Durrës, rindërtohen nga themelet edhe shkolla Qemal Mici e kopshti Met Hasa

  • Postuar më 29/06/2021

Një institucion arsimor modern është pas rindërtimit shkolla 9-vjeçare “Qemal Mici” në qytetin e Durrësit, e cila do të mirëpresë rreth 1000 nxënës, përfshirë edhe vogëlushët që ndjekin ciklin parashkollor. E ringritur nga themelet më e madhe dhe më e bukur, shkolla ofron cilësi dhe kushte komode për nxënësit dhe ekipin pedagogjik të njëjta me standardet e shkollave në BE.

Për të vizituar mjediset e reja të saj ishin sot në Durrës, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri I Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj. “Kjo shkollë ka qenë historikisht me dy turne, pasi ka shumë fëmijë që e frekuentojnë, ndërsa tani, me kushtet e reja është shumë e rëndësishme që kemi mundësinë e mësimit me një turn”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, e cila shtoi se “katër shkolla të tjera janë në proces dhe 13 të tjera në përfundim të projekteve dhe në fillim të punimeve, kryesisht me donatorë të huaj. Ndërkohë, shkollat që kanë mbaruar janë me financim të qeverisë shqiptare.”

Sa i përket rindërtimit në tërësi të objekteve arsimore, ministri Ahmetaj u shpreh se “janë 163 shkolla në rikonstruksion dhe rindërtim, së bashku me donatorët, si dhe disa shkolla të tjera do të shtohen në program.”

Shkolla e re ka palestra dhe ambiente ndihmëse, salla multifunksionale dhe funksionon edhe si qendër komunitare.

***

Një tjetër objekt arsimor i rindërtuar nga themelet është edhe kopshti “Met Hasa”, në Durrës, i cili do të mirëpresë 150 fëmijë në vitin e ri shkollor. Kopshti i ri është një ndërtesë me standarde të larta të kujdesit e ambiente moderne për fëmijët.