Fjala e Zv.Kryeministrit në Kuvend, 30 qershor

  • Postuar më 30/06/2022

Faleminderit Zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë.

Debati është për një Akt Normativ që në titull ka kompensimin. Pyetja është fare e thjeshtë, çfarë është duke bërë qeveria me këtë akt dhe a ka logjikë vazhduese të filozofisë së një qeverie ky akt? A del ky akt jashtë logjikës së përditshme në këndvështrimin e menaxhimit të efekteve të krizës, që nga qytetarët në nevojë dhe deri tek sipërmarrjet e vogla dhe të mesme? Gjithë kjo histori duhet parë si një e tërë, pastaj të kalojmë në racionalitetin e shifrave dhe deri tek detajet teknike apo detajet ekonomike.

Atëherë, në aspektin e panoramës së mbështetjes, çfarë ka bërë qeveria në 3 vite? Dhe me shumë qetësi dhe përulësi i ftoj të gjitha palët, madje dhe qytetarët, që të analizojnë veprimet e qeverisë në të tre vitet që kanë kaluar. Janë 3 vite krize, 3 kriza të ndryshme, por sigurisht që unë do fokusohem tek pjesa e subvencioneve dhe e kompensimit që ka bërë qeveria në këto vite.

E para, është marrë me qytetarët që kanë humbur shtëpitë, një filozofi e drejtpërdrejtë sociale, subvencionuese, shtëpi falas, grante për të rindërtuar apo për të meremetuar shtëpitë. E paprecedentë nga ana sociale, e paprecedentë nga asnjë vend,  asnjë  vend s’e ka bërë, kanë dhënë kredi dhe kreditë kanë zgjatur dhe me nga 25 e 30 vite.

E dyta, çfarë bëri në pandemi? Në pandemi injektoi për familjet në nevojë dhe preku gati gjysmë milionë qytetarë dhe sot është fakt, ju ftoj ta shihni, nëse doni politikisht, nëse doni teknikisht, nëse doni si qytetarë, nëse doni si deputetë, çfarë ndodhi me ekonominë. Banka Botërore e ka thënë, 50 mijë vende pune u shpëtuan nga ajo që bëri qeveria. Po pastaj çfarë ndodhi? Vjen kategoria e dytë, qytetarë të cilët kanë sipërmarrje të vogla të cilët paguajnë zero taksa, pra vazhdimësia e një filozofie në mbështetje të qytetarëve të zakonshëm dhe atyre që kanë më shumë nevojë. Taksa zero, ma gjeni precedentin në Europë, po deshët dilni dhe përtej, rajon po e po, nuk ka. Çfarë do të thotë kjo? Është filozofia e mbështetjes së një zhvillimi ekonomik me sytë tek qytetari i zakonshëm. Taksa zero për biznesin e vogël.

Po ata që paguajnë më pak? Pjesa më e madhe e tyre nuk paguajnë asnjë taksë, dikush nga e djathta më thoshte dikur, kur e propozuam, “është e padrejtë, duhet t’i taksoni”. Jo, është e drejtë, nuk do t’i taksojmë, madje tavanin në vazhdimësi do ta rrisim.

E çfarë ndodhi me pandeminë? U injektua një paketë për t’i ndihmuar, për të ndihmuar biznesin e vogël dhe biznesin e madh, e njëjta filozofi, nuk ka asnjë lloj diference dhe asnjë lloj ndryshimi në atë piketim tek qytetari i zakonshëm dhe tek sipërmarrja e vogël.

Vazhdojmë më tej me krizën e shkaktuar nga invazioni rus në Ukrainë. Tani debati, se filloi debati para disa muajsh, jo po fajin e ka qeveria për çmimet, nuk ka lidhje lufta në Ukrainë etj., etj. Sot, shyqyr Zotit keni lexuar 7 faqe dhe tek të 7-ta keni gjetur që po, gjithë bota globalisht e ka pranuar që kriza e çmimeve është konsekuencë e shumëfishtë e invazionit rus, që nga energjia dhe deri tek ushqimet dhe nuk dihet sa do vazhdojë.

Çfarë bëri qeveria? Një paketë injektuese për qytetarët në nevojë dhe për pensionistët. E para, ndryshon filozofia? Jo, nuk ndryshon filozofia. Çfarë bëri më tej? Vendosi të mbante çmimet e energjisë si asgjëkundi tjetër, si asgjëkundi tjetër, të pandryshuara për familjet dhe për biznesin e vogël. Gjejeni një rast tjetër. Vazhdojmë më tej, u fut tek transporti publik 100 lek për litër, në mënyrë që qytetarët sigurisht të ndryshojnë sjelljen e tyre konsumatore dhe të kalojnë nga konsumi i naftës tek transporti publik i subvencionuar. E njëjta gjë ndodhi me fermerët dhe shumë shpejt do shtojmë edhe një 500 milionësh për fermerët, edhe një 500 milionësh për naftën për fermerët, patjetër.

Vazhdojmë me pjesën tjetër të paketës, ndihmë për peshkimin gjithashtu. Të gjitha këto çfarë filozofie kanë? Filozofinë sociale të majtë, purifikisht të majtë, të një qeverie të majtë, të një mazhorance të majtë që praktikisht ka ardhur të mbështesë 100% të qytetarëve dhe në fokus ka qytetarin e zakonshëm si konsumator dhe si qytetar që ka nevojë të ndihmohet në raste krizash. Më thoni çfarë ka bërë qeveria? Ka bërë të njëjtën gjë të konsoliduar, pa asnjë ndryshim, ka mbështetur qytetarin e zakonshëm.

Tani ju duhet ta vendosni, ju me demek të djathtët se ne të majtët jemi shumë të qartë. Ne themi që jemi këtu për të gjithë. Ju jeni vetëm për një 3%-sh. Ne vijmë këtu dhe themi që investimet publike kanë një ngërç, por çfarë ngërçi, pse vjen ngërçi? Nga çmimet. Po sa janë rritur çmimet tha këtu një deputet përpara. Janë rritur edhe 40%, 50%, edhe 127%, që nga hekuri, që nga betoni, që nga markat e betonit të ndryshme etj., etj. Çfarë bën qeveria? Kompenson në favor të çfarë? Në favor të investimeve publike. Ku shkojnë ato para? Në ekonomi, nuk ka ngelur shtresë në Shqipëri pa u mbështetur.

A, pyetja sa mbështeten?. Sigurisht që edhe në Kushtetutë thuhet, qeveria vepron brenda mundësive të veta, edhe kur premton një të drejtë statutore, edhe kur premton një subvencion, e gjitha është në raport me mundësinë dhe mundësia fillon kufizohet që nga borxhi e deri tek të ardhurat etj, etj, s’kam nevojë të bëj leksion këtu.

Kjo është ajo që po bëjmë ne me këtë Akt Normativ, ne po injektojmë sërish në ekonomi, në një mënyrë tejet transparente, është shumë transparente 5%-30%. Mund të ketë çmime të rritura edhe 127%, sepse ka, por nuk i marrim parasysh sepse mundësitë nuk na lejojnë, se po të kishim mundësi të tjera sigurisht që do t’i bënim. Dhe çfarë ka ndodhur, se bëjmë debat, politikat janë të drejta, s’janë të drejta, janë të gabuara s’janë të gabuara. Për ju dhe për një deputet që, në respekt të tij po i referohem, e kupton shumë mirë ekonominë. Po çfarë ka ndodhur me ekonominë i dashur?

Ekonomia është rritur, është e vetmja ekonomi në rajon që ka mbajtur ritmin gati 6%. Po pse është e rastësishme kjo, nga vjen kjo? Me frymën e Zotit vjen kjo vetëm? Nuk ka lidhje fare kjo me politikat e qeverisë? Nuk ka lidhje kjo me injektimin? Po, ka. Pse konsumi i popullatës është rritur në ato nivele? Cila është arsyeja? Nuk paska këtu kontribut injektimi? Po mirë, si ka mundësi siç i referoheni “çmimi i naftës është më i larti në Europë” dhe nuk është dhe ndërkohë ju i shikoni që konsumi, ndërtimi, tregtia, argëtimi, akomodimi janë të rritura. Edhe bujqësia, përveç blegtorisë ka rritje të ndjeshme në prodhim, që nga perimet e duke vazhduar më tej. Edhe bujqësia që në finale vuan pasojat e kostove të rritura globale, që nga nafta e nga pesticidet etj. Nga se vjen kjo, vjen se vijmë këtu dhe flasim kodra pas bregut? Absolutisht jo, kjo vjen për shkak të politikave injektuese, subvencionuese, fiskale, ekonomike, financiare të qarta.

Po pyetjen e bëni pse janë rritur kursimet? Janë rekord kursimet, nominalisht, rekord. Cila është arsyeja? Po investimet që janë rritur, cila është arsyeja? E dini që është dyshifrore, dyshifrore është rritja. Sigurisht që situata nuk është rozë, atje tej ka një rrezik për ekonominë që është ajo spiralja negative e mundshme për shkak të çmimeve të larta, çmimet e larta janë kolerë, inflacioni është kolerë ekonomie, sigurisht. Si luftohet? Po kur ne nuk rritim çmimin e energjisë, sigurisht që është tendencë për të frenuar inflacionin, kur injektojmë është sigurisht një instrument për ta mbajtur inflacionin të kontrolluar dhe të ardhurën të furnizuar, të ardhurën e qytetarit të zakonshëm, nga buxheti i shtetit, po nga buxheti i shtetit, është rekord more, është rekord injektimi, është gati 2.3% e GDP-së, 450 milionë dollarë vetëm tani dhe vendoseni në jeni të djathtë, a jeni gjysmë të djathtë a gjysmë të majtë, vendoseni.

Ne jemi të majtë, ne jemi mazhorancë e majtë dhe ne do t’i mbështesim të gjitha shtresat në nevojë. E kemi mbështetur biznesin e vogël, kemi mbështetur qytetarin në nevojë, kemi mbështetur familjet me shumë fëmijë, kemi mbështetur pensionistët brenda mundësive, duam shumë më shumë të vazhdojmë me një paketë të re nëse do jetë nevoja në vjeshtë, po ja u them tani, po do vazhdojmë, tani vijmë dhe bëjmë një instrument kompensimi transparent për kostot e rritura të investimeve publike që janë në favor të ekonomisë. E patë, ndërtimi dhe tregtia së bashku me akomodimin janë dy kontribuuesit më të mëdhenj në ekonomi. Edhe një gjë tjetër, vetëm për rekord, ju thoni që çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti, sigurisht që është i lartë, nuk është më i larti, ja ku e keni, ka shumë shtete të Europës që e kanë më të lartë prandaj mos i gënjeni qytetarët.

Faleminderit!