Rikrijimi i Thumanës, në fund të vitit gati qyteza e re me 278 apartamente dhe 155 banesa indviduale

  • Postuar më 10/07/2021

Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj inspektoi sot ecurinë e punimeve në qytezën e re që po ndërtohet në Thumanë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Krujë Artur Bushi.

 Zona e re është një kombinim i pallateve, banesave individuale, objekteve arsimore dhe atyre publike. Akomodimi i banorëve në banesat e reja do të fillojë në muajin tetor, ndërsa brenda fundit të vitit përfundojnë punimet në të gjithë sitin.

 Ndalesa e parë e inspektimit është kopshti dhe shkolla 9-vjecare Ramazan Jangozi, me 14 klasa, laboratorë, ambiente sportive moderne, që në shtator do të mirëpresin nxënësit e fëmijët. Ky është një nga 167 objektet arsimore që po ndërtohen brenda procesit të Rindërtimit në bashkëpunim edhe me donatorët.

 Zona e re përmban 14 pallate me 278 apartamente, nga të cilat 13 me financim nga buxheti i shtetit dhe 1 nga Fondacioni Behgjet Pacolli. Po kështu pjesë e zonës është lagjia rezidenciale, me 155 banesa individuale, të cilat janë financuar nga Fondacioni Firdeus. Infrastruktura publike, objektet arsimore dhe publike brenda zonës, janë gjithashtu financim i qeverisë Shqiptare.

 Në total, në zonën e re do të akomodohen rreth 2 mijë familje, në apartamente dhe banesa individuale, falas.

 “Është detyrë e Bashkisë që të behet gati lista e përfituesve, sipas sistemit të pikëzimit, duke nisur nga familjet në nevojë dhe kategoritë prioritare, sic parashikohet në Aktin Normativ të Rindërtimit”- tha Ahmetaj.

 Krahas zonës së banuar, brenda qytezës së re do të përqendrohen edhe objektet kryesore publike si njësia administrative, qendra shëndetësore, zyra e postës, policisë, bibliotekë etj, të cilat parashikohet të përfundojnë brenda fundit të vitit.

 Ndërkohë Ministri Ahmetaj ndau edhe një lajm të mirë për banorët e Durrësit:

 “Një javë më parë ka nisur edhe loti i parë në lagjen e re të Spitallës, ku po ndërton një prej donatorëve tanë më të mëdhenj, Fondi i Abu Dabit” – tha Ahmetaj.