143 shkolla të reja me standarde europiane brenda vitit 2021

  • Postuar më 17/08/2020

Prej disa muajsh tashmë është hapur kantieri i rindërtimit të shkollave dhe kopshteve, pas gërmadhave të lëna nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, me hapësira e kushte krejt të ndryshme nga ç’ishin më parë.

Puna vijon me ritme të larta për të bërë të mundur hapjen e dyerve të shkollave më 26 nëntor, një vit pas tërmetit tragjik. Një nga kantieret është ai i shkollës së Mesme të Bashkuar “Kajo Karafili” në Shijak, ku puna ka ecur me ritme të shpejta.

Në zonën e Krujës shumë shpejt do të ndërtohen 14 shkolla e kopshte të reja, më të mëdha e me standarde më të larta. 143 shkollat të reja me standarde europiane do të ndërtohen, brenda vitit 2021, në vend të godinave të vjetra që u goditën nga fatkeqësia e fundvitit 2019-të.

Po ashtu shkolla “Dan Bajrami” në Kurbin është një prej plot shkollave që po rilindin nga gërmadhat e tërmetit të nëntorit të shkuar.

26 nëntori i shkuar i la pa strehë mësimore edhe fëmijët në Derven të Krujës, por nëntorin e këtij viti, shkolla e re 9-vjeçare dhe kopshti i ri “Kastrioti” do të hapin dyert për ta, me kushte të reja.

Rindërtimi i shkollave vijon edhe për 535 nxënësit dhe mësuesit e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Llesh Nik Daka” në Lezhë, të cilët gjithashtu do të hyjnë në një shkollë të re me kushte të pakrahasueshme me të vjetrën. Një tjetër shkollë që po rindërtohet është edhe gjimnazi “Arif Sula” në Mamurras.

Edhe në kantierin e shkollës së Mesme të Bashkuar “Kajo Karafili” në Shijak, puna ka ecur me ritme të shpejta dhe në 26 nëntor do të jetë gati për të mirëpritur nxënësit brenda një hapësirë prej 2900 metër katrorë, të projektuar me më shumë klasa, laboratorë, palestër, ambiente të gjelbëruara e rekreative për fëmijët, si dhe me të gjithë funksionet e një qendre komunitare.

Përveç rindërtimit të shkollave, nxënësit do të marrin edhe librat falas, tashmë një realitet sot, ku nxënësit marrin falas libra të Oxford, Cambridge dhe Pearson, burimet më cilësore të dijes në Europë.