
Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj është takuar sot në Annkara me Ministrin Turk të Mjedisit dhe Urbanizimit z. Murat Kurum, në kuadër të vizitës zyrtare të delegacionit shqiptar që shoqëron Kryeministrin Edi Rama.
Turqia është një nga donatorët më të mëdhenj të rindërtimit, që ka financuar dhe po zbaton punimet për ndërtimin e lagjes së re në Kurbin, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë. Dy blloqt e para të pallateve janë aktualisht në përfundim, ndërsa në fund të muajit gusht pritet përfundimi edhe i pallateve të tjerë dhe akomodimi i plotë i të gjithë familjeve në lagjen e re të rindërtuar pas tërmetit.
Biseda e dy Ministrave është fokusuar në ecurinë e projektit që po zbatohet nga qeveria turke dhe zbatimin e programit të Rindërtimit në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nentorit 2019.