
Konferenca Ndërkombëtarë “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia Ime” u organizua nga
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në 21 Maj në Vlorë, me prezencën e miqve dhe partnerëve të
vendeve fqinje, Kryetarë të bashkive dhe përfaqësuesve të Këshillave Bashkiakë të Cosenza, Civita,
Frascineto, Brindizi, Janina, Ulqini, Peja, Struga e Tirana, së bashku me Kryeministrin Rama, nën
moderimin e z. Fate Velaj.
Fjala e Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar miq dhe të ftuar, kryetarë bashkish dhe deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar,
Faleminderit për pranimin e ftesës,
Më vjen shumë mirë, jam shumë i lumtur, që pas disa muajsh pune mundëm të realizojmë këtë ide të
thjeshtë për të ndarë me njëri-tjetrin dhe me komunitetin idetë tona për te ardhmen e qytetit, por të
parë në tërësinë e fenomenit, ashtu siç i jemi referuar “Qyteti im, Shtëpia ime” dhe në themel është
politika edhe europiane, por politika jonë, për gravitetet e qyteteve si qendra të zhvillimit ekonomik.
Që ditën që Kryeministri mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës vite më parë dhe me zhvillimin që mori
qyteti, filluan të mendonim që vendi rrotullohej rreth qytetit dhe jo më qyteti rreth vendit apo qytetet
rreth vendit.
Tani fatmirësisht, për të njëjtën arsye, për shkak të të njëjtit njeri dhe të njëjtët njerëzve, për shkak të të
njëjtave ambicie, ne kemi mundësi të themi nuk është më vetëm Tirana, por është Vlora, është Fieri,
është Durrësi, është Korça, është Gjirokastra, është Shkodra, pra, sot vendi ekonomikisht rrotullohet
drejt qyteteve. Përmes investimeve, patjetër, zhvillimit urban dhe modernizimit, përmirësimit total të
konektivitetit, mbështetjes së sipërmarrjeve të reja dhe tërheqjen e investimeve të huaja, krijimin e
vendeve të reja të punës. Për dijeninë tuaj vetëm qyteti i Vlorës ka nevojë për 1 mijë të rinj e të reja,
burra e gra që të zënë ato 1 mijë vende bosh të punës që janë në qytet. Dhe për 1 sekondë, futuni në
këtë ëndrrën që po bëhet realitet, çfarë do të ndodhë me këtë qytet në 3-5 vitet që vijnë, me të gjithë
atë gamë investimesh në të gjithë sektorët dhe nën-sektorët.
Sot shumë qytete inovative në botë kanë shkruar histori suksesi, përmes një kombinimi mbresëlënës të
ideve dhe inovacionit, me nevojën për të adresuar me zgjidhje praktike sfidat e menaxhimit të qytetit.
Sigurisht që nuk ka qenë gjithmonë kështu, por sot në shekullin e 21, avancimi i shkencës dhe
teknologjisë së lartë, grumbullimi i më shumë të dhënave sasiore dhe shumë më cilësore, materialet
high-tech etj., po i japin mundësi shumë arkitektëve dhe planifikuesve urbanë që të punojnë më zgjuar
dhe në mënyrë më precize. Qytetet po investohen për të qenë më të shëndetshëm në aspektin
ambiental, më të mëdha dhe më tërheqës e cilësorë për të jetuar.
Dua t’ju provokoj me një statistikë shumë interesante që shumë shpejt do ta hasim edhe ne në të
paktën 7 deri në 10 vitet që vijnë : Popullsia globale pritet të rritet në 10 miliardë banorë në vitin 2050
dhe 70% e kësaj popullate do të jetojë në qytete. Në 40 vitet e fundit bota ka krijuar aq qytete sa në
gjithë historinë e njerëzimit. Këto janë statistika të sakta të OKB. E ardhmja e njerëzimit është
pashmangshmërisht urbane dhe zhvillimi teknologjik e dixhitalizimi është një revolucion i pandalshëm,
esencial, për të garantuar qytetet e së ardhmes (që tani quhen future-proof cities), të fokusuara tek
njerëzit dhe tek ambienti.
E pikërisht në pikën e bashkimit mes qyteteve dhe teknologjisë, krijohet oportuniteti për një botë me të
qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për komunitetet.
Cilat janë korsitë e politikë-bërjes e veprimit si dhe sfidat që duhen adresuar?
Cila është arkitektura e qyteteve “të gjalla”, që lëvizin, që krijojnë, që inovojnë dhe ndërtojnë të
ardhmen?
Për shkak të afërsisë së tyre me komunitetin, bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm, të
pazëvendësueshëm, por edhe drejtpërsëdrejti të prekshëm, që bën diferencë, në përditshmëri, në jetën
e qytetarëve, ndaj dhe shpeshherë zgjidhjet për sfidat e mëdha globale gjenden pikërisht aty, tek
bashkitë, në nivelin lokal: shërbimet utilitare, përgjigja ndaj fatkeqësive natyrore apo pandemive, kujdesi
për ambientin, garantimi i infrastrukturës publike, konektiviteti lokal, rajonal e më gjerë.
Në Axhendën 2030 të Kombeve të Bashkuara, një nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ka të
bëjë drejtpërsëdrejti më atë që quhet Sustainable Cities and Communities (Qytete dhe komunitete të
qendrueshme) dhe në përmbushje të këtij objektivi, sikurse e thashë, roli i bashkive është i
patjetërsueshëm.
Dua të ndaj me ju eksperiencën tonë mbi dy programe të rëndësishme, të cilat përtej gjithckaje, përtej
programit social, përtej përgjegjshmërisë sociale të një Kryeministri, të një qeverie dhe një maxhorance,
janë edhe programe ku praktikisht inovacioni dhe urbanizimi janë bërë së bashku.
Programi i Rindërtimit pas tërmetit:
Këtu kemi ato elementë që unë përmenda, urbanizimi, inovacioni dhe kombinimi i një bashkëpunimi
fantastik mes qeverisë qendrore dhe qeverisë vendore.
Nuk dua të ndaloj tek detajet por dua të ndaj me qytetarët që 11 kryetarët e bashkive të zonës së
dëmtuar kanë qenë si rrallëherë në krye të detyrës 24 orë pranë komuniteteve.
Ndërkohë dua t’ju rikujtoj se shpesh i harrojmë gjerat dhe i marrim të mirëqena, programi i Rilindjes
urbane.
Programi i Rilindjes Urbane ishte një ide dhe ambicie e Kryeministrit, e filluar në një dimension më lokal,
në Tiranë, e aplikuar më pas në të gjithë Shqipërinë.
Praktikisht, projekti i Rilindjes Urbane është Shqipëria 2030 me fokus qytetet dhe komunitetet. Po ta
analizoni atë program në vetëdije politike, njerëzore dhe qytetare, është pikërisht përmirësimi i jetës së
qyteteve dhe në themel të qyteteve, komunitetet.
U bënë rreth 600 milionë dollarë investime, 1 mijë projekte në të gjithë vendin, pyetja është “cili është
rezultati”?
Unë po piketoj disa prej tyre për të kuptuar se çfarë dimensioni ka pasur ajo ide dhe ajo ambicie, në
jetën e qytetarëve.
Në Korçe, investimi 30 milionë euro i Rilindjes Urbane, gjeneron të paktën po aq milionë euro shtesë të
ardhura në vit. Bashkia sot mbledh 4 herë më shumë të ardhura vendore se më parë, të cilat përkthehen
në më shumë investime publike dhe shërbime për qytetarët. Numri i bujtinave dhe strukturave të
turizmit është dyfishuar.
Në qarkun Shkodër, numri i vizitorëve ka një rritje prej mesatarisht 30% në 4 vitet e fundit. Numri i
sipërmarrjeve të reja pas përfundimit të programit të Rilindjes Urbane u rrit me 42% në Shkodër, 30% në
Pukë, 83% në Malësinë e Madhe.
Në Vlorë, vlera e pronës është dyfishuar pas programit të Rilindjes Urbane. Të ardhurat e bizneseve janë
40% më të larta, ndërsa tek kapacitetet akomoduese në strukturat e hotelerisë megjithëse janë 4-
fishuar, jemi sot 4 herë më pak sesa kërkesa.
Sigurisht, një impakt të rëndësishëm pati reforma territoriale, me synimin decentralizimin e pushtetit
lokal, ku mbi 373 njësi të vetëqeverisjes lokale u reduktuan në vetëm 61 bashki dhe Transferta
buxhetore për bashkitë për vitin 2022, krahasuar me vitin 2015 (viti i parë i reformës), është rreth 54.5
përqind më e lartë. Nëse i referohemi vetëm bashkisë Vlorë, në 10 vitet e fundit ka një rritje me 270% të
transfertës së pakushtëzuar.
Vlora është shembulli më kuptimplotë i qytetit që e ka kapërcyer ylberin. Kam një seri të gjatë
investimesh, të cilat nuk do t’i përmend të gjitha, por, aeroporti, tuneli, bypassi, triporti, pra porti i
marinës, investimet turistike, e kanë bërë këtë qytet ta kalojë ylberin. Sfida tani nuk është më a ka
vende pune, sfida është tjetër, të kemi sa më shumë të rinj e të reja, burra dhe gra që mbushin këto
vende pune dhe sfidën tjetër që e ardhura mesatare për atë vend pune të kalojë cilësisht më lart.
Dhe në referencë të një politike europiane rajonale, dua të provokoj edhe miqtë e ftuar, unë kam qenë
në bari para një jave në një konferencë të ngjashme si kjo, ku me të drejtë, legjitimisht, pretendohet që
ajo pjesë e Italisë të jetë ura lidhëse midis lindjes dhe perëndimit.
Unë mendoj, besoj, që me atë që po i ndodh Vlorës, me atë që po përjeton Vlora dhe Shqipëria
nëpërmjet Vlorës dhe qyteteve, unë mendoj që Vlora është ura më e bukur, më dinjitoze, më e vlefshme
lidhëse me perëndimit dhe lindjes, mes një tregu Europian dhe një tregu rajonal.
Faleminderit dhe ju uroj punime të mbara e ta shijoni këtë Konferencë,
Faleminderit!