
Është bërë sot në një ceremoni festive në prag të Krishtlindjeve, dorëzimi i çelësave të apartamenteve të
reja për 278 familje në Thumanë, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Përtej apartamenteve të reja, është inauguruar edhe monumenti i “Ullirit të Jetës” i mbjellë mbi
platformën e depozitës së vjetër të ujit në Thumanë, simbol i rilindjes së jetës, shpresës dhe besimit, me
bekimin edhe të Arqipeshkvit Arjan Dodaj, i dërguari i Papa Franceskut në Mitropolitin e Tiranë-Durrësit.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj dhe Kryetarin e Bashkisë Krujë
Artur Bushi, ishin sot prezentë në ceremoninë e inaugurimit të lagjes së re me 278 apartamente, nga të
cilat 270 janë financuar plotësisht nga qeveria shqiptare dhe 18 apartamente nga fondacioni “Behgjet
Pacolli”.
“Thumana ishte krateri i zymtë i një tërmeti shkatërrimtar, ku shkaktoi dhe numrin më të madh të
viktimave e sot është shëmbëlltyrë e një rilindje në kuptimin e plotë të fjalës. U jam mirënjohës të gjithë
atyre që punuan, punëtorëve, inxhinierëve, arkitektëve, FSHZH që me një përkushtim të
jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm për t’u admiruar kanë çuar përpara një proces aspak të lehtë, për
mundësimin e kësaj pamje që pa asnjë diskutim dy vite më parë mes lotëve të asaj tragjedia, askush nuk
do ta kishte besuar dot se do të ishte Thumana e dy viteve më pas. Po ashtu iu jam mirënjohës të gjithë
atyre që na u bashkuan në këtë rrugëtim, që nga Behgjet Pacolli i cili ka lënë gjurmën e mirësisë dhe
solidaritetit të tij në një prej këtyre godinave dhe deri tek Fondacioni “Shqiptarët për Shqiptarët”, Elvis
Naci, që kanë lënë përgjithmonë gjurmën e tyre të solidariteti për njerëzit tek banesat individuale pranë
këtij kompleksi që u ndërtua në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti me financimin e plotë të
qeverisë shqiptare. Është një bashkim forcash, një bashkim energjish që jam shumë krenar që e kemi
udhëhequr vendosmërisht, por edhe me këto rezultate që shohim, në një kohë aspak të lehtë” – tha në
fjalën e tij kryeministri Rama.
Zv. Kryeministri Ahmetaj në fjalën e tij u shpreh:
“Jetët e humbura këtu fatkeqësisht askush nuk i sjell dot më mbrapsht, po atë trishtim dhe mundim të
asaj dite unë e riktheva sërish në mendje një moment, kur në sy kisha rrënojat dhe familjarë, fytyra të
trishtuara dhe të dëshpëruara dhe për një moment pa shpresë. Nuk është e zakontë që një anëtar
kabineti të falënderojë Kryeministrin e vet, por Kryeministër, të falenderoj për shpresën që u dhe gjithë
atyre familjarëve dhe atë premtim që bëre atë ditë. Sot janë gati 278 familjarë, familje që do të futen
orë pas ore dhe ditë pas dite në 2-3 ditët që vijnë, në këtë qytet që e ndërtuam për një vit. Para një viti
ishte gërmadhë, sot është një qytet i ri shembull. Ta gëzoni, t’i gëzoni shtëpitë, t’i trashëgoni. Është një
premtim i mbajtur nga Kryeministri, nga qeveria dhe nga mazhoranca. Edhe njëherë t’i gëzoni, t’i
trashëgoni është një premtim i mbajtur dhe do jetë përjetë një shenjë, do jetë përjetë një test sesi
zemrat, mendjet e vërteta me mendje te qytetari i zakonshëm, nuk lënë askënd mbrapa. Ti gëzoni!”