Rindërtimi i Kurbinit, drejt përfundimit lagjja e re e financuar nga qeveria turke

  • Postuar më 01/06/2021

Programi i Rindërtimit po i jep qytetit të Laçit një panoramë të re. Kudo punohet pa u ndalur për të ringritur nga themelet qindra shtëpi dhe apartamente, të shkatërruara apo dëmtuara rëndë nga tërmeti. Lagjja e re qendrore e qytetit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë, po shkon drejt përfundimit. Për të parë se çfarë është realizuar deri tani, ishte sot në këtë kantier, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

“Jemi në dy blloqet e pallateve që janë në fazën përfundimtare. Ashtu siç është komunikuar dhe me kompaninë turke, në fund të gushtit janë të përfunduara. Paralelisht kanë filluar edhe punimet e shkollës që po bëhet në këtë zonë. Në muajin gusht do të jetë përfundimi i të gjithë apartamenteve për t’jua dorëzuar familjarëve,” – u shpreh kryetarja e Bashkisë Cara, duke theksuar se puna po vijon paralelisht edhe me banesat individuale. 

Sipas saj, nga 200 familje që kanë preferuar të tërheqin grantin për t’i ndërtuar vetë banesat e tyre, 40 prej tyre kanë marrë lejet e ndërtimit dhe kanë filluar ndërtimin e shtëpive. Ndërkohë, nënvizoi kryebashkiakia Cara, jemi në procedurën e prokurimit për pjesën tjetër të shtëpive private që do të ndërtohen nga Bashkia Kurbin me financimin e qeverisë shqiptare.