Rindërtimi i Laçit, Ministrat Ahmetaj dhe Kurum nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e 522 banesave

  • Postuar më 02/07/2020

Është nënshkruar sot Marrëveshja e Bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare, përfaqësuar nga Ministri i Shtetit për Rindërtim z. Arben Ahmetaj dhe qeverisë turke përfaqësuar nga z. Murat Kurum, Ministër i Mjedisit dhe Urbanizimit, për ndërtimin e 522 banesave në qytetin e Laçit.

Projekti, i cili do të realizohet në kuadër të donacioneve të angazhuara nga qeveria Turke në Konferencën e Donatorëve të mbajtur në 17 Shkurt në Bruksel, prezanton një koncept të ri të zhvillimit urban dhe social- ekonomik.

Projekti parashikon rreth 72,000m2 ndërtim, 522 banesa (te tipologjive te ndryshme 1+1; 2+1; 3+1); ambiente shërbimi dhe tregtare, parkim nëntokësor si dhe ambiente te gjelbëruara. Njëkohësisht pjesë e projektit është edhe ri-dizenjimi dhe ndërtimi i sheshit qendror të qytetit, ndërtesa e re e Bashkisë dhe një shkollë.

Në fjalën e tij Ministri Ahmetaj falenderoi Ministrin turk për mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë dhe siguroi se në kuadër të zbatimit të projektit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë në një kohë të shpejtë të gjithë masat për përgatitjen dhe dorëzimin e sheshit të ndërtimit.

“Ne kemi hapur kantierët e ndërtimit të 33 shkollave në 10 bashki dhe 4 kantierë të tjerë për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, por padyshim kam bindjen dhe shpresën që ky do të jetë ndër projektet e parë që do të vemë në jetë për ndërtimin e zonave të reja për zhvillim.

Sikurse e kemi ndarë edhe më herët, ky nuk është thjesht një projekt strehimi të atyre 522 familjeve që humbën shtëpitë e tyre në një moment të dhimbshëm fatkeqësie natyrore. Ky është një projekt që do t’i ndryshojë fytyrën qytetit të Laçit dhe do të kthehet në një model të zhvillimit urban, ekonomik e social, që ne patjetër do të shtrijmë edhe në sitet e tjerë që kemi miratuar, duke përfituar edhe nga eksperienca dhe dija juaj në këtë eksperiencën tuaj dhe aftësitë që keni në shume vite në ketë drejtim” – u shpreh Ahmetaj

Nga ana e tij ministri Kurum siguroi se projekti do të ketë një zbatim të shpejtë në favor të familjeve të dëmtuara nga tërmeti 26 nëntorit, për t’u dhënë mundësinë që të akomodohen sa më shpejt në banesa të reja. Projekti është bazuar në standardet më të larta në projektim, si premisa kryesore për një jetesë cilësore dhe te sigurt dhe do të zbatohet nga Enti Kombëtar i Banesave të Turqisë, që së shpejti inauguron ndërtimin e banesës së 1-miliontë në Turqi.

 

Në ditët në vijim pala turke do të dorëzojë zyrtarisht projektin final për t’i hapur rrugën një tjetër kantieri të madh të Rindërtimit ne zonën e dëmtuar nga tërmeti.

Aktualisht qeveria ka filluar ndërtimin me fondet e buxhetit të shtetit për 33 objekte arsimore dhe 4 projekte të rindërtimit të infrastrukturës së dëmtuar, të cilat po zbatohen nga FSHZH.