Thumana e rilindur pas tërmetit, në fazën e fundit të ndërtimit 278 apartamente dhe 155 banesa individuale

  • Postuar më 28/04/2021

Një lagje e re, 278 apartamente dhe 155 njësi individuale në Thumanë po zënë vendin e
gërmadhave dhe shkatërrimit që la pas tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Ndërsa punimet kanë hyrë tashmë në fazën e tyre përfundimtarë, Kryeministri Rama, i shoqëruar
nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi janë
rikthyer sot për të inspektuar nga afër zonën e re rezidenciale.
“Thumana po bëhet model urban”, deklaroi Kryeministri, ndërsa vlerësoi ritmin me të cilën po ecin
punimet.
“Rindërtimi ka ecur në të gjithë territorin. Ka ecur këtu, në Fushë-Krujë, në Lezhë”, – u shpreh
Ministri Ahmetaj, ndërsa sqaroi se në godinat e reja të banimit, katet e para janë të dedikuara për
njësitë e shërbimit, ku një pjesë e tyre do t’u dorëzohen atyre që i humbën ato nga tërmeti.
“Një pjesë e atyre që kanë pasur ambiente shërbimi ekonomik, i marrin këtu. Ato ambiente që
mbeten, i marr bashkia”, – tha Ahmetaj.
Në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti, banorët që humbën shtëpitë e tyre po kthehen ditë pas
dite në shtëpi të reja, më të mira, më të sigurta e me të bukura, por edhe në lagje të reja model, me
shërbime dhe infrastrukturë të standardeve europiane.