Nis procesi i shpërndarjes së granteve të riparimit të shtëpive në Kamëz

  • Postuar më 24/06/2020

Të gjitha familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, ashtu sikurse edhe nga ai i 21 Shtatorit të vitit të kaluar, do të dëmshpërblehen në masën 100% të dëmeve të shkaktuara në shtëpitë e tyre nga buxheti i shtetit.

Procesi i shpërndarjes së granteve të riparimit të shtëpive, për mbi 20 mijë familje të dëmtuara, që do të përfitojnë nga ky program i qeverisë për rimëkëmbjen, pas Shijakut, ka nisur ditën e sotme edhe në Bashkinë e Kamzës.

Kryeministri Edi Rama, duke i’u drejtuar jo vetëm qytetarëve të Kamzës, por të gjitha familjeve që vuajnë ende pasojat e lëkundjeve sizmike të fundvitit të shkuar, deklaroi se qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit.

“Siç e kemi treguar qysh në krye të herës dhe siç po vijon me zbatimin, në Programin e Rindërtimit dhe Rimëkëmbjes janë dy kategori qytetarësh: Qytetarët që kanë humbur shtëpitë, të cilët janë sistemuar në pjesën dërrmuese me qera deri në momentin e rindërtimit të shtëpisë, apo ata që janë në fshat pranë tokës së tyre dhe që presin rindërtimin e shtëpive; Së dyti, qytetarët, familjet që banojnë, apo banonin në shtëpi qoftë individuale, qoftë banesa kolektive të riparueshme. Për këtë kategori ne kemi thënë qysh në krye të herës se do të japim paga të drejtpërdrejta, pra, mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për riparimet. Procesi po vazhdon sot në Bashkinë e Kamzës, ku ka filluar dhënia e mbështetjes financiare në Postë, drejtpërdrejt për familjet përfituese.

Sot që flasim janë 9 bashki që kanë miratuar listat e përfituesve me vendim të Këshillit Bashkiak, konkretisht bashkitë: Shijak, Kamëz, Rrogozhinë, Kurbin, Mirditë, Vorë, Kavajë, Krujë, pjesërisht në Tiranë. Pritet këtë javë të ecim më tutje qoftë me Tiranën, qoftë edhe me Durrësin. Deri tani kemi 9429 përfitues dhe në total kemi një shumë paraprake prej 3 miliardë lekësh që po shpërndahet te qytetarët,” u shpreh Kryeministri Rama në një videokomunikim live me ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj, kreun e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Bashkia Kamëz sot shpërndan 163 899 mijë lekë, ose 1.6 milionë dollarë dhe bëhet fjalë për 349 përfitues të dëmtuar në shkallën DS1, 261 përfitues të dëmtuar në shkallën DS2 dhe 161 përfitues për shkallën DS3, ose dëmtime të konsiderueshme, për të cilat qeveria paguan drejtpërdrejt riparimin.

“Sot jemi pranë 771 familjeve të cilat u prekën nga tërmeti i 26 Nëntorit. Konkretisht, sot që flasim, në 3 njësi administrative, Kamëz, Paskuqan dhe Bathore vazhdon shpërndarja pranë postave. Ne si bashki kemi ngritur dhe një zyrë rindërtimi për t’i ndjekur hap pas hapi edhe investimet dhe pse jo, për t’u ofruar asistencë këtyre familjeve nëse do kenë nevojë. Gjithashtu, janë dhe 4 objekte, 3 kopshte dhe një shkollë, të cilat janë gati për të filluar investimi, ndërsa vazhdojnë projektet për shkollat e kopshtet e tjera. Jemi dhe në përfundimin e 21 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit,” u shpreh Kryebashkiaku Suli.

Ministri Ahmetaj tha se në total pritet që të përfitojnë nga grantet e riparimit mbi 20 mijë familje.

“Shuma do të shkojë rreth 80 milionë dollarë. Vetëm Durrësi mendohet të shkojë 24 milion dollarë vetëm për DS1, DS2, DS3,” u shpreh ai, duke shtuar se, paralelisht edhe puna për rindërtimin po ecën me ritme të shpejta. “Kemi një sërë donatorësh që kanë filluar punën, nga KE me UNDP, KFW, në emër të qeverisë gjermane me shkollat, Katari, Sllovenia, sërish me shkollat, qeveria e Austrisë me fshatin austriak, qeveria e Zvicrës që ka marrë pjesë me ndarjen e grantit në Bashkinë e Shijakut me 750 mijë euro. Të njëjtën gjë do bëjë në Bashkinë e Kurbinit. Ndërkohë që, dje, FSHZH ka hapur fazën e dytë të thirrjes për shtëpitë individuale dhe brenda 10 ditëve shpresojmë të kemi rezultatin e parë për të hapur në terren punën,” deklaroi Ahmetaj.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila ndodhej në një prej familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit, që ditën e sotme mori çelësat e shtëpisë së re, u shpreh se brenda pak javësh edhe kjo kategori qytetarësh do të sistemohet në banesat e reja. Sipas saj, bëhet fjalë për 170 familje të cilat kanë përfituar nga Programi i Qeverisë për të rivlerësuar shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit, për të cilat janë financuar plot 470 milion lekë nga buxheti i shtetit dhe 19 milion lekë nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, dedikuar për mbrojtjen civile.

“Këtë javë kemi bërë të mundur përfundimin e 30 shtëpive të para. Javën tjetër do përfundojmë 60 shtëpi të tjera. Në shumë pak javë do përfundojmë të gjitha shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i Shtatorit, që, më në fund, familjet t’iu rikthehen banesave të tyre,” u shpreh Xhaçka.