Deklaratë për mediat e Ministrit Ahmetaj pas prezantimit të raporteve sektoriale të Bankës Botërore për impaktin e COVID-19

  • Postuar më 02/06/2020

Së fundmi, Banka Botërore ka prezantuar një sërë raportesh sektoriale përsa i përket dëmit nga kriza humanitare globale që ka shkaktuar COVID-19. Është fokusuar tek dëmi dhe goditjet ekonomike në sektorë, popr edhe në thellimin e mundshëm të varfërisë në rajon.

 

Për para se të kaloj tek shifrat konkrete dhe interpretimi statistikor i tyre, ky raport, nuk është një raport i situatës dhe ecurisë tradicionale ekonomike të Ballkanit Perëndimor, apo të Shqipërisë për sa na intereson ne, por është një fotografim i dëmeve të mundshme momentale nga COVID-19. Çdo aktor politik apo i çdo fushe tjetër, që e trajton ndryshe, është ose jo-profesional, ose i qëllimtë për të dezinformuar, ky është vendim që e merr me veten.

Çfarë thotë raporti?

Raporti i referohet para-krizës, dhe thekson që “punësimi në Ballkanin Perëndimor arriti nivelin më të lartë historik në vitin 2019 me 45,6 për qind për grup-moshat mbi 15 vjeç”.

Çfarë tha për Shqipërinë?

Gjatë dy viteve të fundit, rritjet e pagës minimale e kanë rritur pagën mesatare me mbi 12 për qind në rajon. Shqipëria renditet me 18% rritje.

Çfarë tha tjetër raporti për Shqipërinë?

Shkalla e papunësisë ka rënë në nivele të ulëta rekord në Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri arriti një nivel të ri të ulët prej 11,5 për qind”.

 

Por çfarë paralajmëron Banka Botërore?

E theksoj jo pa qëllim paralajmërim, sepse çdo paralajmërim i jepet qeverive të rajonit, për të marrë masat e duhura nëpërmjet reformave, qoftë në sektorin social, qoftë në sektorët e tjerë, për të parandaluar ri-zhytje në varfëri si ajo e vitit 2012.

Çfarë thotë konkretisht Banka Botërore?

“Sipas simulimeve të kryera, vlerësohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 pp, mund të rritet, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë. Skenari i dytë, që mund të ishte edhe më i keq, shkon deri në 44 përqind. Dhe i referohet vitit 2012. Pra, sipas skenarit të parë thotë Banka Botërore, varfëria mund të arrinte nivelin e vitit 2012 ku është lugina më e thellë e varfërisë”.

Dhe dua të kujtoj qytetarët, që pavarësisht vështirësisë ku ndodhemi, diferenca mes 2012 dhe ditës së sotme, është se atëherë nuk kishte krizë, atëherë kishte keq-menaxhim të qeverisë së vjetër që e zhyti vendin në varfërinë më të madhe historike pas ’96-’97, që gjithashtu pronësinë e kanë vetë.

Në sigurisht që jemi të alertuar, jemi të përgatitur dhe ndërkohë, shumë shpejt do të prezantojmë planin tonë të ringritjes ekonomike.

Siç e theksova, diferenca mes 2012 dhe 2020 ka të bëjë me atë që ne kemi dy goditje të rënda në ekonomi, goditja nga tërmeti në fund të vitit 2019 dhe goditja globale, që nuk preku vetëm Shqipërinë, por preku gjithë rajonin, gjithë globin, nga SHBA si shteti më i fuqishëm i botës që kanë mbi 40 milionë kërkesa për pagesa papunësie sot dhe një vendi me ekonomi të brishtë, siç është Shqipëria apo gjithë rajoni, që gjithsesi ka qenë në gjendje, si qeveri, të ndërhyjë me ato paketa të rëndësishme të cilat në finale, kanë mundur të arrijnë qëllimin për të ruajtur nivelin e të ardhurës për ato shtresa të goditura më rëndë nga COVID-19, që nga fasonët, call-center, shërbimet apo i gjithë biznesi i vogël.

Rëndom flitet për bizneset e vogla. Ne në paketën e parë dhe në paketën e dytë, i shërbyem me pagën e luftës dhe me pagesën 40 mijë lekë të reja, gjithë punonjësve të biznesit të vogël; të gjithë punonjësve të biznesit të vogël. Paketa e parë e kombinuar me paketën e dytë i ka shërbyer të gjithë biznesit të vogël.

Hoqëm tatim-fitimin për biznesin e vogël, për të gjithë bizneset deri në 14 mln lekë xhiro në vit dhe shtymë pagesën e tatim-fitimit për të gjithë bizneset e tjera në afate të ndryshme, deri në vjeshtë dhe deri ën fund të vitit.

Disa shifra për të treguar sesi kanë funksionuar paketat.

Nga paketa e parë kanë përfituar 64,919 punonjës, ose të vetëpunësuar në biznesin e vogël. Kanë marrë pagesën e parë dhe pagesën e dytë dhe së shpejti përfitojnë edhe pagesën e tretë.

Kanë marrë pagesën e paketës së dytë 111,898 punonjës në 34,850 subjekte, me një fond rreth 4,5 miliardë lekë dhe deri në fund të procesit në mesin e qershorit do të kenë përfituar 179 mijë të punësuar apo të papunë që janë klasifikuar dhe vlerësuar si përfitues të paketave.

Dhe një informacion plus, garancia sovrane. Janë 628 aplikime për instrumentin e parë të garancisë sovrane. Janë miratuar deri më sot 309 me një vlerë gati 40 milionë dollarë dhe po vazhdon.

Ndërkohë garancia e dytë sapo ka filluar, ka pak ditë, dhe janë nënshkruar deri tani marrëveshjet me 8 nga 12 bankat, ndërsa janë disa dhjetëra aplikime të para.

Para se ta mbyll e theksoj që e gjithë përpjekja jonë dhe plani jonë ekonomik, nuk do të sigurojë thjesht dhe vetëm që ne të mos kthehemi tek viti 2012, por do të garantojmë me reforma, investime publike dhe politika financiare ekonomike të suksesshme që të konvergojmë me rritjen e para-krizës në krye të dy apo tre viteve dhe jo siç parashikojnë institucionet ndërkombëtare në krye të pesë viteve.

Faleminderit!