Rindërtimi, kantieri më i madh i punës në 30 vjet! Çdo familje që humbi shtëpinë, do të marrë një të re falas!

  • Postuar më 05/03/2021

RINDËRTIMI NUK NDALET – FJALA E MINISTRIT AHMETAJ

Sot jemi 15 muaj nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të viti 2019 që goditi Shqipërinë; një vit
pas Konferencës së Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë” dhe pak më shumë se një vit larg nga
finalizimi i procesit të Rindërtimit.
Është një premtim që jua kemi bërë qytetarëve çdo ditë. Do të jetë një tjetër fjalë e mbajtur:
Në pranverë 2022 nuk do të ketë më asnjë shenjë të tërmetit në të gjithë territorin e
dëmtuar në 11 bashki.

Një vit pas tërmetit:
Besoj shumëkush i ka ende para syve pamjet e dhimbshme të ditës së parë, me ekipet e kërkim-
shpëtimit, përpjekjet e koordinuara edhe falë mbështetjes së miqve të vendit tonë për të shpëtuar
jetë njerëzore, dislokimin e familjeve të prekura në strukturat e përkohshme të strehimit dhe
vlerësimet e para të banesave, godinave, objekteve të dëmtuara.
Po shihnim më qartë atë që kish ndodhur teksa davaritej pluhuri i godinave të rrëzuara dhe ishte
përherë e më e qartë për ne ajo që do të duhet të vinte më pas:
Asnjë qytetar nuk do të mbetej vetëm!
Po, shumëkush e ka parë me dyshim, me paragjykim madje, atë që do të bënim me procesin e
Rindërtimit. Diku-diku me të drejtë, sepse ishte një proces që po niste nga zero, në aspektin
ligjor, teknik, procedurial, financiar por mbi të gjitha në atë njerëzor, si do të trajtoheshin
familjet e dëmtuara.
Nga ana tjetër, eksperienca e vendeve të tjera flet për procese rindërtimi pas tërmetit që zgjasin
me vite të tërë, ndërsa njerëzit, familjet, presin për t’iu rikthyer jetës normale.
L’Aquila në Itali, u godit në prill 2009 nga një tërmet 6.3 ballë, ku u dëmtuan rreth 10 mijë
objekte. 8 vite pas tërmetit, qendra e qytetit ishte ende në ndërtim e sipër. Sipas zyrës së posaçme
për Rindërtimin, punimet pritet të mbarojnë në vitin 2023, pra 14 vite pas goditjes.
Nepali, një rast ku referohen shumë studime, u godit në Prill 2015 nga një tërmet 7.8 ballë që u
pasua më tej nga një tjetër me magnitudë 7.3. Në vitin 2019, katër vite pas tërmetit, një pjesë e
madhe e familjeve që humbën shtëpitë, ishin ende të pastreha.
Në 2005, Kashmiri u godit nga një tërmet i fortë shkatërrues. 14 vite më pas, në 2019,
raportoheshin ende një numër i konsiderueshëm familjesh në pritje për t’u strehuar.
Në Kili, rindërtimi pas tërmetit të shkurtit 2010, zgjati 5 vite. Qeveria aty pranoi se nuk ishte në
gjendje të rindërtonte gjithçka. Programi me bashkëfinancim nga qeveria qendrore dhe ajo
lokale, parashikoi ndërtimin e banesave sociale vetëm 40 m2, me vlerë vetëm 10 mijë dollarë.

Jo rastësisht iu referova eksperiencës së vendeve të tjera: së pari, sepse ne e mirëkuptojmë
padurimin dhe ankthin e familjeve që një vit pas tërmetit, janë ende në pritje të shtëpisë së re.
Së dyti, për të nënvizuar atë që me modesti, por me krenari e themi shpesh: ne nuk jemi një
vend i pasur, por ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë nga e para çdo shtëpi të shembur
nga tërmeti. Dhe falas.
Brenda një viti:
 Nga 11 mijë familje të strehuara në çadra në dhjetor 2019, sot kemi vetëm diku tek 600 të
tilla;
 Nga 6400 familje me bonus qiraje në dhjetor 2019, sot kemi dyfishin e familjeve me
bonus qiraje;
 Mbi 70 mijë subjekte kanë aplikuar në platformën online “Shtëpia Ime” për të përfituar
nga programet e Rindërtimit;
 Janë mbi 27 mijë vlerësime në objekte nga Instituti i Ndërtimit, një punë kolosale.
 Kemi një kuadër të ri ligjor me mbi 170 akte që rregullon procesin e rindërtimit dhe
rimëkëmbjes pas fatkeqësive natyrore, që mbi të gjitha, ka vendosur një herë e mirë një
standard të ri të ndërtimit, sipas kritereve të Eurocode 8, rezistencës ndaj tërmetit dhe
sigurisë e cilësisë në ndërtim, por edhe me parimet e “Building Back Better”, që
garantojnë akomodim të përshtatshëm për familjet, akses të garantuar në shërbime dhe
infrastrukturë publike, eficencë energjetike, plotësimin e të gjitha kushteve të sigurisë në
rastet e emergjencave etj.
 Rindërtimi është sot aktiv dhe në një fazë tejet të avancuar në të katër programet e tij:
Banesat individuale dhe pallatet, infrastruktura publike, grantet e rikonstruksionit dhe
objektet arsimore.
 Pallatet kanë filluar në Tiranë, Durrës, Kurbin, Thumanë, Lezhë, Fushë Krujë , Golem.

Një vit pas Konferencës së Donatorëve:
Menjëherë pas tërmetit, ekipi i përbashkët i Komisionit Europian, Bankës Botërore dhe
Kombeve të Bashkuara filloi punën për vlerësimin financiar të dëmeve, që u finalizua nëse e
mbani mend me raportin e PDNA në 4 shkurt 2020. 1,1 miliardë euro dëme, nga të cilat më
shumë se gjysma në strehim, e pjesa tjetër në objekte arsimore, objekte publike, infrastrukturë
dhe ekonomi.
Konferenca e Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel, e organizuar nga Komisioni Europian në
ndihmë të Shqipërisë, mobilizoi një solidaritet të paparë ndonjëherë dhe mbështetje të
rëndësishme për vendin tonë, në vlerën e 1.15 miliardë euro. Më thoni, në çfarë vendi, për çfarë
vendi do të kishte ndodhur kjo, nëse miqtë tanë nuk do të kishin, nuk do të kenë besim tek
qeveria që ka marrë përsipër atë barrë të rëndë. Ne garantuam 295 milionë euro grante dhe mbi
850 milionë euro kredi, nga 50 vende pjesëmarrëse.

Sot ne kemi arritur të tërheqim 100% të granteve të premtuara në Konferencën e
Donatorëve.
Kemi një përgëzimin e Komisionit Europian dhe donatorët për shpejtësinë e tërheqjes së
donacioneve. Janë 300 mln euro në projekte dhe transferta buxhetore./
Duke nisur nga qershori 2020 deri në janar 2021, kemi nënshkruar të gjitha marrëveshjet e
grantit, 18 të tilla, për zbatimin e 32 projekteve konkrete të financuara nga donatorët dhe në
zbatim nga agjencitë e tyre, e theksoj në zbatim nga agjencitë e tyre. Donatorët i bëjnë vetë
procedurat nga A tek ZH. . Ju i keni parë, qeveria turke po vijon ndërtimin në Kurbin. Bashkimi
Europian po vijon ndërtimin e shkollave së bashku me ne. Qeveria zviceriane ka mbështetur
familjet në Shijak dhe Kurbin me grante. E kështu me radhë, të gjithë donatorët.
Jemi në proces për 250 mln euro kredi të buta, nga të cilat 60 mln nga qeveria franceze për
ujësjellësin e Durrësit; e mbani mend ju të nderuar qytetarë të Durrësit gangrenën e ujit që po
merr zgjidhje 24 orë. 100 mln euro nga Banka Europiane e Investimeve për projektin e banesave
sociale, e programit që do ta shpalosim javën që vjen. dhe 90 mln euro nga qeveria italianë në tre
sektorë: bujqësi, flotën e emergjencave civile dhe energji.
Të gjitha familjet që mbetën pa shtëpi, do të marrin një të re, më të mirë, më të fortë, më të bukur
dhe falas, që t’ia trashëgojnë brezave, ta shesin, ta gëzojnë me të drejta të plota që i takon një
qytetari të shijojë pronën e tij.
Rindërtimi, është një program unik, tërësisht social, me në qendër qytetarët. Janë rreth 45
mijë familje që përfitojnë drejtpërsëdrejti nga ky program, në 11 bashkitë e zonës së
dëmtuar.

Rreth një vit nga finalizimi i procesit të Rindërtimit:
Sot e gjithë zona e dëmtuar nga tërmeti në 11 bashki, është kantier pune.
Ne kemi vendosur 62 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në funksion të Programit të Rindërtimit.
Sot punohet në 3100 kantierë shkollash, çerdhesh e kopshtesh, qendrash shëndetësore e spitalesh,
shtëpish individuale dhe pallatesh, lagjesh të reja dhe infrastrukturë. Me mbi 24 mijë punëtorë e
rreth 450 kompani, Rindërtimi është kantieri më i madh i punës në këto 30 vite!
Nga programi i Rindërtimit përfitojnë rreth 45 mijë familje:
 33,438 familje kanë përfituar grante cash rikonstruksioni dhe rindërtimi 12,7 mld lekë,
ose 127 milionë dollarë:
● Rreth 5000 familje do të marrin banesa të reja individuale, të cilat do të përfundojnë
brenda vitit 2021;
● 12 mijë familje do të strehohen në apartamente në lagjet e reja, që do të jenë ndërtuar
brenda pranverës 2022;

● 28 kantierë të rinj të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën
2022, në shërbim të 500 mijë banorëve.
● 160 objekte arsimore do të kenë përfunduar brenda pranverës 2022. I keni parë shkollat,
spektakolare! Jo thjesht Eurocode, por moderne, që afrojnë infrastrukturë të ngrohtë,
miqësore, edukative, të sigurt, më të bukur, më të fortë, për fëmijët.
Në fund ju siguroj sërish së në pranverën 2022, në çdo gjurmë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 do të
jetë fshirë. Shqipëria do të ketë rilindur në ato zona ku u dëmtua në një shkollë, kopësht a çerdhe,
një rrugë a një spital, shtëpi, një pallat, një lagje e re moderne, ndërtuar më mirë, më bukur, më
fort.
E mbi të gjitha, do të ketë rilindur tek ato zemra, tek ato, sy tek ato mendje njerëzish që
përfitojnë dhe do të përfitojnë nga programi i Rindërtimit një shtëpi, një apartament falas, një
shkollë të re për fëmijët, një infrastrukturë të re komunitare, për të vazhduar jetën më mirë se
çfarë ishte para 26 nëntori famëkeq të 2019!