Nënshkruhet Programi i Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2026 mes qeverisë shqiptare dhe OKB

  • Postuar më 25/10/2021

U zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të Programit të Bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2026, e cila përkoi gjithashtu me celebrimin e 76-vjetorit të OKB.

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të Programit të Bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara dhe znj. Fiona McCluney, Koordinatore rezidente e OKB në Shqipëri nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për 4 vitet e ardhshme, e cila bëhet aktive në janar 2022 dhe zbatohet përgjatë periudhës deri në 2026, duke angazhuar 19 agjenci të OKB dhe një fond prej 282 milionë USD. Marrëveshja është kornizuar në përmbushjen e prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare përfshirë anëtarësimin në BE, implementimin e axhendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm dhe objektivat kombëtarë të Zhvillimit të qëndrueshëm, me fokus rritjen e barazisë në shëndetin publik dhe arsim, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, ofrimin e shërbimeve publike dhe përgjigjen efektive e rimëkëmbjen nga pandemia.

Fjala e plotë e z.Ahmetaj:

Të nderuar koleg dhe kolege,

E nderuara Znj. McCluney,

Të nderuar ambasadorë, miq,

Do desha ta përgëzoja ambasadoren dhe Kombet e Bashkuara që na bënë bashkë në këtë ditë për nënshkrimin e programit te Bashkëpunimit për Zhvillim të Qendrueshëm që ne, qeveria shqiptare, miratuam në Korrik të këtij viti. Unë gjithashtu do të doja t’i jepja meritat e duhura partneritetit të gjatë midis qeverisë shqiptare dhe Kombeve të Bashkuara dhe të pranoja që programi “Delivering as One” në Shqipëri duke filluar që nga 2007-ta u përzgjodh kur Shqipëria u përzgjodh si një nga 10 vendet ku do të kishte një qasje të re. 

Në këndvështrimin tonë ka qenë një sukses. 

Që atëherë qeveria shqiptare ka zbatuar 3 programe bashkëpunimi me Kombet e Bashkuara në Shqipëri me qëllim të rritjes së impaktit dhe rezultateve të zhvillimit duke sjellë së bashku përparësi të dukshme, të prekshme të sistemit të OKB-së brenda një programi të vetëm strategjik. Miratimi i axhendës 2030 shënoi një moment historik për zhvillimin e qendrueshëm global por sigurisht edhe për Shqipërinë dhe Shqipëria ka lëvizur shpejt për të përshpejtuar  zbatimin me rigorozitet të saj në çdo qelizë me moton “Të mos lëmë askënd pas”. 

Kjo moto sot është bërë temë gjithëpërfshirëse për të gjitha përpjekjet tona dhe në reflektim të projektbuxhetit 2022 që ne si qeveri e kaluam javën e kaluar në Këshill të Ministrave, ku më pas do përmend disa nga paketat sociale si një moment reflektimi të rëndësishëm pas sfidave dhe testeve të tërmetit, të pandemisë dhe jo vetëm. Rruga jonë drejt zhvillimit të shpejtë nxitet nga angazhimi ynë për të përmbushur standardet europiane dhe për të arritur një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka ndikuar në adresimin e disa prej ambicieve kryesore të reformave në Shqipëri siç janë: politika e nxitjes sociale, mbrojtja e fëmijëve, reforma historike e administrimit territorial, punësimi, trajnimi profesional dhe sipërmarrja, migrimi dhe barazia gjinore. 

Mënyra sesi një shoqëri trajton ata që janë më në nevojë dhe më të pambrojturit është shenja e qytetërimit të atij vendi, të atij kombi. Çdo agjenci në të gjithë familjen e OKB-së ka ndihmuar qeverinë të intensifikojë dhe të mbështesë ato komunitete që kanë nevojë më shumë për nxitje për të arritur qëllimet e tyre të zhvillimit. Kjo ditë duhet përdorur edhe si një ditë reflektimi me atë moto që unë përmenda më parë dhe jo pa qëllim e përmenda projektbuxhetin e vitit 2022. 

Shqipëria si rrallë ndonjë vend tjetër po kalon përmes dy goditjeve të mëdha dhe të tretës që nuk po e quaj, atë të krizës së energjisë, por tërmetin dhe pandeminë. Ne nuk jemi vend i pasur, sigurisht që ne e quajmë dhe jemi vend në zhvillim, por mënyra sesi ne reflektuam dhe si iu qasëm të dyja goditjeve tregon një maturi të shoqërisë shqiptare dhe një sentiment të thellë për të gjithë ata që janë të pambrojtur dhe më në nevojë. Nëse i referohemi të gjithë qëllimeve të zhvillimit te qëndrueshëm dhe prekim me ndjesi dhe me dorë të gjithë ata që kanë nevojë, imagjinoni që ne nuk lamë askënd mbrapa pas ditës së vështirë të 26 Nëntorit të 2019-së dhe si rrallëkush ndonjë vend tjetër po i afrohemi familjeve, të gjitha familjeve ndihmë, që nga grantet, që nga grantet për të rikonstruktuar, që nga grantet për të ndërtuar dhe deri tek shtëpitë falas. 

Besoj shumëkush prej ju e di që këto janë politika të cilat kushtojnë. Të mos lësh askënd mbrapa do të thotë të prekësh emocionin e asaj ditë të vështirë dhe ta kthesh në fuqi dhe në krenari. Shpeshherë i tregoj miqve të mi kuptimin e të qenurit një shërbëtor publik dhe dua ta ndaj me ju një moment tejet emocional që besoj është dhe në thelb të asaj që po bëjmë sot kur një ditë së bashku me Kryeministrin shkuam në një fshat të Tiranës për t’i dorëzuar çelësin e shtëpisë një nëne e cila kishte djalin e martuar me probleme shëndetësore, gruaja e djalit dhe ajo gjithashtu fatkeqësisht me probleme shëndetësore dhe dy fëmijë si yje, që të dy nxënës të shkëlqyer fatmirësisht. Nëna ishte gati rreth 80 vjeç dhe djali nuk kishte mundësi të punonte. Në ato moment mendova duke e fshehur emocionin se çfarë do t’i ndodhte asaj familje nëse ky Kryeministër dhe kjo qeveri dhe kjo maxhorancë do dilte dhe do bënte të ftohtin e ekonomisë së tregut duke i treguar familjes derën e bankës për kredi qoftë edhe me interesa të ulta. Ajo nënë jo sot jo e jo, po besoj as pas 10 vitesh s’do kishte dot shtëpinë e vet, e nëse dhe do ta kishte, besoj që do kishte te dera e shtëpisë bankën përditë. E për këtë ia vlen t’i rikthehemi në reflektim kësaj dite për të mos harruar askënd në këto momente. 

Prandaj kur iu referova buxhetit të vitit 2022 me shumë modesti po jo pa krenari, gjithsesi do dua të përmend që ne kemi avancuar paketa shumë të rëndësishme për ata më në nevojë. Janë 15 mijë familje me 3 fëmijë nën moshën 18 vjeç që marrin ndihmë ekonomike, do t’ua dyfishojmë ndihmën ekonomike. Covidi dhe pandemia e dëmtoi ekonominë e Shqipërisë ashtu siç dëmtoi ekonominë globale. Po sigurisht që vendet e kanë të ndryshme ngritjen ekonomike. Ngritja jonë ekonomike është e shpejtë, është gati 18%, por është e pamjaftueshme për të eliminuar ashtu siç duam ne, aty ku duam ne dhe aq sa duam ne varfërinë në vend. 

Asnjëherë nuk duam që të harrojmë që ky vend ka nevojë të ndihmojë fëmijët dhe rininë në mënyrë që pas 10 viteve në axhendën tonë të përbashkët 2030 të themi po, ne e frenuam uljen e popullsisë; po, ne e rritëm arsimimin; po, ne e kthyem Shqipërinë në një Shqipëri dixhitale; po, fëmijët tanë janë në gjendje të konkurrojnë jo në Tiranë thjesht, jo në Durrës thjesht, jo në Shqipëri thjesht, por në Bashkimin Evropian dhe patjetër dhe globalisht. 

Nuk dua ta lë pa përmendur me një falënderim shumë të madh për Kombet e Bashkuara, për Bashkimin Evropian, për të gjitha vendet që na ndihmuan dhe i referohem Bashkimit Evropian si një nga donatorët tanë më të mëdhenj, donatori jonë më i madh në goditjen që pësuam nga tërmeti, por i referohem Kombeve të Bashkuara apo UNDP më mirë si një bashkëpunëtor, partner në rindërtim me 130 milionë dollarë. 

Në të njëjtën kohë s’dua të lë pa përmendur atë që u tha këtu, një rini dixhitale.  Ju falënderoj që e përmendët, më dhatë mundësinë të përmend një politikë të re të qeverisë, që është paketa e kodimit. Paketa e kodimit, ose projekti për akademinë e kodimit, në themel nuk është se do kthejë Shqipërinë në Shqipëri Dixhitale, por fut ndjesinë dhe ambicien që pas 10 vitesh, në 2030, të themi po, ne e filluam atë ditë dhe sot Shqipëria është një vend tjetër, një vend dixhital me një rini e cila nuk tenton të iki por, tenton të garojë me të gjithë ambicien e vet brenda zhvillimit të vendit, brenda zhvillimit të Bashkimit Evropian dhe brenda zhvillimeve globale. 

Të qenit anëtar i Bashkimit Evropian  ngelet ambicia jonë kryesore dhe këtu e falënderoj Organizatën e Kombeve të Bashkuara që ne sot Programin e Zhvillimit të Qëndrueshëm e kemi në harmoni të plotë me të gjithë përpjekjen tonë për integrim në Bashkimin Evropian. Angazhimi ynë për qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm adreson të gjitha këto sfida që unë përmenda apo që do përmend. Sigurisht që të gjitha raportet nëse doni, do t’i referohem me lejen tuaj raportit të fundit të Bankës Botërore: “Shqipëria e ka ulur varfërinë në raport me vendet e tjera me një shpejtësi shumë më të madhe se vendet e rajonit” – thotë raporti, por duke e lexuar, duke e parë, sheh sfidat e mëdha dhe për mua në një risk, në një rrezik ku populizmi injorant kthehet në “politikë trendy” apo tërheqëse atë ditë, njerëz, qytetarë të angazhuar si unë, si ju apo si kushdo që është i angazhuar në jetën publike, duhet të flasë për reforma, se varfëria nuk ulet me fjalë as të ngrohta, as të mira, as të bukura, as populiste për të varfrit. 

Të gjitha janë fallco  nëse nuk bazohen, nuk mbështeten nga reforma intensive dhe nuk do rrimë pa përmendur reformën në drejtësi që ka futur një elektricitet të rëndësishëm në të gjithë shoqërinë shqiptare, jo thjesht në drejtësi. Nuk do lë pa përmendur as reformën në arsim që ushqen ambicien për një vend normal të zhvilluar  dhe një shoqëri dixhitale, as reformën në ekonomi, as reformën në taksa, edhe Ambasadorja iu referua taksave, taksa progresive është të kthesh sytë nga ata që kanë më shumë nevojë. Unë jam shumë i gëzuar duhet ta pranoj, që pas debateve, diskutimeve shumë të shëndetshme që kemi pasur bashkë me gjithë institucionet, kemi arritur të kemi një dokument të rëndësishëm që jo thjesht se do të sjellë 282 milionë dollarë në disa vite bëhet i rëndësishëm, jo, jo thjesht për këtë arsye, por sepse ka vendosur nervin, dorën në sfidat më të rëndësishme të vendit për të përballuar atë që unë e quaj “Sfida e Mileniumit”, duke filluar që nga reduktimi i varfërisë , duke vazhduar me shoqërinë dixhitale, duke vazhduar me paketat  sociale dhe deri duke arritur  tek ajo që iu referua dhe Ministrja Xhaçka, si një nga kërcënimet më të mëdha të vendit që influencon drejtpërsëdrejti dhe tek varfëria që janë ndryshimet klimatike. 

Ju falenderoj shumë për punën dhe jam besimplotë që sëbashku do ta zbatojmë më përpikmëri dhe dua që edhe unë edhe ju të jemi alert që Bashkimi Evropian me rigorozitetin e vet do na vëzhgojë sesa në harmoni jemi, po ne jemi, kështuqë suksese dhe faleminderit.