
Në Manzë, Durrës, aty ku po ngrihet një lagje e re me 9 pallate për familjet që mbetën pa një strehë natën tragjike të tërmetit vijon puna me ritme të larta për të përfunduar apartamentet. Në kantierin e lagjes me 224 apartamente, e organizuar sipas të njëjtit koncept social të lagjeve të reja që po ngrihen nga Programi i Rindërtimit, ishte sot Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj.
“Është nga kantieret që filloi i fundit, por ritmet janë jashtëzakonisht të shpejta. Janë 224 apartamente për zonën e prekur të Manzës. Është ndërtuar gjithë infrastruktura nëntokësore, ndërkohë që janë gati 193 parkime. Si zonë rezidenciale i përngjan Thumanës, në Laç, “5 Majit” e Kombinatit në Tiranë, moderne si koncept arkitekture, por dhe si organizim social”, – u shpreh ministri Ahmetaj.
Kjo lagje e re do të ketë dhe një qendër sociale dhe kopshtin për fëmijët e familjeve që do të ngrenë jetën e tyre në këtë kompleks modern. “Në fund të vitit, e gjithë zona dorëzohet dhe besoj që 1 janari i 2022-it, familjet e dëmtuara do t’i gjejë në shtëpitë e reja. Shtëpitë janë falas dhe familjet që do të marrin shtëpitë i kanë falas dhe në gëzim të plotë”, – u shpreh ministri i Rindërtimit.
“Këtu, ne kemi bërë dhe një parashikim për banesa sociale, pra, përveç tyre që do strehohen në apartamente, kemi dhe një numër të vogël apartamentesh që ata që janë në zonë, që janë çifte të reja që kanë nevojë për strehim, të mos spostohen”, – tha kryebashkija e Durrësit, Emiriana Sako.
Durrësit është një nga qytetet më të prekura nga tërmetit dhe kantieret e Programit të Rindërtimit janë hapur e vijojnë me ritme jo vetëm në Manzë, por dhe në disa sajte të tjera për familjet që humbën strehën.