Drejt përfundimit edhe Lagjia e re në Fushë Krujë. 244 familje do të hyjnë në shtëpitë e reja falas, brenda fundit të vitit

  • Postuar më 10/07/2021

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj inspektoi sot kantierin e lagjes së re të Fushë Krujës ku punimet kanë hyrë gjithashtu në fazën finale.

Lagjia e re përmban 124 banesa individuale, të cilat do të kenë përfunduar brenda një muaji. Po kështu pjesë e zonës së re janë edhe 120 apartamente në 4 komplekse pallatesh, njësi shërbimi dhe infrastrukturë publike, punimet për të cilat përfundojnë brenda fundit të vitit. Të gjitha objektet e zonës së re janë financuar nga buxheti i shtetit.

“Edhe në këtë zonë do të kemi objekte publike, qendër shëndetësore nga njëra ane dhe kopësht e çerdhe nga ana tjetër, në favor të familjeve që do të akomodohen në këtë zonë”- tha kryebashkiaku Bushi.

“Premtimi i një viti e gjysëm më parë, sot është i prekshëm. Shumëkund në kantierë të rindërtimit jemi në përfundim e sipër. Dua t’i kujtoj qytetarët që vitin e kaluar në këtë kohë, hodhëm themelet e shkollave të para. Sot kemi 167 shkolla në Programin e Rindërtimit, kemi përfunduar mbi 40 prej tyre e një pjesë e mirë përfundojnë shumë shpejt brenda këtij vitit.

 

Ndërkohë kantierët e Thumanës, Fushë Krujës, Bubqit, Tiranës, Kavajës, Shijakut, janë në fazë të avancuar e për tre-katër muaj në shumicën prej tyre do të kemi familje që hyjnë në shtëpitë e tyre të reja, falas dhe në pronësi të plotë të tyre.

 

Është një premtim i mbajtur në kohë rekord, një proces shembull dhe një shprehje e fytyrës sociale të kësaj mazhorance. Është një proces i paprecedentë, krahasuar edhe me shumë vende të zhvilluara ku rindërtohen shtëpitë nga tërmeti falas dhe në kohë e cilësi rekord. Ne po ndërtojmë 167 shkolla, 12 mijë apartamente e mbi 4 mijë banesa individuale” – tha Ahmetaj