Në kantieret e Rindërtimit në Fushë Krujë ku një lagje e re po ngrihet nga themelet

  • Postuar më 23/06/2020

Në kantieret e mëdha të Rindërtimit në Fushë-Krujë, po ngrihet nga themelet një lagje e re me vila e godina banimi kolektive, shkollë, kopsht, çerdhe, qendër shëndetësore e hapësira publike të standardeve më të larta komunitare.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në terren, në hapësirën e parashikuar për ndërtimin e kësaj lagjeje, e cila në përfundim do të strehojë 1100 banorë.

“Francoise Houben, është një nga arkitektet më të famshme të Holandës me një nga studiot më me reputacion në Holandë dhe në Europë.” – u shpreh Kryeministri Rama për projektuesen e veprës, ndërsa pa të ekspozuar projektin e lagjes së re.

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se zona e përzgjedhur për ndërtim është konceptuar si vijim natyral i qytetit, me akses në rrugë dhe në shërbime, duke u kthyer në një qendër me vete, me interes për t’u frekuentuar edhe për aktivitete të tjera.” Janë 100 apartamente dhe 128 vila model, po i referohem njësi individuale sipas modelit të Entit Kombëtar të Banesave. Janë 1100 banorë që do të strehohen këtu. Siç e shikoni Kryeministër, ka filluar puna për infrastrukturën. Këto janë ditët e para të fillimit të punës për pjesën e infrastrukturës. Zona e ndërtimit është 103 mijë metër katrorë. Kjo është e gjitha tokë shtetërore dhe nuk kemi patur nevojë për proces shpronësimi. Kur u vendos si zonë u konceptua si vazhdim natyral i qytetit, me aksesin në rrugë, me aksesin në shërbime, dhe me atë projekt që juve ju referuat kjo kthehet në një qendër më vete. Pra, ka për të qenë shumë tërheqëse edhe për pjesën tjetër të qytetit për t’u frekuentuar për aktivitete të tjera.”

Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi u shpreh se gjithçka është studiuar më së miri në funksion të lehtësimit të komunikimit me pjesën tjetër të qytetit. Gjithashtu, ai tha se po shihet mundësia e integrimit të tregut, në këtë lagje, i cili është një traditë për qytetin e Fushë-Krujës.

“Të gjitha janë studiuar në mënyrën më optimale, siç është qendra e Thumanës, Bubqit, por edhe e Krujës që integrohet drejt qytetit. Kjo është shumë e bukur, vjen shumë natyralisht si zhvillim i qytetit dhe i bashkangjitet në anën veriore, qytetit të Fushë-Krujës. Është brenda unazës dhe është shumë afër me qendrën. Mendojmë që t’i bashkangjisim edhe tregun, sepse këtu është traditë tregu. Do t’ia bashkëngjisim në mënyrë që të shmangim edhe atë rrëmujën e të dielës në qytet. Ky treg është jo vetëm për pjesën e Fushë-Krujës, por për të gjithë bashkinë, madje dhe nga jashtë. I ka të gjitha produktet.”

Kryeministri kërkoi që për tregun të hartohet një projekt i veçantë. “Bisedoni edhe me arkitektët që të bëni një treg model në çdo pikëpamje. Do të jetë një projekt i veçantë që t’i bashkëngjitet sepse i shton shumë kapacitet nga pikëpamja komunitare, por edhe nga pikëpamja ekonomike. Sepse vetë transformimi i kushteve sjell një tjetër nivel aksesi, sjell tjetër nivel xhiroje, për të gjithë edhe për ata që tregtojnë edhe për ata që shërbehen,” – u shpreh ai.

Kryeministri tha se lagje të tilla, si kjo që po ndërtohet, janë zona që krijojnë kthesa historike nga pikëpamja urbanistike, që do t’u ofrojnë banorëve strehimin në kushte shumë herë më cilësore dhe më dinjitoze, se sa më parë. “Të gjitha këto janë bërthama urbane të jashtëzakonshme për nga pikëpamja e kualitetit dhe nga pikëpamja e ofertës për komunitetin, plus krijojnë një gravitet të ri për zhvillimet rreth e rrotull, sepse me gjithë këtë kaos të krijuar fillojnë dhe krijojnë një hulli disipline dhe një hulli zhvillimi të qëndrueshëm krejt tjetër. Do të jetë e pamundur që më pas të vazhdojë historia siç ka qenë më parë. Janë zona që krijojnë kthesa historike nga pikëpamja urbanistike dhe që i japin këtyre hapësirave të goditura, mundësinë që të ripërtërihen dhe të kalojnë në një stad tjetër. Ajo që do t’ju ofrohet atyre që u prekën, do të jetë shumë herë më cilësore dhe më dinjitoze sesa ajo që kishin. Kjo ka edhe kopsht, edhe shkollë, edhe qendër sociale, të gjitha.”

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj u shpreh se vetëm nga buxheti i shtetit shuma e investimit për Rindërtimin shkon në 600 milionë dollarë. “Një tjetër moment i rëndësishëm është se me ndryshimet që do bëjmë javën tjetër për buxhetin e shtetit në bazë të atyre orientimeve që ju dhatë dje, praktikisht do të financohen 340 milionë dollarë vetëm nga buxheti i shtetit, pra 34 miliardë lekë për rindërtimin këtë vit dhe 250 milionë dollarë, pra 25 milardë lekë vitin tjetër vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit. Shkon 600 milionë dollarë vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit, plus procesi me donatorët që vazhdon, sidomos me Komisionin Europian” – tha Ministri Ahmetaj.