
Kryeministri Edi Rama së bashku me Zv. Kryeministrin Arben Ahmetaj dhe Kryetarin e
Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu ishin sot në Lezhë ku ka përfunduar rindërtimi i plotë i
apartamenteve dhe janë dorëzuar çelësat për 97 familje.
Në një event festiv me fëmijët dhe banorët e zonës që do të akomodohen në këto
apartamente, Kryeministri Rama tha se “qëllimi ynë ka qenë që të ri ngrihemi më të
fortë pas tragjedisë së 26 nëntorit 2019”.
“Sot ne po i kthejmë pjesë-pjesë të gjitha familjet në shtëpi, pas një periudhe të vështirë.
Jam shumë i lumtur që shoh këtu sot nëna, fëmijë, prindër e gjyshër që do t’i thonë
gëzuar njëri tjetrit në shtëpinë e re dhe mbase do mendojnë që ndoshta politika dhe
politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Dhe për të gjithë ato familje në Durrës e Tiranë që
presin të kthehen në shtëpi, por që do të kthehen në lagje të tëra të rindërtuara dhe kjo
kërkon akoma kohë, dua t’iu përsëris që absolutisht gjithçka që kemi thënë do të jetë
deri në fund ashtu siç kemi thënë, edhe nëse ndonjëherë duhet pak më shumë kohë
nga sa do kishim dashur, për arsye objektive. Mos harroni që nga tërmeti deri më sot ne
patëm në mes një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme siç ishte pandemia që bëri që disa
afate të shtyhen por për ne rindërtimi ka qenë dhe mbetet prioritet i prioriteteve. Nuk
kalon asnjë ditë që unë të mos mendoj për ata që akoma presin të hyjnë në shtëpi. Sot
97 familje po hyjnë në shtëpitë e reja; janë një mijë e disa qindra të tjerë që do të hyjnë
brenda vitit të ri dhe me ndihmën e Zotit, siç e kemi premtuar, brenda viti të ardhshëm
do t’i kemi të gjitha familjet nëpër shtëpi të reja dhe gjurmët e tërmetit do të jenë vetëm
gjurmë në kujtesë ndërkohë që kujtesa e tërmetit nuk do të jetë më rrënoja por do të
jetë gjithë ky realitet i transformuar” – u shpreh Kryeministri.
Zv. Kryeministri Arben Ahmetaj në fjalën e tij tha se ky është një premtim i mbajtur :
“T’i gëzoni shtëpitë tuaja, është një premtim i mbajtur, është një premtim që Kryeministri
e ka dhënë atë ditë të vështirë të tërmetit për të gjithë ata shqiptarë, familje shqiptare që
u dëmtuan. T’i gëzoni, t’i trashëgoni, janë edhe gati 1300 familje që deri në 31 Dhjetor
të këtij viti do hyjnë në shtëpitë e tyre, e për ata banorë të Lezhës që akoma presin, në
Prill janë edhe gati 90 apartamente të tjera”.