
Diskutohen ndryshimet në Aktin Normativ të Buxhetit 2020.
Fjala e Ministrit Ahmetaj në Kuvend
Të nderuar deputetë,
I nderuar Kryetar,
Sot kemi ndryshimet në tre Akte Normative dhe meqë koha është shumë e kufizuar, unë do fokusohem kryesisht tek risia që sjellin aktet normative në favor të qytetarëve dhe në favor të sipërmarrjes. Është normale si duket, edhe në kohë COVIDI madje, që debati në këtë parlament të mos i referohet fakteve, por t’i referohet emocioneve politike, është normale. Shumëkush ka parë vende dhe parlamente që kanë devijuar nga tradita e debateve emocionalo-politike të qenësishëm apo të paqenësishëm dhe janë fokusuar tek hallet e qytetarëve dhe tek hallet e biznesit, por gjithsesi unë dua t’i ftoj deputetët, qoftë të maxhorancës, qoftë të opozitës, që t’u referohen këtyre shifrave që unë do ndaj me ju dhe ju ftoj dhe t’i sfidoni zyrtarisht ato shifra që do përmenden për pagesat e paketave.
Përpara se të vazhdojmë me aktet normative është bërë një debat, i padenjë në fakt, për pensionet. Jo vetëm që ne nuk i prekim, s’kemi ndërmend t’i prekim pensionet askujt, por ne sapo i rritëm me 21 milionë dollarë dhe do vazhdojmë t’i rrisim në bazë të formulës dhe reformës që kemi punuar me partnerët financiarë ndërkombëtarë. Pastaj debati për pensione suplementare, e dini ca janë pensione suplementare? Janë pensione që shumë deputetë, ish-deputetë marrin katërfishin e qytetarit, pensionistit të zakonshëm dhe debati për pensionet duhet të fokusohet tek ndihma që i japim sot dhe pavarësisht debatit që ju keni, janë 26 mijë familje por në fakt janë 6 mijë familje, por ky është debat që verifikohet kollaj në terren, mjafton që të ruash distancën sanitare, të shkosh në terren, të flasësh me Ministrinë e Mbrojtjes, të flasësh me prefektë, të flasësh me kryetarët e bashkive, të shkosh tek qytetarët. Madje keni edhe skena në Fier sesi komuniteti rom që ka përfituar edhe nga paketa 1 edhe nga paketa 2, është shërbyer me ndihma ushqimore dhe me ilaçe, gjithë Shqipëria e ka parë live pavarësisht gjithë deformimeve.
Tani, për sa i përket paketave, dua të jemi të vërtetë me qytetarët. Të dhënat do t’jua dërgoj ose mund t’i gjeni pastaj nga Kuvendi shifrat një nga një.
- E para kemi 2.5 miliard lekë për Ministrinë e Shëndetësisë, shtesë për të përballuar gjithë situatën dhe e ka përballuar me sukses që është Alpha e gjithë procesit dhe e gjithë krizës.
- E dyta, kemi paketën e parë ku janë shërbyer bizneset e mbyllura me urdhër të qeverisë, familje në nevojë dhe të papunë që marrin pagesë papunësie 6.5 miliardë lek, shënojeni ju lutem se do t’i verifikojmë.
- Kemi gjithë mbështetjen për të papunët dhe bizneset që janë prekur më shumë nga situata është 7 miliard lek, po i bashkoj të dyja paketat në një.
- Kemi rritjen e shpenzimeve për emergjencat civile, për atë që ju shikoni në televizor që Ministria e Mbrojtjes i shërben nëpërmjet strukturës kapilare qytetarëve, 2 miliardë lekë.
- Kemi 0 tatim-fitimi për biznesin e vogël, me efekt 360 milionë lekë.
- Kemi garancinë sovrane prej 11 miliardë lekë. Vetëm Raiffeisen ka kërkesa sot nga 16 milionë euro që ka në paketë, 9 milion Euro. Verifikojeni me bankat, Raiffeisen Bank, marr përgjegjësi ta ndaj me ju si të dhënë zyrtare.
- Pra 11 miliard instrumenti dhe interesi që paguhet nga qeveria, me efekt 313 milionë lekë.
- Është garancia prej 15 miliardë lekë, e dyfishuar me sektorin bankar shkon 30 miliardë lekë.
- Vazhdojmë me heqjen e gjithë pagesave të energjisë, pra gjithë interesat e kamatëvonesave 15 miliardë.
- Është fondi rezervë i qeverisë vetëm për këtë punë, 1 miliard.
- Shtyrja e tatim-fitimit 15 miliardë.
Në total, paketa është 90.7 miliardë lekë dhe është fiks 5.41% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Para se ta mbyll po ju them, sot janë paguar 59 mijë qytetarë nga paketa e parë dhe 74 mijë nga paketa e dytë. Sfidojeni edhe këtë shifër me emra po të doni, me llogari bankare.
Faleminderit dhe jam i bindur që ju do t’i votoni aktet normative, se në finale mbështesin qytetarët dhe sipërmarrjen.
Të gjitha vendet e rajonit të njëjtën formulë kanë përdorur, nuk e kanë kapur përveç Serbisë 5.41%-shin. Jemi vendi i dytë në rajon.
Faleminderit!