Vendimet e qeverisë,27 tetor

  • Postuar më 27/10/2021

Mirëserdhët,

Si zakonisht do të vijojmë të informojmë qytetarët për vendimet e Këshillit të Ministrave, vendime kryesisht që prekin qytetarët, prekin sipërmarrjen, prekin procese të rëndësishme të reja apo në vazhdim, apo lançojnë edhe reforma.

Unë dua të informoj publikun për një vendim shumë të rëndësishëm për rindërtimin. Sapo filloi procesi i kalimit të shkollave në pronësi të bashkive. Jemi duke folur për përfundimin e një numri të madh të shkollave të rindërtuara në procesin e rindërtimit, që i kalojnë qytetarëve, i kalojnë bashkive për administrim në vazhdim dhe për mirëmbajtje. Një lajm pra shumë i mirë. 

Së dyti dua të ndaj me qytetarët që ky muaj do të jetë një muaj shumë i rëndësishëm për procesin e rindërtimit për familjet e dëmtuara nga tërmeti i para dy viteve. Në vigjilje të dy-vjetorit të asaj ngjarje të rëndë, ne kemi procesuar për të kaluar në pronësi të plotë të qytetarëve dhe familjeve të dëmtuara, shtëpi individuale dhe apartamente në shumë territore të vendit. Pyetja si do të bëhet shpërndarja, ka dy korsi të rëndësishme: njëra është lista prioritare që vjen si rrjedhojë e Aktit Normativ Nr.9, ku trajtohen kryesisht familjet me ndihmë ekonomike, familjet me nëna kryefamiljare apo familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, pra ato që i jemi referuar si kategoritë prioritare dhe në nevojë. Për këto familje shpërndarja praktikisht bëhet menjëherë ndërsa për pjesën tjetër shpërndarja do të bëhet me short publik. Shorti do të bëhet i hapur, afër qendrave ku do të shpërndahen njësitë individuale dhe apartamentet dhe është detyrë dhe përgjegjësi e bashkisë përkatëse që të fillojnë të organizojnë shortet publike, transparente, për të shpërndarë banesat. 

Vetëm në periudhën mes datës 20-26 nëntor do ë shpërndahen gati 1050 apartamente dhe njësi individuale. Ndërkohë që deri tani janë shpërndarë vetëm nga FSHZH gati 1100 njësi individuale dhe janë dhënë gati 800 grante për banesat DS4 të dëmtuara nga tërmeti i dy viteve më parë.

Është një lajm i mirë për familjet, më në fund një pjesë shumë e madhe e tyre do të futet në shtëpitë e reja. Do ta vazhdojmë gjatë dhjetorit dhe gjatë gjithë muajve të vitit tjetër deri në fund të shtatorit, qoftë më shpërndarjen e njësive individuale, qoftë të apartamenteve në të gjithë territorin e dëmtuar ku zbatohet programi i Rindërtimit. Dhe sërish besojmë se deri në fund të shtatorit tjetër praktikisht do t’i kemi shpërndarë të gjitha apartamentet dhe njësitë individuale që po ndërtojmë në kuadër të rindërtimit.