Eurobondi, një tjetër provë e suksesshme besimi për Shqipërinë në tregjet ndërkombëtare

  • Postuar më 10/06/2020

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Konferencën e përbashkët me Kryeministrin dhe Ministren e Financave pas mbylljes së transaksionit të Eurobondit:

Unë nuk do të fokusohem në planin 2030, por sigurisht që procesin e Eurobondit do ta lidh me një proces në rritje besimi ndaj republikës së Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare.

17 shkurti është njësoj me 9 qershorin. 17 shkurti i këtij viti tregoi besimin e komunitetit ndërkombëtar në mbështetje ndaj shqiptarëve dhe ndaj autoriteteve për të zhdukur pasojat e  një tërmeti të rëndë, të pakrahasueshëm me shumë herë të tjera që kanë ndodhur në Shqipëri.

Dhe 9 qershori ishte po një rikonfirmim besimi ndaj ekonomisë shqiptare, ndaj vendit dhe ndaj autoriteteve.

Dua të ndaj me ju si gazetarë, por edhe me qytetarët që na ndjekin, dy episode në kohë të ndryshme: Një episod që ka të bëjë me 2010. Pyetja fare retorike do ishte: “Pse atëherë na trajtuan me 7.5% dhe na tregtuan me 11% atë Eurobond që nxorri qeveria e atëhershme? Pse nuk na trajtuan me 3%? Pse nuk na trajtuan me 3.5%? Nuk ishim të besueshëm, ishim konsideruar një vend, një autoritet me risk. Ju kujtoj juve si gazetarë ekonomie, shumë nga ju kanë vite: “Pse  asaj qeverie të vitit 2012 Banka Botërore refuzoi t’i jepte borxh 300 milionë dollarë”? Se ishim të pabesueshëm, sepse shteti, vendi dhe ekonomia, shkonte në rrokopujë.

Po marrim momentin e vitit 2015, në fillim te reformave të kësaj qeverie. Pse u ul primi me riskun?
Ta shpjegoj për qytetarët çfarë do të thotë primi me riskun: kur dikush, një entitet apo shtet, shkon në treg të marrë borxh konsiderohet me risk të ulët, me risk të lartë, ose me risk 0. Na konsideruan me risk mesatar, sepse do duhet të jepnim akoma prova nëpërmjet reformave.

Çfarë ndodhi në 2018, kur reformat kishin filluar të jepnin gjithë frytet për qytetarët dhe për ekonominë? Na konsideruan me risk 0. Çfarë ndodhi dje ?

Dje, dhe episodet janë shumë të rëndësishme për t’i ndarë me qytetarët, pastaj të japim dhe shpjegimet çfarë borxhi është, dje na kanë konsideruar me risk 0 për shkak të vazhdimit te reformave, të transparencës së librave të  Shqipërisë dhe të drejtimit të autoriteteve ndaj ekonomisë dhe ndaj reformave institucionale.

Episodi i rëndësishëm dje, të cilin dua ta ndaj me qytetarët, ishte se e filluam me 4.125 çmimi fillestar, ata që merren me ekonominë familjare apo edhe me banking e kuptojnë shumë mirë.

Të dy herët që tentuam zbritjen për të shkuar në 3.625 me risk me premium 0 , nuk na u larguan investitorët. Libri qëndroi mbi 3 miliardë, gjë që tregon një besim të palëkundur tek reformat, tek autoritetet dhe tek konsolidimi fiskal.

Dëgjova përpara se të vija këtu, dhe vetëm rrugës e rimora seriozitetin që ka domosdoshmëri dhe meriton ky moment së bashku, një përfaqësues  i opozitës iu referua  krahasimit.

Kryeministri iu referua, nuk është e drejtë të krahasohemi sepse çdo vend ka përpjekjen e vet por Maqedonia  është 2B , ne jemi B1 , që do të thotë që përsa i përket agjensive që na rankojnë paraqitemi jo njësoj. E megjithatë tregu na trajtoi më mirë, na trajtoi më mirë dhe kur dëgjoja një përfaqësues të opozitës tha: “Sa më afatgjatë të jetë kredia, aq me i ulët do jetë interesi.”
Po ju qytetarë keni marrë kredi, bonot e thesarit,  njësoj është 12 mujori me 5-vjecarin, me 10-vjecarin?  Realisht më erdhi keq, se do më duhet të debatoj me këta njerëz për të mirën e vendit, por gjithsesi unë së bashku me këdo që vijmë dhe përfaqësojmë në momente të ndryshme qëndrimet e qeverisë apo të vendit, do duhet të jemi të përgjegjshëm.

Nuk është borxh në traditë të borxhit, është test për vendin.

Patjetër që shtetet të gjitha dalin në tregjet ndërkombëtare.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë dalë me gati 2 trilion së fundmi. Në treg dalin.

Ka dalë edhe Kroacia, ka dalë Maqedonia, ka dalë Zimbabve, ka dalë Serbia. Nuk trajtohen të gjithë njësoj nga tregu dhe mbi të gjitha po të marrim logjikën e kundërt nga qytetarët, që ne të ktheheshim dje nga tregu dhe të thonim “nuk na e dhanë se s’jemi të besueshëm por na e dhanë me 11% . Çfarë do thonit ? Primium 0 risk dhe do përdoren, siç iu referua edhe Kryeministri, për planin 2030, do të përdoren për të financuar operacionet e qeverisë, do të përdoren për projektet prioritare, do të përdoren për paketën e zgjeruar sociale dhe për rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm që i ka iniciuar Kryeministri.

Faleminderit!