Durrës, vijon puna për riforcimin e pallateve me dëme të rënda DS4

  • Postuar më 29/06/2021

Rindërtimi në Durrës po vijon pandërprerë në objektet me dëmtime të konsiderueshme të nivelit DS4. Aktualisht janë hapur 11 kantiere, ndërsa për shumë objekte të tjera janë miratuar projektet. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj  ishin sot në Durrës, për të parë nga afër ecurinë e punës në disa prej pallateve të dëmtuara më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ky pallat, i cili po rindërtohet u kthye në simbol të tërmetit të goditjes që pësoi Durrësi’, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako për një prej objekteve me dëmtime të dukshme në strukturë. “Janë 281 familje nga të cilat 150 marrin rregullisht bonusin e qerasë. Kemi filluar procesin e riforcimit. Është loti i dytë që ka filluar nga puna. Kemi aktualisht 11 objekte të nivelit të dëmit DS4 që janë në kantier. Ndërhyrja do të bëhet nga bodrumi deri në katin e pestë banim, sa i takon forcimit të strukturës. Do të ndërtohen dhe mure betoni, të cilat kanë të bëjnë me stabilitetin e objektit”, – shpjegoi kryebashkiakia Sako, ndërsa informoi se “janë 11 objekte për të cilat kemi hapur kantieret. 11 objekte i kemi për financim. Rreth 55 objekte të tjera janë në proces me institutin, pra, është në fazë dorëzimi projekti dhe instituti bën oponencat e projekteve. Këto janë vetëm pallate. Sa i takon banesave, janë 70 banesa individuale që kanë përfunduar dhe jemi në proces për financimin e tyre.”

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj u shpreh se procedurat po vijojnë edhe për lotet e tjera në Programin e Rindërtimit.  “Nesër, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kemi edhe dy lote për Durrësin; janë dy rrugët lidhëse të Spitallës, ndërkohë ka filluar loti i parë prej 6 milionë dollarësh me Abu Dabin, si dhe pallatin e madh tek rruga “Ramadan Veliu”, i cili është problematik nga ana e strukturës”. Nesër, shtoi ministri Ahmetaj, kalon financimi dhe FSHZH fillon edhe procedurën e prokurimit. 

Gjithashtu pritet përfundimi i procedurave edhe për 30 objekte 5-katëshe parafabrikat.  “Po mbyllen projektet dhe shpresojmë që brenda muajit korrik t’i ezaurojmë të gjitha”, – u shpreh Kryebashkiakja Sako.

Sa i përket financimit të procesit të rindërtimit, ministri Ahmetaj theksoi se ai vijon normalisht. “Këtë vit kemi 280 milionë dollarë në buxhet që janë alokuar të gjitha dhe ndërkohë financimi vijon normalisht. Nuk kemi asnjë problem me financimin. Vitin tjetër mendojmë që sipas porosisë tuaj të jetë mes 150 milionë dhe 180 milionë dollarë, që të shkojë e gjithë pjesa e rindërtimit nga ana e buxhetit të shtetit, pra, me fondet  e brendshme, midis 650 deri në 700 milionë dollarë. Ndërkohë gjithë donatorët janë në punë”.

Kryeministri Rama nënvizoi se pjesa më e rëndësishme, ajo e hartimit të projekteve është realizuar dhe tashmë çfarë ka mbetur është në rrugë të mbarë për t’u realizuar sa më shpejt. “E rëndësishme është që kanë përfunduar projektet, sepse kanë qenë gjëja më e vështirë dhe më problematike. Tani, me përfundimin e tyre dhe me marrjen e oponencës, sepse janë projekte delikate dhe ne duhet të jemi 100% të sigurt për ndërhyrjet dhe 100% efikas në realizim, besoj që mund të themi që çfarë ka kaluar, është shumë më e gjatë se çfarë mbetet për të pritur. Mendoj se deri në fund të vjeshtës jemi Ok”