Shijak – Familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, po i rikthehen jetës normale në shtëpitë e reja

  • Postuar më 19/12/2020

Në Bashkinë e Shijakut, familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit të kaluar, po i rikthehen përfundimisht jetës normale në shtëpitë e rindërtuara nga themelet, shumë më të mëdha, më të sigurta dhe më të bukura se ato që u rrënuan.

Disa prej familjeve shijakase mikpritën sot, në banesën e re, Kryeministrin Edi Rama, i cili ju dorëzoi personalisht çelësat dhe vizitoi ambientet e brendshme të shtëpive.

Xhevdet Mema është kryefamiljari i parë, që çeli dyert e banesës së re prej 84 metrash katrorë, në njësinë administrative Xhafzotaj. Së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij, ai ka përfituar nga Programi i Rindërtimit një banesë 2+1, ndërkohë që banesa e mëparshme ishte 70 metra katrorë. “Këtu jemi në njësinë administrative Xhafzotaj. Vetëm këtu po ndërtohen 5 banesa individuale nga 567 që po ndërtohen në gjithë bashkinë e madhe të Shijakut dhe të 5 banesat individuale kanë përfunduar në këtë lagje”, – shprehet kryetari i Bashkisë Elton Arbana.

“Jam shumë e kënaqur, – thotë e zonja e shtëpisë. – Ju falenderojmë nga zemra. Nuk ka të krahasuar me shtëpinë e vjetër. Falenderojmë edhe të gjithë ata që kanë punuar këtu.”

Shtëpia tjetër është e zonjës Naxhie Varaku, një familje e përbërë prej katër personash, përfituese nga Programi i Rindërtimit i një banese individuale 2+1. Edhe kjo familje është trajtuar me bonus qeraje nga dita e parë e rënies së tërmetit, deri në momentin e hyrjes në banesën e re.

“Ju faleminderit. Ja kthyet buzëqeshjen gjithë këtyre njerëzve, – shprehet një prej familjarëve pasi takon Kryeministrin Rama.

Të shkuara, të haruara – thotë Kryeministri Rama – teksa hyn në shtëpinë e re. Më e keqja iku, të mirën e kemi përpara.

Një banesë tjetër individuale, e cila ka përfunduar është ajo e Zotit Dritan Mema, e përbërë nga 5 persona, i cili ka përfituar nga Programi I Rindërtimit një banesë individuale 3+1, me një sipërfaqe 120 metra katrorë, që ka zëvendësuar banesën e vjetër vetëm 70 metra katrorë.

Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana u shpreh se është punuar me orare të zgjatura për të mbajtur premtimin që brenda muajit dhjetor të përfundohen të gjitha banesat individuale në Bashkinë e Shijakut. “Shtëpitë janë drejt përfundimit. Ne kemi punuar me orë të zgjatura deri në 2 apo 3 të mëngjesit me qëllimin e vetëm që të kapim afatet për të cilat jemi zotuar që brenda dhjetorit të 2020, të gjitha banesat individuale që janë nisur në Bashkinë e Shijakut të jenë të përfunduara. Gjithashtu 85 familje që kanë shprehur dëshirën për të përfituar nga granti i këtyre banesave, ministria e Rindërtimit ka dhene edhe fondin për këto familje. Janë 85 familje që nuk kanë ndërtuar shtëpitë, por kanë kërkuar fondin, për shkak të terrenit që ato kanë tek të cilat nuk implementohej projekti tip që është bërë në Bashkinë e Shijakut,”- tha kryebashkiaku Arbana.

Më pas, vjen familja e Zotit Flamur Hoxha, e përbërë nga 7 persona, përfituese e një banese 3+ 1. Ndërkohë që, – sipas Kryetarit të Bashkisë Arbana, – të gjitha banesat e kësaj zone kanë qenë banesa tip nga 75, 80 metra katrorë dhe sot janë 120 metra katrorë.

Banesa e fundit në këtë lagje, e ringritur nga themelet falë Programit të Rindërtimit, është ajo e Zotit Festim Bajraktari, një familje e ardhur nga Dibra.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe Kryetari I Bashkisë së Shijakut Elton Arbana  vijuan vizitën në një lagje tjetër të Shijakut, për të dorëzuar çelësat e banesave të reja.

Vizita e parë ishte ajo në shtëpinë e banorit Xhevdet Balla, e përbërë nga 5 persona dhe përfituese e një hapësire 3+1.

Familje tjetër është ajo e Zotit Hamdi Plaku, familje e përbërë prej 6 personash, përfituese e një banese prej 120 metrash katrorë, nga 86 metra katrorë që ishte banesa e shkatërruar nga tërmeti.

Në po të njëjtën rrugë janë dhe dy banesa individuale, ajo e familjes Qenam Bubeqi, e përbërë prej 3 personash. Shtëpia e vjetër ka qënë 61 metër katrorë. Sot kanë një shtëpi më të madhe, më të mirë , më të sigurtë dhe antisizmike. Ndërsa familja tjetër është ajo e Zotit Petrit Voci, e përbërë prej 2 personash, përfituese nga programi i rindërtimit i një banese 1+1.

Duke ndjekur këto ritme, deri në natën e Krishtlindjeve nuk do të ketë më asnjë familje në çadër në Bashkinë e Shijakut.