Rindërtimi i konvikteve të fakultetit të Mjekësisë, në tetor të këtij viti 400 studentët rikthehen në ambientet e rindërtuara me standarde ndërkombëtare.

  • Postuar më 03/03/2021
Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ka inspektuar sot ecurinë e punimeve në kantierin e rindërtimit të Konvikteve për studentët e Fakultetit të Mjekësisë në njësinë nr. 4 në Tiranë.
Projekti i godinave studentore RSU 2 parashikon ndërtimin e dy objekteve me 8 kate mbi tokë dhe një nëntokë, me nga 79 dhoma secili, të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare Eurocode 8, jo vetëm për të garantuar cilësi dhe siguri në ndërtim, por edhe kushte optimale akomodimi për studentët, me hapësirat e përshtatshme të fjetjes, gatimit, leximit, bibliotekë, lavanderi etj.
“Është vazhdim i paktit për universitetin, nuk e kemi lënë në mes paktin e universitetit, përkundrazi, një muaj më parë qytetarët kanë parë se çfarë po bëhet me rindërtimin në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ndërkohë  këtu po vazhdon puna për dy godinat që do të strehojnë në Tetor të këtij viti 400 studentë  dhe sigurisht që e gjithë kjo është pjesë e kampusit universitar, një premtim i bërë brenda paktit të universitetit, një premtim i bërë për studentët dhe për të gjithë shqiptarët”. – tha Ahmetaj.
Ministri i Rindërtimit sqaroi se rindërtimi i këtyre objekteve bëhet në kuadër të Rindërtimit me financim nga buxheti i shtetit.
“Këto janë godina që po ndërtohen brenda procesit të rindërtimit. Procesi i rindërtimit vazhdon në të 11 Bashkitë e dëmtuara, tek 5 Maji, në Kombinat vazhdojnë prishjet e pallateve të dëmtuara DS4-DS5 që duhet të shemben dhe do të rindërtohen në atë poliqendër të re. Në Thumanë, në Fushë-Krujë, në Krujë, në Durrës, në Kavajë, në Golem vazhdon puna.
Jemi duke ndërtuar 160 shkolla, jemi duke ndërtuar mbi 12 mijë apartamente, jemi duke ndërtuar rreth 5000 njësi individuale banimi dhe në të gjithë territorin e bashkive të dëmtuara ka 28 site infrastrukture të cilat bëjnë të mundur infrastrukturë bashkëkohore komunitare. Të gjitha ndërtimet janë ndërtime moderne, shkollat i keni parë, janë të gjitha me Eurocode 8 në bazë të standardeve  ndërkombëtare. E njëjta gjë ndodh edhe me këto godina, e njëjta gjë ndodh edhe me pallatet në të gjithë territorin.
Rindërtimi po ecën me shpejtësi, është një premtim dhe siç e kam theksuar në Maj të ‘22 nuk do të ketë më në asnjë bashki të dëmtuar, asnjë shenjë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019” – u shpreh Ministri i Rindërtimit.