Dy shkolla të reja hapin dyert për nxënësit dhe mësuesit në Durrës

  • Postuar më 16/12/2020

Dy shkolla të reja nga Programi i Rindërtimit kanë hapur dyert në Durrës, duke bërë realitet angazhimin për ta kthyer tragjedinë në një mundësi të re për fëmijët e mësuesit.

Shkolla “Adem Gjeli” në Ishëm është një prej shkollave ku nxënësit dhe mësuesit janë kthyer në kushte të pakrahasueshme me më parë. Po ashtu komuniteti ka fituar një hapësirë të re për aktivitete sportive jashtë orarit shkollor. Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Arsimit Evis Kushi dhe me ministrin e Shteti për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, të shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ishin në këtë shkolle me standarde njësoj si çdo shkollë në vendet e Bashkimit Europian. Dhjetë klasa, bibliotekë, laborator, palestër dhe ambiente ndihmëse, të cilat të pyetur nga Kryeministri, vetë nxënësit u shprehën se janë ”më e të mira e të bukura” se shkolla që kishin.

Për disa minuta, Kryeministri iu rikthye pasionit të vjetër, ndërsa ka jo vetëm ndjekur një lojë basketbolli mes një grupi nxënësish, por edhe ka ndërvepruar me ta.

 

***

 

Sapo ka hapur dyert edhe shkolla 9-vjeçare “Xhelal Shtufi” në Shkafanë. Si çdo shkollë tjetër e Programit të Rindërtimit, edhe “Xhelal Shtufi” është e pakrahasueshme godinën e mëparshme për nga standardet, cilësia dhe paraqitja.

Kryeministri Rama u ndal për disa minuta në disa nga klasat e shkollës ku mësimi zhvillohet në përputhje me protokollin anti-COVID. Përveç 15 klasave të rinovuara dhe laboratorëve, element i veçantë janë parcelat e botanikës, ndërsa nuk mungon as palestra me parametra optimalë. “Këtë palestër nuk e kishim kur luanim basketboll profesionist dhe gjysmë profesionist. Shkonim tek Qyteti Studenti ku ishte një sallë më e vogël se kjo. Kështu që kushtet i ke ideale për t’iu futur në gjak sportin”, – u shpreh Kryeministri në një bisedë të shkurtër me mësuesin e fizkulturës.

Edhe infermieria është tashmë pjesë e infrastrukturës së shkollës.

Synimi i Programit të Rindërtimit është jo vetëm ringritja e godinave të dëmtuara, por edhe kthimi i tyre në struktura shumë më të forta e më të bukura se më parë.