Fjala e Zv.kryeministrit në Kuvend, 7 Korrik

  • Postuar më 07/07/2022

E nderuar Zonja Kryetare e Seancës,

 

U bënë tre orë e gjysëm apo katër që diskutojmë për një rezolutë shumë të rëndësishme dhe e shoh që deputetët e opozitës gjejnë arsye pas arsye, në legjitimitet të tyre, edhe me amendamentet për të folur, por një kujtesë dua ta bëj.

Z. Balla nuk shprehu asnjë fjalë fyese për askënd. Z. Balla iu referua një ngjarje, një të vërtete, që është në dokumentet e Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria në atë kohë u cilësua si vendi që ka thyer embargon. Dhe po ju kujtoj shifrat: janë eksportuar nga Shqipëria 1,7 milion ton naftë. Vetëm në vitin 1994 kanë qenë 4.2 miliardë lekë akcizë dhe atëherë dollari ka qenë me 300 lekë. Kështu që kuptojeni çfarë i keni bërë makinës së luftës së Milosheviçit.

Dhe kur dënohen krimet, dënohen gjithandej, edhe ato krime që janë bërë që këtu. Po pse, të thyesh embargon dhe të financosh luftën e serbëve dhe gjithë milicisë që kanë shërbyer për serbët atëherë, nuk paska qenë krim?

Dhe tjetra është që për të vënë shenjën e opozitës nuk është e thënë që të bësh amendamente. Nëse rezolutës që ka propozuar Partia Socialiste, mazhoranca, i mungon ndonjë gjë, hajde ta shtojmë, po vetëm për të vënë shenja, ju vetë thatë që duhet të ngrihemi mbi palët. Ngritja mbi palët është një rezolutë kuadër, shumë dinjitoze, që votohet nga të tre a katër palët, për sa jemi.

Faleminderit!