Fjala në Kuvend e Zv.kryeministrit, 7 qershor

  • Postuar më 07/06/2022

Faleminderit drejtuese e seancës,
Duke dëgjuar kolegë e deputetë, e kthejnë këtë seancën për zgjedhësit si seancë
Migjeniane ku fillojnë dhe sjellin shembuj nga terreni duke i futur ato ngjyrat emocionale
të problematikës që diku-diku qëndrojnë, diku-diku janë të zmadhuara, por në raport me
realitetin janë irracionale. Përse janë irracionale? Një nga zonjat e nderuara të opozitës
tha – “ju krahasoheni me kohën e Partisë Demokratike”. Jo, nuk krahasohemi fare me
kohën e Partisë Demokratike kur keni qenë në pushtet, janë dy botë të ndryshme, dy
botë krejt të ndryshme që nuk kanë asnjë të krahasuar.
Që në momentin që flisni për oligarkë ka një statistikë, ka edhe një të vërtetë përtej
statistikës; që në momentin që flisni për çmime, ka një të vërtetë, ka edhe një të vërtetë
tjetër përtej asaj që thuhet këtu dhe do t’i them.
Tatim fitimi për kompanitë ka qenë 15%, sot biznesi i vogël paguan zero. Tani më thoni,
retorike është, por vetëm për t’ju rikujtuar, një qeveri oligarkësh e bën zero tatimin për
104 mijë biznese? Një qeveri oligarkësh e merr tatimin e biznesit të madh nga 10 e çon
15%, është qeveri oligarkësh? Sigurisht që pyetja është retorike. Përkundrazi. Po në
anën sociale, që sigurisht ka probleme Shqipëria, Shqipëria ka probleme sa të duash,
pafund. Doni t’ju lexoj, meqë shumica nga ju e ndjekin, një pasazh për çfarë po ndodh
në ekonominë amerikane? Fliste në të njëjtën mënyrë siç fliste zonja e nderuar përpara
meje për problematikën që po shkakton inflacioni. Patjetër, jemi në moment krize dhe
inflacioni, çfarë është inflacioni për qytetarët? Se dëgjojnë inflacioni, inflacioni, sigurisht
sa më i madh të jetë inflacioni, po e themi me fjalë të thjeshta, aq më gërryes është për
të ardhurat dhe ju kam sjellë një tabelë, më tepër për informacion por për të furnizuar
këtë racionalitetin politik dhe ekonomik të momentit.
Ja ku është inflacioni i gjithë rajonit, Shqipëria e ka 6.2% dhe më i larti  e ka Bosnja dhe
Hercegovina 13.2%. Për sqarim, Shqipëria e ka më të ulëtin. Tani, kur bëjmë këtë
diskutimin këtu, Migjenian, pa të drejtë, jo racional, e dini pse e ka Shqipëria inflacionin
6.2%? Për një arsye shumë të madhe, plus një arsye tjetër në zhvillim: arsyeja e parë
është që ne subvencionojmë totalisht rritjen e çmimit të energjisë, që do të thotë për
qytetarët, një qytetar që ka paguar 50 mijë lekë të vjetra përpara një vit, sërish paguan
50 mijë lekë vjetra. Po çmimin e dini sa ka shkuar? 5-fish! Po këto 200 mijë lekë të
vjetra, çfarë janë këto? Këto janë subvencion nga buxheti i shtetit për familjet e për
qytetarët shqiptarë.
Meqë këtu u bë një pyetje që seriozisht nuk dua ta komentoj, që shkon inflacioni lart, të
ardhurat lart, që shpërndahen te kompanitë, domethënë për çdo ekonomist apo
financier, çfarëdolloj të denjë apo jo të denjë ta ketë edukimin, po ju them që inflacioni,
po, krijon një të ardhur momentale në buxhet të shtetit që për teknikët quhet senjorazh,
për ne qytetarët quhet një e ardhur momentale për shkak të rritjes së çmimeve, por në
anën tjetër çfarë krijon? Atë që thashë, gërryerjen në të ardhura. Çfarë bën qeveria?
Vendos amortizatorë. Çfarë amortizatorësh vendos kjo qeveri, që është sociale? Ju
thashë subvencionin e energjisë, ju solla shembullin fare të thjeshtë për ta kuptuar ne
dhe çdo qytetar, 50 në 250 mijë lekë të vjetra. Po në anën tjetër? Si e nisëm vitin e ri?

Me 15 mijë nëna me 3 fëmijë që marrin dyfishin e ndihmës ekonomike. Po më pas?
Paketat e pandemisë, pastaj paketa ekskluzive për atë që quhet mbajtja e të ardhurave
duke subvencionuar shtresat në nevojë dhe jo vetëm.
Po rindërtimi? Rindërtimi është programi më social, më social i parë jo në 30 vite, por
merrni të gjithë shembujt globalë në raste të ngjashme fatkeqësish dhe keni dhe rastin
tuaj, e mbani mend Shkodrën, e keni për meritë të Shkodrës, e keni bastion, u përmbyt,
premtuat që do t’i dëmshpërblenit, nuk i dëmshpërblyet, i dëmshpërblyem ne.
Po e mbani mend, se tani mu kujtua, ‘97-ta. I shkatërruat skemat piramidale, që aty ka
filluar koncepti i subvencionit nga ana jonë. I gritë, u detyrua qeveria shqiptare e po të
njëjtës mazhorancë me te sotmen të subvenciononte, prandaj mos flisni më për pjesë
sociale. Kur flisni si të djathtë, flisni si të djathtë; kur vini këtu mos u bëni Migjenianë,
lidhuni me faktet dhe këtë punën e çmimeve dua që ta kuptoni.
Çmimet janë konsekuencë ndërkombëtare, kemi thënë 100 herë, konsekuencë
ndërkombëtare, të gjitha vendet e rajonit dhe të botës, listën prapë e kam këtu, e kanë
inflacionin në qiell, ne e kemi një ndër më të ulëtat, më të ulëtin në rajon.
Nuk ju thashë arsyen e dytë, ju thashë subvencionin e energjisë, po është rritur
prodhimi vendas. Kjo është arsyeja që amortizatorët direkt dhe indirekt kanë
funksionuar dhe në të njëjtën kohë, sigurisht që edhe Autoriteti Monetar në anën tjetër
bën të vetën, me instrumentet e veta ligjorë për të balancuar çmimet dhe për të
balancuar inflacionin. Dhe mos harroni që, ne këtu, me atë përgjegjësi që kemi secili
apo që duhet të kemi, për ta thënë më mirë, duhet të kuptojmë që lufta, invazioni rus në
Ukrainë nuk i ka efektet vetëm të sotme dhe të gjithë ata që marrin mundimin të ndjekin,
të lexojnë dhe të kuptojnë, e kuptojnë që e ardhmja e pjesës europiane por edhe një
pjese tjetër të globit, nuk do ta ketë të thjeshtë, sepse mungojnë të korrat, të mbjellat
këtë vit, rrugët e transportit dhe rrugët e furnizimit kanë problematikat e tyre,
konsekuenca e çmimeve të energjisë rrit kostot e prodhimit, ul produktivitetin, paniku në
tregje bën të njëjtën gjë, kështu që kur flasim dua të që jemi jashtëzakonisht shumë
racional.
A mund të bëjë qeveria më tepër? Po patjetër, çfarë ka bërë qeveria më tepër? E ka
furnizuar terrenin ekonomik me paketa ndihme subvencionesh, me politika sociale, me
subvencion të energjisë, me një politikë të tërë për rindërtimin. 352 kompani kanë
përfituar kontrata nga rindërtimi, 352 kompani. Jepni informacion të denjë, doni ta
debatoni me mua, e keni statistikë zyrtare, janë gati 212 në mos gabohem, kompani që
kanë përfituar kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe një numër shumë i
konsiderueshëm, mbi 100 e ca në bashkinë e Tiranës.
Po a e dini sa kompani rrugësh merrnin tendera dikur? E dini? 4 kompani e gjysmë. Po
pse them 4 kompani e gjysmë, se atë gjysmën e quanit njëherë socialiste pastaj e
quanit të PD-së dhe nuk i jepnit gjë, e imagjinoni një proces transparent me shumë njësi
kontraktuese dhe me 352 kompani dhe diskutoni, po mo kemi bërë gjënë e denjë për
një ekonomi që kalon në risk siç kalon ekonomia shqiptare dhe gjithë ekonomitë e

rajonit, që kemi kaluar Aktin Normativ për t’ju njohur rritjen e çmimeve të çimentos edhe
të hekurit, gjëja e duhur për dy arsye.
Po mirë, kaloni njëherë në anën tjetër, si mendoni ju, që të lihen investimet publike në
mes të rrugës se janë rritur kostot e operacioneve ekonomike dhe të produkteve? Çfarë
bën një qeveri, rri duarkryq dhe shikon, thotë: le të vejë në djall kjo gjë, rëndësi ka që
krahu i djathtë të mos jetë Migjenian. Jo mo jo, do bëjmë gjënë e duhur, kemi bërë
gjënë e duhur, do vazhdojmë të bëjmë gjënë e duhur dhe, po, nëse do ketë nevojë për
paketa sociale, prapë do bëjmë paketa sociale dhe po ju them që investimet në
infrastrukturë në këto mandate të Partisë Socialiste janë spektakolare.
A e kishit menduar ndonjëherë që brenda kësaj dekade të kishit 3 aeroporte, ja po
bëhet i Vlorës për 24 muaj, Kukësi atje, Tirana po kalon 6 milionë vizitorë; 2.4 milionë e
keni pasur, 2.4 milionë në kohën tuaj të lavdishme, nuk arrijnë më terminalet tani.
Faleminderit.