
Thumana e re po merr formë ditë pas dite me punë të pandalur, për të fshirë nga kujtesa e qytetit atë natë të tmerrshme të 26 nëntorit ku shumë qytetar humbën banesat e tyre dhe disa edhe të afërmit e tyre. Sot, Thumana është një qytet i tëri në kantier për ti dhënë banorëve të saj mundësinë për t’ju rikthyer jetës në një qytet që u ofron gjithçka të nevojshme për një jetesë të denjë, njësoj si çdo qytet europian.
Kryeministri Rama bashkë me Behgjet Pacollin, i cili përmes fondacioni të tij do të japë kontribut në ndërtimin e njërës prej 14 godinave të banimit, ishin në Thumanë ku panë punimet jo vetëm të infrastrukturës lidhëse të godinave të banimit por edhe të shtëpive individuale dhe shkollave.
Kreu i qeverisë i prezantoi punën e bërë deri më tani në Thumanë mikut të tij Pacolli. “Gjithë hapësira ku do ndërtohet është trajtuar në fillim me shtresa sepse ishte zonë kënetore dhe kishte nevojë për konsolidim me ato shtresat e posatshme. Pastaj janë hapur të gjitha kanalet për të vendosur sistemet e ujësjellësit, të kanalizimeve të energjisë e të tjerat. Pastaj ka filluar puna me banesat individuale. Ka në gjithë zonën hapësira të gjelbërta dhe një park qendror në mes dhe në pjesën këtej do ndërtohen pallatet”, – u shpreh Rama.
Rindërtimit i Thumanës ka hyrë tanimë në fazën e vet përfundimtare dhe në vjeshtë do të jetë realiteti i ri i një zone të goditur fort nga fatkeqësia natyrore ndërkohë që Pacolli e përgëzoi Kryeministrin për punën ë e bërë deri më tani në Thumanë. “Së pari ju përgëzoj për punën profesionale që keni bërë. Ka qenë me rëndësi që përgatitja të jetë sa më e mirë. Tani e shoh që çdo gjë është gati, rrugët janë përgatitur, ka mbetur vetëm të shtrohet asfaltit kur gjithçka të mbarojë. Fjala është për një kompleks, çdo ndërtesë ka 2700 metra katror, janë rreth 18 apartamente për ndërtesë me një hapësirë mesatare prej mbi 100 metra katror. Mund të them që këtu nuk bëhet fjalë për banim social por për banim luksoz. Nuk diskutohet që do ketë çdo shërbim publik”, – tha Pacolli teksa nuk ngurroi të shtojë se Thumana “do të jetë një qendër moderne dhe duke parë hapësirat përreth besoj që do jetë një qytet shumë i bukur në Shqipëri”.
Një zgjidhje pritet ti jepet edhe hyrjes, e cila do bëhet një pikë qendrore që do hyhet e do dilet lirisht, në një lagje qyteti të ri. Procesi i rindërtimit, jo vetëm në Thumanë por në çdo zonë të prekur nga tragjedia ka ecur me ritme të shpejta, 1/3 e çdo procesi tjetër normal administrativ. “Nëse një proces i zakonshëm ndodh për 30 ditë, rindërtimi ka ndodhur për 10 ditë”, – theksoi ministri Ahemtaj.
“Tragjedia është e madhe por është dhe një mundësi pastaj për tu ngritur më fort dhe ajo që kemi dashur të bëjmë dhe besoj po bëjmë është që njerëzve, nuk jua kthejmë dot fatkeqësisht të humbur por ama kur ti japim çelësin e shtëpisë ti bëjmë të ndihen jashtëzakonisht mirë, të jetojnë në një ambient më të mirë, të shkojnë në apartamente që siç e the nuk janë banesa sociale por në rastin konkret janë mesatarisht standarde të larta dhe të ndihen realisht të respektuar dhe të ndihen të përfshirë në rrugën e zhvillimit. Natyrisht që të gjitha këtu sjellin një rritje të vlerës së tokës, një rritje të vlerës së pasurisë edhe të këtyre që janë rreth e rrotull”, – nënvizoi Kryeministri Rama.