërinë dhe këtu janë të nevojshme si qeveria ashtu dhe opozita. Hapat pas do ta
dëmtonin qartësisht procesin e reformave.
Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të ardhmen e Europës ndaj në vitin 2014 Qeveria Federale
solli në jetë procesin e Berlinit. Rajoni mbetet i një prioriteti të lartë edhe për qeverinë e re Federale, në
mënyrë konstante kjo. Ne përshëndesim angazhimin për bashkëpunimin rajonal mes kryetarëve të
shteteve të qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe kuptojmë mjaft mirë dëshirën e tyre për të bërë para
në këtë proces.
Këtu është e qartë që rruga duhet të ndjekë po themi kursin e bashkëpunimit të 6 vendeve dhe që
procesi duhet të vazhdojë të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjithë, ndaj lipset që të bëhet
progres në zbatimin e plan-veprimit 2020 të zbatuar në Sofje për ngritjen e një tregu të përbashkët

rajonal. Zbatimi i katër lirive themelore, qarkullimi i lirë i personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit
është me rëndësi maksimale për të gjithë rajonin.
Një shembull i mirë për atë së çfarë mund të arrihet përmes bashkëpunimit rajonal, janë programet e
shkëmbimit dhe projektet rinore ndërkufitare të rrjetit rinor rajonal, por këtu bën pjesë edhe heqja e
tarifave roaming në rajon sikundër edhe thjeshtimi i procedurave të transportit ndërkufitar të mallrave.
Si Ministre Shteti, unë jam përgjegjëse jo vetëm për Europën që sikundër e keni vënë re e kam shumë
përzemër, por edhe për mbrojtjen e klimës, ndaj me interes të veçantë ndjek edhe iniciativat në
mbrojtje të hapësirave natyrore, unike në Shqipëri. Shpresoj që gjatë vizitës së ardhshme të mund të
bindem edhe vetë personalisht për bukuritë e vendit tuaj, si dhe për rritjen e kapacitetit të energjive të
rigjenerueshme përtej fuqisë hidrike. Ne duhet ta mbrojmë natyrën tonë, në mënyrë të tillë që edhe
t’jua lëmë atë brezave të ardhshëm. Jemi të gatshëm t’ju mbështesim ju, Shqipërinë, pikërisht në
arritjen e standardeve të larta të mbrojtjes së natyrës.
Zoti Zëvendës Kryeministër më lejoni të theksoj edhe njëherë që edhe në drejtimin e Kancelarit Federal
Olaf  Scholz, Republika Federale Gjermane do të vazhdojë të jetë një partner i ngushtë dhe i besueshëm i
Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Faleminderit

Pyetje nga mediat:
Ani Ruci, Deutsche Welle:
Një pyetje për Ministren Luhrmann, ju lutem a mund të thoni diçka më shumë lidhur me angazhimin e
Gjermanisë, cili do të jetë angazhimi i saj për të mundësuar hapjen formale të negociatave? Vazhdimisht
është thënë që janë shpresat, por si mund të konkretizohen këto shpresa, çfarë mund të ndërmerret
konkretisht? Faleminderit.
Znj. Luhrmann:
Ju faleminderit për këtë pyetje. Si qeveri e re federale, në marrëveshjen tonë të koalicionit ne kemi
përcaktuar prioritetet tona më të larta dhe pikërisht që do të punojmë shumë fuqishëm në mënyrë të
tillë që perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian të gjithë vendeve të Ballkanit Perendimor të
bwhet konkrete dhe që prej një muaji, që prej marrjes së detyrës së re, në bisedat e mia në Bruksel dhe
në Paris e kam tematizuar vazhdimisht këtë çështje më rendësi qendrore, thelbësore për ne, që të mund
të ecim përpara në këtë kontekst, pra në kontekstin e nisjes sa më të shpejtë të mundshme të
anëtarësimit me Maqedoninë Veriut dhe të Shqipërisë, që çështjet që ekzistojnë ende midis
Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të mund të zgjidhen në nivel bilateral. Muajin e ardhshëm, ne si
qeveri federale do ta theksojmë edhe njëherë sërish këtë në forumet ku marrim pjesë me partnerët
tanë europianë, në forumet në Bruksel dhe jam tejet optimiste që  në të ardhmen e afërt ne do të mund
të bëjmë hapa përpara në këtë drejtim.
Enkelejda Mema, Vizion Plus:
Zonja Ministre ju thoni në fjalën tuaj që qeveria e Gjermanisë është e angazhuar për të drejtuar
Ballkanin Perëndimor drejt proceseve integruese në Bashkimin Europian. Në fakt kjo është një fjali që ne
e kemi dëgjuar edhe nga paraardhësit tuaj por edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, madje

janë vendosur dhe data se kur do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Europian
deh Shqipërisë. Asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur, asnjë datë nuk është respektuar. Do të
doja të dija, a është qeveria gjermane pro ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për aq kohë sa
kjo e fundit vuan veton bullgare dhe për këtë shkak edhe Shqipëria është penguar në proceset
integruese të kësaj?
Për ju Z. Zëvendës Kryeministër:
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar që do të pyesë qytetarët nëse duhet të ndahet Shqipëria nga
Maqedonia e Veriut. Do të ndodhë ky pyetësor para samitit të Qershorit, aty ku pritet një vendimmarrje
për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare apo do të ndodhë pas Qershorit?

Znj. Anna Luhrmann:
Ju faleminderit për pyetjen. Sikurse e theksova më parë, për ne është me një rëndësi thelbësore që të
mund të ecim sa më shpejt në këtë rrugë, në nisjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe
për Maqedoninë e Veriut, ne nuk dëshirojmë ta komplikojmë më tej edhe ta vonojmë më tej këtë
proces. Kemi marrë sinjale shumë pozitive edhe nga Bullgaria në këtë kontekst dhe do të vazhdojmë të
angazhohemi që të mund të gjejmë në një moment sa më të afërt të mundshëm edhe zgjidhjen më të
përshtatshme.

Z. Arben Ahmetaj:
Faleminderit. Përsa i përket pyetjes për konsultimin publik, konsultimi publik që ka nisur Kryeministri
Rama dhe qeveria shqiptare me publikun e gjerë për çështje nga më të ndryshmet, të rëndësisë apo të
sensitivitetit të veçantë, siç e theksova është një instrument i ri i tërheqjes së mendimit nga publiku i
gjerë në mënyrë që të na ndihmojë qoftë të reflektojmë qoftë edhe të marrim vendime. Faleminderit,
faleminderit për prezencën, faleminderit Ministre për gjithçka.