
Në vijim të inspektimeve në zonën e re të Rindërtimit në Thumanë Ministri Ahmetaj i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Krujë Artur Bushi, u ndalën në shkollën 9-vjecare dhe kopshtin Ramazan Jangozi, e ndërtuar brenda qytezës së re.
Shkolla e re me 14 klasa, ambiente laboratorike, mjedise sportive dhe standarde moderne së bashku me kopshtin, janë financuar me fondet e buxhetit të shtetit në kuadër të programit të Rindërtimit dhe në shtator do të mirëpresin nxënësit e fëmijët e zonës në vitin e ri shkollor.
“Kjo është një nga 167 objektet arsimore të përfshira në Programin e Rindërtimit. Shkollat, çerdhet e kopshtet janë financuar nga buxheti i shtetit në bashkëpunim me donatorët. Deri më sot ne kemi përfunduar 40 shkolla të financuara nga buxheti i shtetit dhe dy të financuara nga BE. Puna vijon intensivisht për të finalizuar pjesën më të madhe të tyre brenda fundit të vitit” – tha Ahmetaj.
Shkolla Ramazan Jangozi ka të gjitha funksionet e një qendre komunitare, e do të jetë në shërbim të familjeve që do të akomodohen në zonën e re për zhvillim, ku ndërtohen 275 apartamente dhe 155 banesa individuale. Po kështu brenda zonës, do të përqendrohen edhe pjesa më e madhe e objekteve publike që ofrojnë shërbime për qytetaret si njësia administrative, qendër shëndetësore, posta, policia, etj.