
Përshëndetje, faleminderit për prezencën,
Vazhdojmë si në traditën e konsoliduar tashmë të ndarjes me qytetarët informacion për
vendimet e qeverisë. Unë do fokusohem tek vendimet për programin dhe procesin e
rindërtimit. Janë një sërë vendimesh të cilat, përpos se financojnë rindërtim të pallateve
apo ndërtim të njësive individuale në disa bashki pra, Durrës, Shijak, Kavajë, Krujë dhe
më tej, në të njëjtën kohë konfirmojnë edhe përfundimin me faza të programit të
ndërtimit të objekteve arsimore.
Një seri objektesh arsimore janë duke iu transferuar, tashmë të përfunduara, njësive
vendore në administrim, në funksion të procesit arsimor, ndërkohë statistika e
rëndësishme është që po ndërtojmë 167 shkolla, vetëm në Tiranë po ndërtohen 37
shkolla, më shumë se çfarë janë ndërtuar në 20 vitet e fundit. Gjithashtu numri prej 167
shkollash në të gjithë zonën e dëmtuar nga tërmeti është një numër rekord dhe shuma
në programin e rindërtimit në të gjitha vitet, pra në ato që kanë kaluar dhe besoj në 1vit
e gjysmë në vazhdim, por 1vit e gjysmë në vazhdim vetëm për financimin,
presupozohet të shkojë në 1.2 miliardë dollarë, gati-gati e përputhur edhe me vlerësimin
që kanë bërë njësitë ndërkombëtare për dëmin e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.
Në të njëjtën kohë, dua të ndaj më qytetarët, kam një informacion qoftë për gazetarët
qoftë për qytetarët për pjesëmarrjen e kompanive në procesin e rindërtimit.
Dua të theksoj dy elementë specifikë përsa i përket programit të rindërtimit: është
programi i investimeve publike më social që ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe
indirekt gjysmë milioni qytetarë dhe në të njëjtën kohë është programi i investimeve
publike që ka pjesëmarrjen më të gjerë të kompanive në të gjitha fazat e veta që nga
projektimi, supervizioni dhe ndërtimi dhe janë vetëm tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, 137
kompani që marrin pjesë, në normalitet.
Mënyra se si janë shpërndarë fondet në njësitë zbatuese është në bazë të një
transparence që fillon që nga momenti i planifikimit të buxhetit dhe deri tek vendimet e
qeverisë për projektet dhe për njësitë zbatuese dhe siç e theksova, nuk ka asnjë
program të investimeve publike që të ketë pjesëmarrje kaq të gjerë të kompanive,
kryesisht shqiptare. Vetëm Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka pjesëmarrjen e 137 kompanive
dhe në bashkinë e Tiranës që është një njësi zbatuese më vetë, shkojnë gati 190
kompani pjesëmarrëse në procesin e rindërtimit.
Siç e theksova, jam i bindur që ky është projekti i investimeve publike, unik, më social,
me efekte të drejtpërdrejta tek gati gjysmë milionë qytetarë shqiptarë, pra të
drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta dhe në të njëjtën kohë unë besoj, me atë
eksperiencë që kam, nuk besoj që do ketë një program tjetër të investimeve publike me
këtë pjesëmarrje kaq të gjerë të kompanive shqiptare në këtë proces.
Dua të ndaj gjithashtu me qytetarët që në shumicën e bashkive të dëmtuara, jemi
pothuajse në përfundim të proceseve të rindërtimit, 2 zonat që do të vazhdojnë përtej
vjeshtës, janë Kombinati dhe 5 Maji për ato arsye që kanë të bëjnë me sqarimin në
vazhdim të pronësive, të shpronësimit apo edhe të problemeve që kanë dalë për shkak
të proceseve të ndryshme që nga proceset gjyqësore dhe deri tek proceset e vlerësimit.
Faleminderit!