Të tjera familje hyjnë në banesat e reja në Shijak

  • Postuar më 03/02/2021

Shtatë banesa të tjera individuale nga Programi i Rindërtimit kanë përfunduar në fshatin Gjepalaj të Shijakut. Kryeministri Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimit, Arben Ahmetaj u dorëzuan çelësat familjeve që hynë në shtëpitë e reja, më të mëdha e më të forta se ato që humbën.

“Vetëm në njësinë administrative Gjepalaj, sot kanë përfunduar 18 banesa individuale, ndërsa vetëm në fshatin Gjepalaj janë 7 banesa të përfunduara”, – tha Kryetari i Bashkisë Elton Arbana, teksa vizituan shtëpinē e Zotit Ali Laçi, i cili ka marrë një banesë të re 120 metra katrorë. “Familja ka patur një banesë të vjetër 50 metra katrorë dhe sot, për shkak se janë 7 persona, përfitojnë një banesë 120 metra katrorë, 3+1”, – tha Arbana.

“Ta gëzoni shtëpinë e re! Më e keqja iku, tani më e mira është përpara”, – ishte urimi i Kryeministrit për familjarët. Teksa mikpritën Kryeministrin në shtëpitë e reja, banorët pranuan se shumë prej tyre ishin mosbesues nëse do të merrnin vërtetë një shtëpi të re.

Një tjetër familje me 7 persona, pas familjes së Ali Laçit, mori sot çelësat e shtëpisë së re. “Nga Programi i Rindërtimit ka përfituar një banesë individuale 3+1, 120 metra katrorë, ndërsa banesa e vjetër ka qenë 90 metra katrorë. Sipas sistemit të pikëzimit që kemi miratuar, familja ka një pensionist dhe në këtë lagje është një nga shtëpitë e para që ka nisur”, – u shpreh Arbana, ndërsa shtoi se “sipas sistemit të pikëzimit, banesat e para që kemi nisur në Bashkinë e Shijakut janë banesat e personave të vetmuar, që janë pensionistë apo nëna me shumë fëmijë”.

Paralelisht me rindërtimin e shtëpive, në fshatin Gjepalaj do të nisë edhe investimi për rrjetin e ri të ujësjellësit, për të garantuar furnizim me ujë për banorët 24 orë. “Këtu do fillojmë investimin me ujësjellësin për gjithë zonën. E kemi nxjerrë fondin vjet, janë bërë procedurat, projekti e të gjitha, kështu që do keni edhe ujë 24 orë. Sigurisht do rregullohen edhe rrugët. Ndërsa për energjinë elektrike vazhdojnë investimet se rrjeti është një tmerr, nuk ishte investuar që në kohën e elektrifikimit, por vazhdojmë”, – nënvizoi Kryeministri Rama.