Kurbin, përfundon lagjia e re. 524 familje marrin në dorë çelësat e apartamenteve.

  • Postuar më 28/12/2021

Ka përfunduar lagjia e re e Kurbinit, një projekt i financuar nga qeveria turke, për
ndërtimin e 524 apartamenteve të cilat sot iu janë dorëzuar familjeve përfituese nga
programi i Rindërtimit.
Të pranishëm në ceremoni ishin Kryeministri Edi Rama, Zv. Kryeministri Arben
Ahmetaj, Ambasadori i Republikës së Turqisë Ahmet Yoruk, Kryetarja e Bashkisë së
Kurbinit Majlinda Cara dhe familjet që do të strehohen në apartamentet e reja.
Projekti i cili filloi punimet në gusht të vitit 2020, sikurse ishte premtuar, përfundoi
brenda një viti. Lagjia e re përfshin 524 apartamente, 400 vende parkimi dhe një qendër
tregtare. Ka përfunduar gjithashtu rehabilitimi i përroit të qytetit, një gangrenë e
kahershme që shkaktonte përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në zonë. Po në
kuadër të programit të Rindërtimit, në Laç vijon puna për ndërtimin e mbi 200
apartamenteve të tjera të financuara nga qeveria shqiptare, godinës së re të bashkisë,
spitalit të qytetit dhe komisariatit të policisë.
Fjala e Zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Do ndaj me ju një moment që kam marrë lejen ta ndaj, por jo nga Kryeministri në fakt,
nga zyra e tij, momentin kur Kryeministri së bashku me Presidentin e Turqisë, zotin
Erdogan, u ulën disa ditë pas tërmetit të nëntorit të 2019-s, ku Kryeministri i kërkoi
Presidentit të Turqisë ndihmë dhe kur Presidenti i Turqisë u shpreh që po, populli turk
dhe ai vetë do gjendej pranë popullit shqiptar. Kryeministri i kërkoi një gjë specifike: dua
ta bëj atë që më jepni për popullin tim, por dua ta bëj në Laç, dua ta bëj në Kurbin, aty
ku ka qenë epiqendra e dhimbjes së madhe të një populli të tërë. Fjalë e dhënë, fjalë e
mbajtur.
Majlinda, unë, të gjithë ne, Kryeministri mbi të gjitha, është marrë përditë më këtë
kantierin tonë, tuajin këtu dhe nuk kemi pasur pak halle, por ja ku jemi sot në një ditë të
shënuar, 524 familje marrin shtëpitë e tyre të reja falas.
Një falënderim të madh kam për qeverinë turke, Presidentin Erdogan, për ty
Ambasador, për përditshmërinë tënde në punë duke mos na lënë rehat asnjë sekondë
nëpërmjet njerëzve të tu, TOKIT, por edhe Servetit për të arritur së bashku këtë që
shohim sot.
T’i gëzoni shtëpitë tuaja, janë falas dhe t’i trashëgoni përjetë.
Është një moment i duhur dhe besoj që gjithë Shqipëria dëgjon dhe më besoni, gjithë
Shqipëria e ka pritur këtë mrekulli.

Dua të ndaj disa statistika të cilat nuk janë thjesht numra, brenda këtyre numrave ka
shumë shpirt të një qeverie, të një Kryeministri, të një mazhorance për të gjithë ju, për të
gjithë shqiptarët. Janë sot me statistikë 49 mijë familje shqiptare që kanë përfituar nga
të gjitha programet e rindërtimit. Ndërkohë do numëroj çfarë kemi dorëzuar deri tani nga
buxheti i shtetit: janë 1347 njësi individuale të dorëzuara, janë 1347 familje që sot kanë
hyrë në shtëpitë individuale, janë vetëm nga buxheti i shtetit, pa e numëruar këtë sot
këtu, 808 apartamente të dorëzuara, 808 familje që sot kanë një strehë më të mirë, më
të fortë, më të bukur se ajo që humbën me tërmetin dhe për ata njerëz që na dëgjojnë
dua t’i numëroj, në Tiranë janë 394 banesa individuale dhe 100 apartamente tek “ 5
Maji”, në Durrës 264 njësi individuale dhe 15 apartamente, në Kamëz janë 115 shtëpi
individuale dhe priten 24 pallate brenda Marsit të vitit 2022, në Kavajë janë 41 shtëpi
individuale dhe 153 apartamente që i dorëzuam dje, e vazhdon lista e gjatë dhe e gjatë,
e ndërkohë për vitin tjetër janë vetëm shtëpi individuale dhe grante rindërtimi, Tirana
432, Durrësi 254, Shijaku 235, Kamza 137, Kurbini 218, 27 Mirdita, 447 Vora, 77
Kavaja, 175 Lezha, 206 Rrogozhina, 519 Kruja dhe i thashë të gjitha këto për të gjithë
ata që presin me të drejtë, sigurisht që t’i kërkosh  familjeve  që janë pa strehë të presin,
nuk është gjithmonë e drejtë, dikush do të thotë po, por bonusi i qerave iu shërben. Po,
bonusi i qerave iu dha që ditën e parë nga ky Kryeministër, nga kjo qeveri, që asnjë
mos të mbetej pa strehë ashtu siç kishim premtuar, asnjë mbrapa, asnjë vetëm.
Dua ta mbyll duke e falënderuar serish qeverinë turke, popullin turk dhe Presidentin
Erdogan, dua ta falënderoj Majlindën, një grua e denjë në krye të Bashkisë së Kurbinit,
që përditë bëri punën e milingonës për të bërë të mundur që ju të gjithë këtu sot të keni
shtëpitë tuaja të reja më të mira, më të bukura, më të forta.
Gëzuar Vitin e Ri, t’i gëzoni, t’i trashëgoni shtëpitë e reja falas dhe shumë familje
shqiptare të tjera, ne 3 dhe 6  muajt që vijnë, do të kenë streha më të mira, më të
bukura dhe të reja.
Faleminderit!