Nis shpërndarja e granteve për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti në Bashkinë e Tiranës

  • Postuar më 14/07/2020

Të gjithë qytetarët, shtëpitë e të cilëve pësuan dëme të riparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit do të përfitojnë nga mbështetja financiare e qeverisë përmes granteve sipas shkallës së dëmeve.
Pas Bashkisë së Shijakut dhe Kamzës, procesi i shpërndarjes në dorë të parave për përfituesit ka nisur edhe në Bashkinë e Tiranës, me 3 mijë familjet e para, të cilat që nga sot mund t’i drejtohen pikave postare për të tërhequr shumën e përcaktuar.
“Fotografimi i situatës qysh në ditën e parë na jep mundësinë që të gjithëve t’iu gjendemi dhe t’iu japim atë që iu takon. Bëhet fjalë për afro 8 miliardë lekë, të cilat iu kushtohen vetëm granteve për meretim, sipas shkallëve të dëmeve, të ashtuquajtura DS1, DS2 dhe DS3,” u shpreh Kryeministri Edi Rama, në një takim online të zhvilluar për këtë qëllim me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke theksuar se Bashkia e Tiranës ka në dispozicion 5.6 milionë dollarë për këtë proces.
“Ky lot ka të bëjë me 3 mijë grantet e para. Pasi qeveria dha fondin, ne kemi filluar me disbursimin, ndërkohë që këtë javë kalojmë dhe 3100 të tjera, që ezauron pjesën më të madhe të granteve që kanë të bëjnë me çështjen e tërmetit të 26 nëntorit,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj, duke nënvizuar se po ndiqet e njëjta procedurë me tërmetin e shtatorit, pas të cilit në kryeqytet u shpërndanë 1861 dëmshpërblime, si dhe u ndërtuan 65 shtëpi të reja.
Për sa iu përket shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit, Veliaj dha lajmin se këtë javë do të nisë puna për ndërtimin nga e para të 50 banesave në zonën e Farkës.
“Kemi nënshkruar kontrata për 200 banesat e para. 50 fillojnë këtë javë në zonën e Farkës, ndërkohë që 50 të tjera do fillojnë javën tjetër dhe kështu do vazhdojmë çdo javë,” u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Ndërkaq, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi se puna po ecën me ritme të shpejta edhe sa i përket programit të rindërtimit për banesat kolektive. “Në fund të shtatorit në të gjithë zonën e dëmtuar do kemi punë në terren me programin e katërt të rindërtimit, për banesat kolektive,” siguroi ministri, duke theksuar, nga ana tjetër, se, edhe prioriteti për të rindërtuar shkollat brenda këtij nëntori, është në rrugën e duhur. “Sot programi i shkollave është i gjithi aktiv. Janë 140 shkolla, një pjesë e mirë e tyre të financuara nga buxheti i shtetit, në proces ndërtimi,” tha Ahmetaj.