Nënshkruhet Marrëveshja Grant me Caritas Albania – 153 milionë lekë për programin e mbështetjes me pagesa cash dhe rindërtimin e banesave

  • Postuar më 06/08/2020

U nënshkrua sot Marrëveshja Grant mes qeverisë shqiptare dhe Caritas Albania për financimin e dy programeve në vlerën totale prej 152.7 milionë lekë, për financimin e dy programeve në kuadër të Rindërtimit pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.

Projekti parashikon mbështetje në formën e pagesave cash për 334 familje të prekura nga tërmeti, të cilët do të përfitojnë 4 transferta monetare me vlerë 15,531 lekë secila. Programi i dytë, është ai i rikonstruksionit dhe rindërtimit të 100 banesave nga të cilat 60 do të riparohen dhe 40 të rindërtohen nga e para.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Shtetit për Rindërtim z. Arben Ahmetaj dhe Drejtuesi i Caritas Albania Atë Antonio Leuci.

***

Fjala e Ministrit Ahmetaj

Përshëndetje,

Sot jemi këtu për të nënshkruar një tjetër marrëveshje granti në favor të procesit të rindërtimit, me shoqatën Caritas Albania, që gjej rastin ta falënderoj për suportin humanitar që në ditët e para të tërmetit të 26 nëntorit të kaluar si dhe për angazhimin e grantit ne vlerën mbi 152,7 milionë lekë, për realizimin e projektit që nënshkruajmë sot.

Kontributi i shoqatës Caritas Albania do të destinohet për financimin e dy programeve:

  1. Programi i mbështetjes Cash – për 334 familje të prekura nga tërmeti, të cilët do të përfitojnë 4 transferta monetare me vlerë 15,531 lekë secila. Në total ky program arrin në vlerën e 20,7 milionë lekë.
  2. Programi i ndërtimit për:
  1. Rikonstruksionin e lehtë të 30-të njësive të banimit, në vlerën maksimale 400,000 lekë /shtëpi
  2. Rikonstruksion i rëndë i 30-të njësive të banimit, në vlerën maksimale 800,000 lekë/shtëpi;
  • Rindërtim i 40-të njësive të banimit, në vlerën maksimale 2,4 milionë lekë/shtëpi.

Programi do të zbatohet në Bashkinë Lezhë, Kurbin dhe Belsh.

Bashkitë përfituese do të marrin përsipër të garantojnë vendosjen në dispozicion të Donatorit të sheshit të ndërtimit, si dhe të gjithë dokumentacionit të nevojshëm (leje, licenca autorizime etj.) për realizimin e Projektit si dhe truallin ku do të kryhen punimet.

Më vjen mirë të them që procesi i koordinimit me donatorët ka avancuar me ritme mjaft të shpejta, pas Konferencës së shkurtit në Bruksel.

Deri më sot kemi nënshkruar 6 marrëveshje me donatorët, ndërsa kemi finalizuar draftet e gatshme për nënshkrim, edhe për 4 marrëveshje të tjera.

Nga ana tjetër, sikurse mund ta keni parë, sot filloi puna në një tjetër kantier të ndërtimit të banesave individuale në Baldushk, ku do të ndërtohen 50 shtëpi.

Ndërkohë në farkë puna po avancon çdo ditë e më shumë për ndërtimin e 48 banesave të para.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka lidhur tashmë kontratën me ndërtuesit për 677 banesat individuale në Shijak dhe Kavajë dhe javën e ardhshme do të hapen themelet e para.

Puna po ecën me ritme të shpejta në 32 kantierë shkollash të cilat siç e keni parë edhe nga komunikimet tona në terren, do të jenë gati për të mirëpritur nxënësit dhe fëmijët në nëntor.

Duke nisur nga java e ardhshme e deri në fund të muajit gusht, do të fillojë puna për ndërtimin e infrastrukturës publike edhe në 3 kantierë të rinj, në Vorë, Shijak dhe Durrës, krahas Thumanës, Fushë-Krujës, Bubqit dhe Kavajës ku jemi në një fazë të avancuar.

Për ta mbyllur, dje Këshilli i Ministrave i ka akorduar 140 milion $ bashkisë së Tiranës për zonën e 5 Majit dhe për zonën e Kombinatit që janë dy poliqendra të reja të kryeqytetit.

Së bashku me fondi tjetër prej 160 milion $ ose16 miliard lekë që qeveria i ka kaluar 3 javë më parë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për rindërtimin e pallateve në 10 bashkitë e tjera jashtë Tiranës, janë plot 300 milion $ për ndërtimin e pallateve dhe të infrastrukturës shoqëruese kritike të domosdoshme për këto qendra.

Ky është programi i katërt që tashmë futet në shpejtësi të plotë dhe duke iu referuar procedurave zyrtare, maksimumi në javën e fundit të Shtatorit, ose në javën e parë të Tetorit, do të kemi hedhur themelet e pallateve në të gjitha zonat e dëmtuara, në Tiranë, në Durrës, në Kavajë, në Shijak, në Lezhë, në Kurbin, në Krujë, në Fushë Kruje, në Lezhë, e kudo.

Faleminderit Atë Antonio Leuci,

Faleminderit Caritas sërish për kontributin dhe besoj që shumë shpejt do të jemi së bashku në kantierët e rindërtimit të banesave që do të jenë pjesë e projektit që nënshkruajmë sot.