Lagjia 5 Maji, për 14 muaj gati për të akomoduar 11 mijë banorë. Qytetarët që shpronësohen përfitojnë 100% të sipërfaqeve aktuale.

  • Postuar më 27/02/2021

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj inspektoi sot ecurinë e punimeve në kanterin e lagjes së re 5 Maji në Tiranë, ku po ngrihen pallatet e para për banorët që do të akomodohen në banesat e reja.

“Do duhet të punojmë me tre turne sepse këtu plani është të mbarojë për 14 muaj e gjitha dhe nëse fitojmë dy- tre muaj për shkak të punës së përshpejtuar, do të jetë shumë mirë për qytetarët, që të hyjnë sa më shpejt në banesat e reja” – u shpreh Ministri, ndërsa sqaroi edhe që qeveria eshte duke përfunduar procedurën zyrtare të shpronësimit me shkëmbim për qytetarët.

“Ata që do të shpronësohen me shkëmbim, do të marrin 100% të metrave katrore që kanë sot në një pallat, në një kuartier me ndërtim shumë herë më të mirë, më të fortë dhe më të bukur.” – tha z. Ahmetaj.

Zoa e re e 5 Majit është konceptuar si një qendër e dytë e Tiranës e cila do të zgjerohet për t’u bashkuar me bulevardin e ri. Me rreth 580 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, në zonë  e re për zhvillim do të ndërtohen 51 godina banimi me rreth 3500 apartamente për 11 mijë banorë, 5 objekte publike ndër të cilat edhe godina e përbashkët e tatime-doganave, 3 objekte arsimore, ku përfshihet edhe një shkollë profesionale dhe qendra e IT “Network 42”. Dy godina sociale dhe 13 terrene sportive jane parashikuar gjithashtu në planin e zonës së re.

“Na është dashur shumë kohë për të projektuar, për të diskutuar, për të arritur në konkluzione, por në krahasim me cdo proces tjeter, ky proces ka qenë shumë i shpejtë dhe në pranverë 2022, nuk do të ketë më asnjë shenjë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në të gjithë zonën e dëmtuar. 5 Maji do të jetë një shembull i urbanizimit modern, të bukurës, të fortës, më të mirës dhe më ekonomikes në favor të qytetarëve.

Sic e tha dhe inxhinieri për 1 muaj këtu është bërë një punë kolosale. Në 14 muaj këtu do të jetë një qytet i ri, një qendër e re e Tiranës, e bashkuar edhe me bulevardin e ri. Kjo do të jetë një nga qendrat urbane, ekonomike, sociale më moderne në Shqipëri dhe një qendër e dytë e Kryeqytetit. Puna po ecën me shpejtësi si në të gjithë territorin. Tani kemi filluar me programin e pallateve në Tiranë tek 5 Maji, në Kombinat me një nga kuartierët e pallateve, pra në të gjithë territorin” – tha z. Ahmetaj.

Ne thuajse kemi mbaruar procedurën e shpronsimit me shkëmbim dhe qytetarët janë shumë të qartë. Dje bëmë një takim në njësinë 4 për të sqaruar qytetarët sesi do të përfitojnë. Pra ata që do të shpronësohen me shkëmbim, do të marrin 100% të metrave katrore që kanë sot në një pallat, në një kuartier me ndërtim shumë herë më të mirë, më të fortë dhe më të bukur.

Këtu është edhe godina e tatim-doganave, pra njësia e përbashkët. Pastaj është edhe shkolla profesionale , gjimnazi dhe godina e IT, ajo që e konceptojmë si qendër IT “Network 42”.

Sot rindërtimi është jo vetëm një proces i avancuar por është një shenjë e patjetërsueshme e besimit që kanë qytetarët tek qeveria. Premtuam që nuk do të lëmë asnjë vetëm, që nuk do të lemë askënd mbrapa dhe ja ku jemi, duke rindërtuar të gjitha zonat e dëmtuara nga tërmeti.