Shkolla “Ramazan Subashi”, një ndër shkollat më të mira të Programit të Rindërtimit

  • Postuar më 03/12/2020

Shkolla e re “Ramazan Subashi”, në Marikaj, Vorë, vjen si një surprizë e bukur për qytezën, por jo vetëm. E cilësuar si një ndër shkollat më të mira të Programit të Rindërtimit, ajo është e bazuar në një projekt inxhinierik fantastik, me 9 klasa, 3 laboratorë, klasat e parashkollorit dhe ambientet teknike, rreth 4 mijë metër katrorë ndërtim dhe mbi 9 mijë metër katrorë sipërfaqe të jashtme oborri, palestra me konstruksion të veçantë, fushat sportive dhe sera, një risi që i përshtatet profilit të zonës, por edhe funksionit si qendër komunitare.

“Shkollë, 100% BE” e vlerësoi Kryeministri Rama, gjatë vizitës që zhvilloi pasditen e sotme, në mjediset moderne të shkollës.

“Është cilësuar në bazë të projektit si shkolla më e mirë e Rindërtimit, ku do të presë rreth 250 nxënës. Ka filluar në 9 qershor dhe ka mbaruar përpara afatit. Ndërkohë që ka një ndërthurje shumë interesante të ambienteve të brendshme sportive dhe ambienteve të jashtme. Kanë ndërtuar edhe një serë, në bashkëpunim me FSHZH-në, për t’ju përshtatur zonës, pasi një pjesë e mirë e zonës jeton me pemtari, me vreshtari, apo dhe me bujqësi të përgjithshme. Ambientet janë realisht të mëdha dhe shumë moderne”, – u shpreh Ministri Ahmetaj.

Kryeministri Rama kërkoi nga drejtuesit që të shfrytëzojnë në maksimum kapacitetin që ky institucion arsimor ofron, jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin. “Ju takon juve – u shpreh Kryeministri, – ta mirëmbani, ta vini në dispozicion të komunitetit, të organizoni aktivitete në të gjithë këto mjedise sportive që keni”.