Përfundon rindërtimi i shkollës Bedrie Bebeziqi në Durrës. Gati edhe 12 shkolla të tjera në këtë bashki

  • Postuar më 28/04/2021

Shkolla 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, në Durrës është një tjetër shkollë e rindërtuar rishtas, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit. Shkolla është një nga 12 shkollat e përfunduara që i shtohen së fundi listës së objekteve arsimore të rindërtuara në Durrës, që ofrojnë për nxënësit infrastrukturë moderne, të njëjta me shkollat në qytetet europiane.

 

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj vizituan sot shkollën e re, ku gjithçka ka përfunduar dhe ku fëmijët e mësuesit janë rikthyer për të vijuar procesin mësimor. Kryeministri vizitoi mjediset e reja të shkollës, bibliotekën e re për të cilën do të ketë edhe marrëveshje  të posaçme me shtëpitë botuese për pajisjen me libra. Ministri Ahmetaj informoi se janë edhe rreth 12 objekte arsimore të përfunduara, të cilat presin rikthimin e nxënësve dhe vijimin e procesit mësimor.