Rindërtimi, pranë mbylljes loti i parë i banesave individuale në Tiranë

  • Postuar më 03/11/2020

Në fshatin Pezë të Tiranës, kantieret e rindërtimit të banesave individuale po mbyllen dita-ditës, duke iu dhuruar banorëve shtëpitë e ëndërruara, më të forta, më të mëdha dhe më të sigurta se më parë. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Pezë, aty ku 90 familje që humbën strehën në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar, po rinisin një jetë të re.

Shtëpia e Xhevdetit, një prej banorëve të zonës, është thuajse në përfundim. E rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm i natyrës, kjo ndërtesë e re, 3+1, do të jetë gati para fundit të vitit. “Kremi ecur shumë mirë. Është po tek i njëjti vend, me një pamje fantastike, me një ballkon mbi luginën e Erzenit. Është ndërtim 3+1 për të akomoduar të tre gjeneratat në shtëpi. Kemi 34 shtëpi në këtë lot. Ndërsa në të gjithë territorin kemi kaluar 90 dosje,” – shpjegoi Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

“Kjo është një periudhë e vështirë, por do të mbarojë. Për vit të ri jeni në shtëpi. Pak por e sigurt,” – u  shpreh Kryeministri, ndërsa takoi kryefamiljarin, i cili ka mundësinë t’i ndjekë vetë punimet.

Ndërsa Ruzhdi Kalaja është një tjetër banor i zonës, i cili mikpriti Kryeministrin në banesën e re, shumë herë më të madhe se e mëparshmja.

“Ju falënderojmë shumë. Ku ishim e ku jemi. Nuk e imagjinojmë dot!” – shprehet e zonja e shtëpisë, duke falënderuar në mënyrë të veçantë për interesimin e posaçëm që morën gjatë kohës që ndërtohej shtëpia.  “Këtu jemi në nja nga rastet kur shtëpia e vjetër ka qenë në terren të rrëshqitshëm dhe e kemi spostuar në një terren më të qëndrueshëm. Me të mbaruar këtë lot fillojmë me paketën tjetër që janë mbi 50 shtëpi dhe i gjithë ky lot përfundon para fundit të nëntorit. Pastaj fillojmë me lotin tjetër për vit të ti,” – u shpreh Kryetari i Bashkisë Veliaj.