Vendimet e qeverisë, 6 tetor. Zëvendëskryeministri sqaron masat për adresimin e situatës energjetike

  • Postuar më 06/10/2021

Mirëdita,

Siç tashmë është traditë prej disa Mbledhjesh, anëtarët e Kabinetit do të vijojnë të informojnë publikun dhe qytetarët për vendimet e marra në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Dua të filloj me një informacion sa i përket situatës energjetike në vend. Unë sot kam bërë një informim të anëtarëve të Kabinetit mbi situatën energjetike në vend. Sigurisht kjo është konsekuencë e situatës dhe krizës energjetike globale. Ne fatmirësisht kemi zgjedhur 30 vite më parë të jemi një ekonomi tregu ku ekonomia e hapur influencohet drejtpërsëdrejti nga lëvizjet globale të çmimeve të mallrave apo shërbimeve, e sidomos për mallra të cilat janë të kuotuara në bursa, apo mallra të cilat janë drejtpërsëdrejti të lidhura edhe me prodhimin dhe me nevojat për import siç është energjia elektrike.

Ju tashmë e keni dëgjuar se çfarë është duke ndodhur në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike, një kombinim tërësor faktorësh gjeopolitikë por dhe komercial, që përfshijnë që nga shtimi i kërkesës për energji për shkak të ringritjeve ekonomike pothuajse në të gjithë botën, por sidomos në ekonomi të mëdha të industrializuara si Kina; sjellja e Rusisë që është gjithashtu brenda karakterit gjeopolitik, të çmimit të gazit; apo të furnizimit me energji nga eolikët që është më e ulëta në 20 vite; apo një faktor tjetër i de-komisionimit të centraleve të karbonit në Gjermani apo Spanjë, çmimet lëvizin në vazhdimësi ditë për ditë. Për shembull, sot Spanja e ka çmimin e MWh 260 euro. Gjermania, e njëjta gjë. Dhe ndërkohë një pjesë e mirë e vendeve e kanë transferuar koston tek konsumatorët.

Kryeministri ka ngritur një grup ndër-institucional të cilin e drejton vetë minutë pas minute, për të menaxhuar, monitoruar, çdo moment ecurinë e situatës energjetike dhe unë do t’i referohem asaj që Kryeministri ka thënë përpara disa ditësh që vala e çmimeve ndërkombëtare sigurisht që prek edhe brigjet e Shqipërisë, por ne jemi të bindur, të gatshëm, që të mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.

Dua ta ndaj këtë me qytetarët, shumë shpejt brenda javës, Kryeministri do të shpalosë vetë masat e mbrojtjes për qytetarët dhe biznesin e vogël, por në nevojë të informimit publik dhe të qetësimit të konsumatorëve familjare dhe biznesit të vogël, ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë këto kategori nga kriza energjetike, nga rritja e çmimeve dhe nga rritja e kostove për shkak të këtyre çmimeve.

Në të njëjtën kohë, dua të ndaj me ju që Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanitë janë duke punuar brenda grupit ndërinstitucional çdo minutë për të garantuar furnizimin të pandërprerë të energjisë dhe akses në tregun ndërkombëtar për të arritur për të blerë energji në mënyrë të vazhdueshme, gjeq ë sigurisht është e garantuar dhe siç e  theksova familjarët dhe biznesi i vogël do të vazhdojnë të mbrohen nga situata emergjente, nga kriza energjetike.

Kjo ishte pjesa e parë e informacionit që desha të ndaja me ju.

Ministrat do t’ju komunikojnë vendimet e tjera sipas fushave të përgjegjësisë.