Zall-Herr, Tiranë – Familjet vazhdojnë të kthehen në shtëpitë tyre, pas fatkeqësisë së 26 nëntorit

  • Postuar më 24/12/2020

Numri i familjeve që vitin e ri 2021 do ta festojnë në shtëpitë e rindërtuara, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, sa vjen e shtohet.
Në fshatin Zallherr të Tiranës, së shpejti, bashkia do të nisë mbledhjen e kontenierëve, sepse familjet, të cilat kishin nevojë për to, po hyjnë njëra pas tjetrës në shtëpitë e reja, shumë herë më të mëdha, më sigurta dhe më të bukura se ato që humbën.

Familja prej 5 anëtarësh e Hiqmet Kodrës nga ky fshat mirëpriti sot Kryeministrin Rama, i cili së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzuan personalisht dokumentet e shtëpisë së re Hiqmetit, banesa e të cilit është rindërtuar  nga themelet, në një pozicion të veçantë mbi kodër.  “Ka shumë shtëpi të ndërtuara pas viteve ’90-të në të gjithë këtë sipërfaqen kodrinore. Sshtëpitë që kanë qenë në kreshtat e kodrave kanë qenë ato më problematiket. Në të gjithë Zallherrin, zona kodrinore ka qenë më e prekura.” – shprehet kryebashkiaku Veliaj.

Prenga është gruaja që ka zbritur në Zallherr nga Puka, shumë vite më parë. Ajo është goditur nga dy fatkeqësi, shkatërrimi i shtëpisë nga tërmeti e më pas, humbja e bashkëshortit, duke mbetur e vetme me tre djem. Për të shtëpia e re është gëzim dhe shpresë. Por jo vetëm për Prengën. Janë dhe shumë familje në Zallherr, banesat e të cilëve, janë në ndërtim e sipër dhe hyrja në shtëpitë e reja mbetet çështje ditësh.

***

Edhe familjet e Luan Kacelit dhe Alfred Kodrës në Zall Herr do ta gëzojnë Vitin e Ri në shtëpinë e re. Edhe për kēto familje si shumë të tjera në nisje të këtij procesi, siç thotë e bashkëshortja e Luanit teksa hap dyert e strehës së re, ishin shpresë thyer se do t’u rikthehej shtëpia jo vetëm e re, por edhe më e madhe. “Kur shkova për herë të parë për aplikimin, thashë është kot, po bëj dhe unë si tê tjerët. Por, kur doli emri dhe u bë dhe shtëpia, mu duk e pabesueshme”.

Muaj pas muaji, deri në pranverë do të jenë ndërtuar krejt banesat individuale në rrethinat e Tiranës.

“Ky ishte loti i parë me 47 shtëpi. Ndërkohë që marrin dokumentet, filllojmë dhe lotin tjetër me 200 shtëpi. Do t’i futemi me themel dhe brenda pranverës do kryejmë edhe këto të fundit. Loti II ishtë nga hapja e dytë e sistemit se ishte shumë mosbesuese në fillim. Nuk vinin të aplikonin se thonin kjo është kot. Në momentin që panë 47 të parat erdhën edhe 200 e ca të tjerë”, – shprehet kryebashkiaku Veliaj.