Durrës, përfundon meremetimi i 145 pallateve;44 milionë dollarë grante të dhëna për apartamentet

  • Postuar më 12/12/2020

Në Durrës ka nisur ndërtimi i 12 pallate të reja në të njëjtin vend ku pallatet e vjetra e të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar u shembën. Puna për ndërtimin e tyre ka nisur tashmë dhe ritmi i punimeve është i lartë, teksa në gjithë bashkinë e Durrësit janë 2084 familje që do të marrin një apartament të ri.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektuan punën në një nga pallatet që do të ringrihet më i fortë, më i madh, më i bukur se ai para tërmetit shkatërrimtar. “Ky është pallati i dytë që ka filluar në Durrës. Në qytet do ndërtohen 12 të tilla, që kanë ardhur nga kërkesa e banorëve për të mos u spostuar dhe për t’u bërë në të njëjtin vend. Në total janë 597 apartamente në këto 12 objekte. Po t’i shtojmë Spitallën dhe objektet që do ndërtohen në njësitë administrative dhe në Manzë kemi në total 2084 apartamente në gjithë qytetin e Durrësit”, – tha kryebashkiakja Sako.

Kjo godinë e re do të jetë me 7 kate, ku kati i parë do të jetë i dedikuar për njësi tregtare, ndërsa 6 katet e tjera do të jenë për banim. “Sot kemi në Durrës përfaqësuesin më të lartë të kompanisë nga Emiratet e Bashkuara që ka marrë përsipër ndërtimin e gjithë 2000 apartamenteve. Baza do jetë në lagjen e re që do ndërtohet në Spitallë dhe njëkohësisht, edhe këto godinat e tjera të pikëzuara siç i quajmë ne, individuale, pallate që do ndërtohen aty ku faktikisht janë shembur, do të jenë pjesë e të gjithë projektit që  së bashku me kompaninë e famshme të Emirateve do ta çojmë përpara”, – theksoi Kryeministri.

“Kjo ka qenë një periudhë shumë intensive pune, – vijoi Kryeministri – sepse dihet sa shtresa ka kjo punë, që nga pastrimi i shesheve deri tek ndërtimi, por në këtë rast kemi pasur edhe problemin e hartimit të gjithë rrugës së marrëveshjes me qeverinë e Emirateve, që e firmosëm para pak ditësh kur ishim atje. Ata menjëherë kanë çuar njerëzit dhe ka ardhur vetë drejtuesi më i lartë i kompanisë për të vijuar punën. Ndërkohë jemi shumë të lumtur, sepse njëkohësisht është konfirmuar dhe shprehja e vullnetit për të filluar transformimin kolosal të Portit të Durrësit, që do të thotë transformim kolosal i Durrësit, që do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm, sepse do të transformohet në një port turistik. Ndërkohë do të ndërtohet porti i ri dhe me këtë partner që kemi mund të jemi të bindur që do kemi një nga portet më të bukura turistike të Mesdheut në Durrës. Kështu që të gjithë ato që vijnë mbrapa nga pikëpamja ekonomike janë jo thjesht me impakt për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë, si investim që shkon në mbi 2 miliardë dhe vetëm atje, pa llogaritur investimin e portit të ri,  punësimet e të gjitha me radhë”.

***

Kryeministri Rama vijoi me inspektimin e punimeve në ambjentet e përbashkëta të banimit të disa pallateve të tjerë. Ndërkohë që banorëve të tyre u janë dhënë grantet e rikonstruksionit të apartamenteve.

Kryeministri vizitoi një nga apartamentet e saporikonstruktuara, me dëmtime DS3, për të cilin vetë familjarët u shprehën se tani është “më i mirë se ai që kishin”.

“Ka qenë e vështirë edhe për ju. Faleminderit për durimin dhe hallall edhe të sharat që më keni bërë me “nuk bëhet” dhe ja tani”, – u shpreh Kryeministri në bisedë me familjarët.

“Banoj në katin e tretë. Kam qenë shumë e dëmtuar. Jam me dy fëmijë të vegjël. Ju falenderoj shumë për të gjitha, për bonusin e qerasës, për grantin që kemi marrë e për rregullimet që kemi bërë brenda në shtëpi”, – solli historinë e saj një tjetër banore e pallatit.

Durrësi është një nga zonat që ka përfituar më shumë nga fond i granteve të rindërtimit, theksoi ministri Ahmetaj, pasi është edhe një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti. “Janë mbi 44 milionë dollarë grantet e përfituara“

Në 145 pallate ka përfunduar puna meremetuese e mjediseve të përbashkëta, 9865 familje kanë marrë grantet për meremetimet brenda apartamenteve të tyre.

615 pallate gjithsej do të jenë shumë më të sigurtë e shumë më të bukur sesa në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar.