Ekonomia rritet me 17.89% në tremujorin e dytë të vitit

  • Postuar më 30/09/2021

Përshëndetje,

Sot dua të ndaj me ju një zhvillim shumë pozitiv për ekonominë, që konfirmon jo vetëm pritshmëritë tona, por edhe atë bindje që  kemi theksuar gjatë muajve të fundit për ringritjen dhe rimëkëmbjen graduale, por të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik, pas impaktit të tërmetit e pandemisë.

Në tremujorin e dytë të vitit 2021, Produkti i Brendshëm Bruto, pra ekonomia u rrit me 17.89%, krahasuar me të njëjtin tremujor në 2020, që përkoi me nisjen, e më tej përshkallëzimin e pandemisë. E mbani mend, një vit më parë në tremujorin e dytë ekonomia pësoi një rënie drastike prej rreth -11%, të krahasueshme vetëm me vitin ’97, për t’u rikthyer më pas në terren pozitiv vetëm në tremujorin e fundit të vitit.

Sa i përket performancës së sektorëve ekonomikë, krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë, degët kryesore të ekonomisë shënojnë rritje të konsiderueshme, gati dyshifrore: do veçoja ndërtimin me rritje 41.6%, që reflekton sigurisht edhe gjithë atë volum punimesh në infrastrukturë, ujësjellësa dhe sigurisht rindërtimi. Janë mbi 3200 kantierë të rindërtimit për transformimin e të gjithë zonës së dëmtuar nga tërmeti, siç i keni parë shkollat, kopshtet, banesat dhe qendrat e reja urbane të rikrijuara nga e para. Industria nxjerrëse, përpunuese, uji, energjia po kështu kanë një rritje domethënëse prej mbi 39%, pasuar nga tregtia, transporti dhe hotelet me rreth 31,8%.

Pra siç e shihni të gjitha rritjet janë dyshifrore.

Sinjali tjetër pozitiv vjen nga kahu i shpenzimeve. Besoj që qytetarët natyrshëm dëgjojnë të gjithë diksorsin politik që tenton të bëjë ping-pong, por statistikat janë të rëndësishme dhe sigurisht, aty, po edhe tek konsumi familjar dhe investimet ndihet ringritja dhe rimëkëmbja ekonomike që fatmirësisht për shkak të politikave të qeverisë, për shkak të staminës së sipërmarrjes dhe të gjithë atyre elementëve që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë dhe tërmetit, praktikisht po japin efektet pozitive në ekonomi.

  • Së pari konsumi final i popullatës, pra shpenzimet që bëjnë familjet dhe aktorët e tjerë, është rritur me rreth 10% krahasuar me një vit më parë, saktësisht 9.83;
  • Së dyti, ai që i referohemi teknikisht formimi bruto i kapitalit fiks, që janë investimet që bëjnë sipërmarrjet për të rritur kapacitetet e prodhimit, është rritur me 35.7%;
  • Ndërsa performancë tejet pozitive kanë shënuar edhe eksportet, sidomos të shërbimeve dhe importet të cilat janë rritur përkatësisht me 130.5% eksportet që janë të lidhura edhe me rritjen e kapaciteteve prodhuese, por edhe me konkurrueshmërinë dhe 53.6% importet, që reflektojnë dhe tek konsumi por edhe tek kapacitetet prodhuese sepse një pjesë e mirë e importit janë makineri dhe pajisje.

Këto nuk janë më shenja, por janë trende të shërimit ekonomik, që po vazhdon dhe konsolidohet dita-ditës, falë një menaxhimi të kujdesshëm pas tërmetit e pandemisë. Ne ndoqëm një politikë fiskale ekspansioniste, si shumëkush në Europë dhe glob,  për të akomoduar nevojat e lidhura me pandeminë në aspektin shëndetësor dhe për të zbutur goditjen në ekonomi përmes paketave mbështetëse të drejtpërdrejta për biznesin, të punësuarit dhe kategoritë në nevojë.

Një paketë gjithëpërfshirëse prej 80 miliardë lekë, ka qenë mbështetje e dedikuar për menaxhimin e efekteve të pandemisë, e barabartë me 5% të PBB-së.

Përmes pagave të luftës dhe instrumenteve të garancisë sovrane, u mbështetën gati gjysma e të punësuarve në sektorin privat në mbi 83,700 biznese.

Dyfishuam ndihmën ekonomike në vitin 2020 dhe 2021, dyfishuam dhe pagesën e papunësisë, garantuam rimbursimin e barnave të paketës për trajtimin e virusit, falëm kamatëvonesat e energjisë elektrike për mbi 210 mijë konsumatorë dhe riskeduluam deklarimet e bizneseve për vitin 2021.

Ndërhyrja e kujdesshme që bëmë në ekonomi, shpërbleu mbrapsht:

Në janar 2021 ne i rifituam të gjithë vendet e punës që u humbën për shkak të pandemisë. 692,468 të punësuar, nga rreth 686 mijë në janar 2020.

Po kështu, rritja ekonomike siç e tregoi tremujori i pare dhe tremujori i dytë, po rikthehet në trajektore të konsoliduar pozitive drejt objektivit tonë për një rritje mesatare vjetore prej mbi 4.5% në vitet e mandatit të tretë.

Rimëkëmbja do të mbetet prioriteti kryesor për punën tonë, përmes një plani të detajuar të Rimëkëmbjes dhe të zhvillimit e ekspansionit ekonomik 2030, do të krijojmë më shumë vende të reja pune duke mbështetur sektorët ekonomik më të prekur si turizmi, bizneset e transporti: 50 milionë euro mbështetje për sipërmarrjet në sektorin e turizmit dhe manifakturës, si garanci për kreditim apo zgjatje të afatit të kredive ekzistuese, apo 5 milionë euro për sipërmarrjet në fushën e transportit, mbështetje për sipërmarrjet IT dhe start up-et e të rinjve etj.

Këto janë trendë të konsoliduara që tregojnë ringritjen ekonomike, kemi shumë për të bërë përpara për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të rritur të ardhurat për frymë, për të rritur punësimin dhe për të ndihmuar ata më shumë në nevojë dhe të rinjtë, që të bëhen pjesë aktive e ekonomisë shqiptare.

Faleminderit.