Durrës, vijon akomodimi i familjeve në shtëpitë e reja

  • Postuar më 29/04/2021

Procesi i rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti vazhdon dhe paralelisht vijon akomodimi i familjeve në shtëpitë e reja. Tre familje në zonën e ish Kënetës në Durrës morën sot në dorëzim çelësat e strehës së re. Të pranishëm në hapjen e dyerve të shtëpive të reja, ishin Kryeministri Rama dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj.

Familja e parë, e cila mori në dorëzim çelësat, është shpërngulur nga Tropoja për në zonën e ish Kënetës në Durrës prej 15 vitesh, pasi shtëpia në vendin e origjinës u dogj nga një zjarr në vitin 1997. Kryefamiljari e falënderoi Kryeministrin që i qëndroi zotimit për rindërtimin e shtëpive të familjeve, të cilat e humbën shtëpinë e tyre nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019. 

Në ndalesën e dytë, një tjetër familje nga Tropoja mori në dorëzim çelësat e shtëpisë së rindërtuar. E vendosur në këtë zonë 24 vjet më parë, me mund kishte ndërtuar jetesën e tyre, edhe kjo familje rinisi sot jetën në një shtëpi më të mirë e të madhe se ajo që kishte.

Ndalesa e fundit, ishte në një familje nga Burreli. 

Në të gjithë zonën e dëmtuar nga tërmeti vijon intensivisht puna për rindërtimin e shtëpive të reja, të pakrahasueshme për nga cilësia dhe siguria me ato që u shkatërruan nga tërmeti. Kryeministri ritheksoi se procesi i rindërtimit do të vijojë me intensitet deri në pajisen me çelësat e shtëpive të reja të të gjithë familjeve që i humbën ato natën e 26 nëntorit.​