Ministri Ahmetaj në Kuvend, “Paketa e plotë e mbështetjes sociale e financiare sa 4.4% e PBB

  • Postuar më 23/04/2020

Diskutohet në Kuvend projektligji “Për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.

***

Fjala e Ministrit Ahmetaj:

Ka tre grupe diskutimesh sot në këtë seancë. Është një grup i gjerë, mazhorancë, që mendon që gjendja e fatkeqësisë natyrore duhet shtyrë; është një grup që e përdor kohën në parlament për të bërë replikë, në këndvështrimin tim, boshe, politike në një kohë shumë të vështirë. Është edhe një grup, me kënaqësi do t’i referohesha edhe me emra nga opozita, që jo vetëm diskutojnë për çështje serioze, çfarë po ndodh me jetën e qytetarëve, si e ka mbrojtur qeveria apo çfarë po ndodh me ekonominë, me biznesin e madh e të vogël, të cilat janë çështje serioze për të diskutuar në një kohë të vështirë.

A duhet shtyrë gjendja e fatkeqësisë natyrore?

Jemi duke folur për jetë njerëzish. Një deputet këtu iu referua fataliteteve sikur nuk është asgjë. Një jetë njeriu është e shtrenjtë dhe janë 27 qytetarë që kanë humbur jetën dhe janë 27 familje që praktikisht kanë humbur njerëzit e dashur. Por po të bëni një krahasim dhe do ju ftoja ta bëni, jo në një diskutim politik me njëri tjetrin, por në një debat njerëzor me njëri tjetrin, në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Nëse do te merrnim numrat e krahasuar të Serbisë dhe Maqedonisë, më besoni që nëse do iknim me logjikën që ka Serbia sot në trajektore, Shqipëria do të kishte 100 të vdekur; 80 fatalitete nëse do të kishim trajektoren e Maqedonisë. Po të kishim trajektoren e Italisë, Zoti na ruajtë! Po hajde ta përmbysim argumentin dhe në qoftë se do të ishte ajo situatë, ju do ngriheshit do thonit fajin e ka qeveria. Sot fatmirësisht situata është ndryshe dhe dikush nga ju iu referua Zotit, patjetër, por është përgjigjia e menjëhershme e qeverisë, e maxhorancës, edhe e juaja nëse doni, për të frenuar përhapjen e virusit.

Diskutimi do duhet të jetë një diskutim në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe me dritë në fund të tunelit. Pardje, po ndiqja një konferencë live të Presidentit Trump të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e përmendi dy herë: “Ka dritë në fund të tunelit”. Po, ka dritë në fund të tunelit për shumë arsye. Arsyeja e parë është se kjo qeveri iu përgjigj menjëherë rrezikut nga armiku i padukshëm. Të mos tallemi me fjalën armiku i padukshëm, se të dy elementët e rrezikut, rreziku për jetën e njeriut dhe rreziku për shkatërrimin ekonomik janë prezent. Dhe po, qeveria po mendon, më pëlqeu logjika e Enverit, po mendon për hapje graduale dhe te gjeografikuar duke iu referuar numrave te përhapjes ose të frenimit dhe është logjikë shumë e shëndetshme. Pastaj të diskutosh për të drejtat e njeriut, të drejtat e njeriut janë themelore dhe e drejta më themelore është e drejta e jetës. E drejta e jetës është në themel të çdo veprimi që bën kjo qeveri!

Po të kthehemi tek ekonomia, është e gabuar ajo që thoni. Doni t’jua them edhe aritmetikisht sa ka shkuar mbështetja e qeverisë me të dy paketat? Dhe pastaj thoni “ku janë”, “ku janë”?! Me emra, 52 mijë qytetarë kanë marrë pagën e parë të luftës, sot janë 11 mijë me paketën e dytë të aprovuar. Janë 150 milion dollarë që janë kamatëvonesat, janë 100 milion dollarë që është instrumenti i garancisë, të gjitha bankat e kanë firmosur. Janë 72 aplikime të aprovuara, sot, tani që po flas, 72 aplikime nga bizneset për mbështetje për pagën nga bankat.

Dhe së fundmi, dua të them që po, paketa është 4.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në një shtet i cili nuk është i pasur. Doni të bëjmë transparencë se ku shkojnë paratë? Po jua them me bindje dhe me përgjegjësi zyrtare: tek qytetarët që kanë më shumë nevojë nga të gjithë. Sot Kryeministri ka vendosur që të avancojë paketën me një shtesë për familjet në nevojë, të cilat kanë dalë për arsye të pikëzimit vitin e kaluar nga skema e asistencës sociale