Shkolla “Kajo Karafili”, një tjetër pasqyrë e vizionit të Programit të Rindërtimit

  • Postuar më 15/12/2020

Për fëmijët dhe të rinjtë e Shijakut, Shkolla e Mesme e Bashkuar “ Kajo Karafili” vjen si një mundësi e re në rrugën e bukur dhe sfiduese të dijes. E rindërtuar në kohë rekord, pas tërmetit shkatërrimtar, shkolla e re është rikthyer më e madhe, më e fortë dhe më e bukur tek nxënësit, që nxit edhe më shumë dëshirën për të mësuar në mjediset bashkohore e moderne, të njëjta me çdo shkollë europiane.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë për ndërtimin e shkollës së re, – e cilësuar si një nga shkollat më të bukura nga pikëpamja arkitektonike, – gjatë vizitës që bëri sot pasdite në Shijak.

“Ka rreth 370 nxënës dhe fëmijë në parashkollor, 15 klasa, një palestër dhe nga ana e arkitekturës, funksionalitetit është një nga shkollat më të bukura”, – u shpreh ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana shpjegoi ndër të tjera se shkolla “ka 3 laboratorë, fizike, kimie, biologjie. Janë 3 mijë metra katrorë. 150 ditë janë dashur për të ndërtuar këtë shkollë, që nga dita e parë që është bërë demolimi i saj. Klasat janë përshtatur sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë.”

Ai shtoi ndër të tjera se “në Shijak janë edhe dy shkolla që përfundojnë brenda kësaj jave”

Shkolla e rilindur “Kajo Karafili”, është një tjetër pasqyrë e vizionit dhe ambicies së qeverisë  për ta kthyer tragjedinë e 26 nëntorit të vjetshëm, në një fillim të ri për fëmijët, mësuesit, komunitetin.