Vendimet e qeverisë, “Short për shpërndarjen e apartamenteve të rindërtuara për familjet përfituese”

  • Postuar më 13/10/2021

Përshëndetje,

Do ndajmë si zakonisht informacionin për vendimet që mbledhja e sotme e qeverisë ka kaluar. Janë tre vendime që kanë të bëjnë me procesin e Rindërtimit. Dy nga vendimet praktikisht akordojnë fonde për Bashkinë e Tiranës për përshpejtimin e procesit të Rindërtimit qoftë tek 5 maji, qoftë në Kombinat, qoftë me infrastrukturën publike. Një vendim tjetër po kaq i rëndësishëm ka të bëjë me hapjen rrugës së shpronësimit me shkëmbim në bashkinë e Vorës për të njëjtën arsye, pra përshpejtimin e procesit të rindërtimit.

Dua të tërheq vëmendjen e qytetarëve për një vendim tejet të rëndësishëm sidomos për qytetarët në 11 bashkitë që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Vendimi ka të bëjë me mënyrën si do të shpërndahen njësitë individuale dhe apartamentet, duke filluar besoj nga 25 nëntori i këtij viti kur do kemi besoj pjesën e parë të shpërndarjes së apartamenteve.

Praktikisht, në vendim është përshkruar një mënyrë transparente e shpërndarjes së apartamenteve pasi kalon lista prioritare në bazë të ligjit.

Lista prioritare ka të bëjë me disa kategori në nevojë, që nga familjet me ndihmë ekonomike, familje me nëna kryefamiljare, me pensionistë të vetmuar, familjet e policëve të rënë në krye të detyrës etj. Ndërsa për pjesën tjetër të qytetarëve mënyra sesi do të shpërndahen apartamentet do të jetë me short publik, transparent që do të zhvillohen nga njësitë vendore, pra një short publik. Që do të thotë që qytetarët që do të përfitojnë apartamente apo njësi individuale do të jenë përballë shortit publik ku do të përputhet vlerësimi i shpërblimit për ta me apartamentet e ndërtuara kohë pas kohe. Të gjitha familjet do të jenë përballë një procesi shumë transparent dhe publik, në mënyrë që asnjë nga qytetarët të mos vendosë pikëpyetje për procesin, por përkundrazi duke parë transparencë dhe mënyrën e shortimit të jetë i bindur që ka marrë atë që i takon.