660 apartamente për të prekurit nga tërmeti në Shijak

  • Postuar më 17/05/2021

Shijaku është shndërruar i tëri në një kantier të madh, ku falë Programit të Rindërtimit, çdo lagje e rrënuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit po ringrihet nga themelet. Pas ndërtimit të infrastrukturës së re të ujësjellës-kanalizimeve, po ndërtohen 31 pallate të reja me 660 apartamente, që jo vetëm do ndryshojnë cilësisht jetën e familjeve të prekura nga tërmeti, po edhe vetë kushtet urbane të qytetit.

Në Shijak ishtin sot Kryeministri Rama, Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe kryetari i Bashkisë Elton Arbana.

“Siç e kemi deklaruar që në fillim të procesit të rindërtimit, Shijaku do të bëhet një qytet i ri,” – u shpreh Ministri Ahmetaj, ndërsa theksoi se puna për ndërtimin e pallateve ndodhet në një fazë të avancuar. “Janë 660 apartamente që do të ndërtohen brenda 31 pallateve. 79 mijë metër katrorë ndërtim, duke përfshirë edhe gjithë infrastrukturën dhe 280 parkime nëntokësorë, mbitokësore. Në vjeshtë, pjesa më e madhe e pallateve mbaron dhe familjet futen në shtëpitë  e tyre të reja,” – tha Ahmetaj.

Punimet po vijojnë me ritme të shpejta. Kryetari i Bashkisë Arbana u shpreh se në fund të muajit nis puna për muraturën e gjithë pallateve dhe brenda afateve të parashikuara, e gjithë puna do të jetë e përfunduar.

Investimi për ndërtimin e pallateve të reja është 25 milionë dollarë, pa përfshirë këtu infrastrukturën dhe objektet e tjera publike.

Më pas inspektimi vijoi në lagjen “Lugina”, një nga më të prekurat nga tërmeti, ku gjithsej do të ndërtohen 21 pallate. Por jo vetëm. Së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale të Shijakut, një mjedis kulturor dhe argëtues, që i ka munguar prej kohësh qytetit.

“Qendra kulturore multifunksionale ka të përfshirë Pallatin e Kulturës, një sallë konferencash dhe një kinema. I gjithë Shijaku është kthyer në një kantier ndërtimi, investime në ujësjellës, kanalizime, infrastrukturë. Në lagjen “Lugina”, një nga më të prekurat nga tërmeti i datës 26 nëntor, po ndërtohen plot 21 pallate. 20 prej tyre kanë filluar dhe një pallat fillon brenda kësaj jave. Vetëm në këtë lagje do të akomodohen plot 450 familje që janë përfitues nga banesa 1+1, 2+1, 3+1,” – u shpreh kryebashkiaku Arbana, i cili shtoi se rreth 49.800 metër katrorë janë njësi vetëm për strehim dhe 25.200 të tjera janë ambiente ndihmëse që i shërbejnë të gjithë komunitetit.

Në Shijak, tha kryebashkiaku Arbana, “rreth 82% e familjeve përfituese do të kenë një banesë të re me sipërfaqe  më të madhe se ajo që kanë humbur.”