Akti Normativ, fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament

  • Postuar më 29/07/2020

Fjala e Ministrit Ahmetaj në Parlament për Aktin Normativ

Faleminderit Kryetar
Nga fjala e fundit e një nga deputetëve të opozitës, por besoj që edhe për deputetët e Mazhorancës, do t’i ftoja që ta kalonim Aktin Normativ jo me votë thjesht, por duke përmendur të gjitha reformat.
Çfarë bën Akti Normativ, për të kuptuar shqiptarët që nuk jemi duke kaluar një akt fare të thjeshtë por një akt cilësor, me themel jo shifrat, por politikat sociale dhe reformat. Çfarë përmban Akti, ta dinë shqiptarët?
E dini çfarë ka ndodhur këtë vit?
Këtë vit ekonomia shqiptare për shkak të Covid-it dhe tërmetit është goditur dy herë; në 26 Nëntor 7.2% të prodhimit të brendshëm bruto, mbi 1.1 miliardë dhe vetëm në 6 mujorin e parë gati e njëjta goditje dhe do ta shikoni 3 mujorin e dytë. Po akti çfarë bën? Numërojeni pak, se këtu nuk është thjesht kontabilitet, numërojeni pak deficitin buxhetor. Deficiti buxhetor ka në kurriz 4.4 % brenda vetes goditjen që merr nga ekonomia, vetëm 2.2 % nga tërmeti, pjesa tjetër siç e shikoni, për të kuptuar sa e përgjegjshme është një qeveri, është gati 2, një deficit normal në një kohë të vështirë; deficit normal që tregon se qeveria ecën me shumë përgjegjshmëri.
Çfarë po ndodh me rindërtimin?
340 milionë dollarë – shkollat kanë filluar, infrastruktura po, shtëpitë individuale po, grantet po 76 milionë dollar. Sado t’i thoni, sado t’i bëni një listë, është bërë e modës të vish këtu dhe të thuash nuk është bërë gjë. Po të prekësh terrenin ka 100 probleme, por janë zgjidhur 110 probleme të tjera, e dalin sërish 120 të tjera, se kjo është Shqipëria, por dallimi është kush u gjend atë ditë, ditën e tërmetit, ditën e Covid-it. U gjend kjo maxhorancë, ky Kryeministër, kjo qeveri.
Po aktin normativ e keni lexuar?
Se kam përshtypjen që s’e keni lexuar; e dini çfarë ka brenda akti normativ?
Ka shtesë numrash mësuesish për një reformë shumë të rëndësishme, në Tetor kur fillon Viti i Ri akademik. Do duhet ta dini ju të opozitës dhe ne të maxhorancë, që ne kemi filluar një reformë të re për fëmijët, edhe për familjet e këtij vendi. Ne kemi filluar anglisht në klasë të parë për çdo nxënës në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë qe pas 10 vitesh fëmijët e Shqipërisë të jenë fluentë në anglisht dhe gati për atë që quhet Global Economy, ekonomi globale.
Juve s’ju bën përshtypje kjo, prindërve iu bën. Por edhe për IT, meqë ne flasim për next generation, po pra, IT që në klasë të parë, që pas 10 vitesh fëmijët tuaj e fëmijët tanë të kenë mundësi që të jënë fluent në IT, ajo që ne e quajmë digital economy, po ju nuk doni ta referoni.
Po tjetrën e dini, që është futur financimi i projekteve të mëdha te infrastrukturës? Projekti i tunelit të Llogarasë, projekti i kampusit Universitar dhe vitin tjetër, sepse janë konsekutive, është futur financimi i tunelit me 4 miliardë dhe financimi i kampusit me 3 miliardë dhe financimi i të gjitha rrugëve që ju i quani 3D, por kur veni i prekni, ju duken si tren nuk e di se çfarë.
Pra, të nderuar deputetë, nuk është puna këtu të bëjmë debat në një listë ca janë të opozitës ca janë të maxhorancë.
Pyete i nderuar deputet, në respektin tënd, se sa e kanë marrë pagën e luftës. 256 mijë shqiptarë e kanë marrë pagën e luftës. E dini që para 2 muajsh, para 2 javësh, edhe ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ndërprerë 600 dollarëshi në javë; po kur krahasoni, pse nuk i shikoni si milingona ato shifrat për të kuptuar se çfarë ka bërë kjo qeveri. Po kur flisni për varfërinë e shqiptarëve dhe kur flisni edhe për borxhin, e dini ju që të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve janë rritur mbi 25% në 7 vite, ndërsa borxhi është gati rritur sa 1/3 e rritjes të së ardhurave? Kur flisni për efektivitetin, janë të gjitha elemente thelbësorë. Po për shpërndarjen e pasurisë, që flisni për oligarkë, 2 elementë mbajini mend:
E para, taksa progresive i ktheu 110 milionë dollar atyre që ju i quani njerëz në nevojë dhe ne i quajmë qytetarë të zakonshëm, po po, po ne hoqëm taksën për ata me të ardhura deri në 300,000 lekë, ne e hoqëm taksën; Ne e rritëm pagën minimale, ne i kthyem në tryezat e shtëpive të tyre 110 milion dollar. Tani çfarë ndodh? Ne paskemi mbështetur oligarkët duke i rritur taksën nga 10 në 15 dhe ndërkohë që shpërndarja e kapitalit ka shkuar në funksion të atyre njerëzve në nevojë,
A, për të bërë trendi politikë, që “shiko se të varfrit”, “shiko se oligarkët”, “shiko se këta”, “shiko se ata”. Këto janë shifra, janë politika. A e dini ju që ne vitin e kaluar i dhamë libra falas deri në klasë te 5 dhe po i çojmë deri në klasë të 8? Është politikë mbështetëse për fëmijën dhe për familjen.
Ky nuk është një akt normativ i zakonshëm. Hajdeni këtu e flisni me shifra. Ky është një akt normativ që bën diferencë dhe shënon ri-ngritjen pas Covid-it. Ju pëlqen apo s’u pëlqen, se ne jo vetëm që na pëlqen, por e kemi dhe përgjegjësi dhe do ndiqet në shtator nga programi 20/30 i kësaj maxhorance për të përgatitur mandatin e 3-të, mandatin e 3-të të kësaj maxhorance, të këtij Kryeministri dhe të kësaj qeverie.
Faleminderit!